Intervistë me Ngadhnjim Mehmetin: dizajni grafik nuk është profesion, por mënyrë jetese

Jeta e tij lidhet me të bukurën, dizajnin grafik. Për injorancën tonë profesion i lehtë, por kur ajo hedhet në kopertinë librash, postere teatrore, video reklamuese, bën që në pak centimetra dhe minuta, të përcillen edhe ndër rreshtat e veprimtarive të gjata prej qindra minutash e faqesh. Fuqia e ngjyrave dhe imazheve, përzgjedhja e pozicionit dhe raportit të duhur ndërmjet tyre, ka bërë që të dëshmohet edhe pasuria kulturore e një vendi, e lashtë prej mijëra vjetësh.

Në pak reshta, këtë arrin ta bën artisti nga Tetova, Ngadhnjim Mehmeti, i cili edhe pse i ri në moshë, jep modelin: se kur talenti dhe puna bëhen bashkë, kur aftësitë personale dhe përkrahja sociale marrin hov, e kur përgjegjësia individuale dhe sociale janë udhërrëfyes jetësor, arrihet të realizohet gërshetimi – ku protesta bëhet njësh me artin, e arti njësh me protestën. Veprat nuk i kanë ikur rrjetës së kritikëve, dhe për këtë është shpërblyer me çmime, por kur ato vijnë papritur, te Ngadhnjimi shkaktojnë ndjesi të bukur.

Nisi me Tetovën, vazhdoi në Stamboll, u kthye në Maqedoni, për të vepruar edhe në Shqipëri, e vlerësuar dhe në Nju Jork.

Për të kuptuar se si nisi gjithçka që mund të mbajë si mbiemër Ngadhnjim Mehmetin, çfarë e ka shoqëruar atë gjatë rrugëtimit jetësor personal dhe profesional, dhe çfarë është ajo që është e veçantë tek ai, lexoni në intervistën më poshtë.

Portalb: Kush është Ngadhnjim Mehmeti në pak fjalë?

Kam lindur në vitin 1977 në Tetovë, ku kam kryer shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Studimet diplomike dhe ato pasdiplomike i kam kryer në Fakultetin e arteve të bukura, drejtimi i dizajnit grafik dhe reklama në Universitetin Marmara në Stamboll. Pas përfundimit të studimeve u ktheva në Maqedoni, ku themelova agjencinë reklamuese EGGRA në Shkup, më vonë edhe në Tiranë.

Gjithçka nisi në moshën 6-vjeçare

Sot dizajni grafik është një nga profesionet që paguhet mjaft mirë në botë, posaçërisht nëse jeni në industrinë e reklamave dhe krijimin e brendeve. Dëshira për t’u marrë me këtë profesion fillesat i ka që nga mosha 5 apo 6-vjeçare. Kam qenë i flaktë pas simboleve, emblemave apo shkronjave. Dizajnin grafik nuk do ta quaja profesion, por mënyrë jetese.

Portalb: Çfarë raporti ka Ngadhnjimi dhe Eggra me festivale apo edhe çmimet në përgjithësi?

Duke punuar shpesh edhe si një skuadër krijuese për klientë të ndryshëm, ka edhe projekte që ja vlejnë për të konkurruar në festivale apo botime ndërkombëtare nga sfera e dizajnit grafik. Zakonisht, seleksionimi kalon nga një konkurrencë e vështirë. Ka pasur raste që as nuk jemi nominuar, por edhe raste kur kemi qenë pjesë e botimeve për dizajnim të logove. Ajo që do veçoja, janë publikimet e 12 logove në 5 edicione e librave të LogoLounge dhe një në Graphis në SHBA.

Me posterin “Gratë”, Ngadhnjim Mehmeti mori dy çmime

Jeta krijuese e një artisti nuk është e përqendruar për të fituar çmime, por kur ato vijnë pa i pritur, është ndjesi e bukur. Këtë radhë isha fitues i Çmimit të Argjendtë në “Poster Annual 2019” me posterin e shfaqjes “Gratë” në regji të Qëndrim Rijanit, në Teatrin Shqiptar, në botimin ndërkombëtar Graphis – një nga botimet më prestigjioze për dizajn grafik në botë me qendër në Nju Jork. I njëjti poster mori çmim edhe në festivalin teatror “Vojdan Çernodrinski” që mbahet në Maqedoni.

Portalb: Prej nga ideja që të realizosh postere për shfaqje teatrore dhe ballina librash? Si arrin që tërë mesazhin e tyre ta japësh me një fletë me ca ngjyra në të?

Menyja e projekteve që punoj është nga më të ndryshmet. Nga dizajnimi i logove apo ambalazheve për ushqime, e deri te videot e ndryshme publicitare për telefonitë mobile apo organizata joqeveritare. Posterat e teatrit, por edhe kopertinat e librave për mua janë shumë personale, pasi që të njëjtat më bëjnë të ndjehem më i arritur, dhe në të njëjtën kohë është edhe një dekontaminim nga projektet komerciale, që në të shumtën e rasteve kanë edhe kufizimet e veta. Kjo për shkak të natyrës që kanë ose nga kërkesat e vet klientëve. Posteri i teatrit është imazhi vizual i shfaqjes teatrale, ndonjëherë edhe përtej saj, metaforë që përcjell mesazhin. Posteri duhet të josh publikun, ta bëjë kureshtar dhe t’i nxjerr në shesh edhe të pathënat, apo mes rreshtat. Thjesht, vlen thënia që: “Një imazh, duhet të vlejë sa njëmijë fjalë”.

Portalb: Çfarë të pëlqen në Maqedoni  apo Tetovë, e çfarë nuk të pëlqen?

Natyra, posaçërisht pjesa e bjeshkëve dhe fshatrave malore të Sharrit. Këto vende, janë vërtet një mrekulli mahnitëse. Vetëm për 20 minuta shkëputesh nga shëmtia e Tetovës, e cila me shpejtësi dhe lehtësi të  të papërballueshme, është duke u betonizuar çdo ditë e më shumë. Kemi uzurpime të hapësirave publike, ku në mënyrë ulëritëse jemi larg frymës urbane. Në Maqedoni, aty ku nuk ka qasje dora e njeriut, ka shumë vende të bukura me pamje panoramike dhe janë mbresëlënëse, posaçërisht kur i shijon edhe nga ajri.

Portalb: Po pasioni për fluturimin?

“Ndonjëherë mund të quhet joshje e rastësishme, ndonjëherë edhe ndjesia e lirisë në qiell që ta mundëson një fluturake”, Ngadhnjim Mehmeti.

Vazhdon rrëfimin: Është një hark kohor që daton nga vitet e shkollës së mesme, ku për herë të parë u përballa me helikopterët e Kombeve të Bashkuara. Nga ajo kohë, edhe pse nuk kam bërë ndonjë trajnim për pilot, duke ofruar shërbime të ndryshme në fushën e marketingut për një kompani gjermane që vepron në Ballkan, shpesh më jepet rasti të fluturoj me helikopter. Më së shumti më pëlqejnë fluturimet për xhirime filmash apo dokumentarësh, pasi që janë momente ku krijohet një kimi interesante në raport me qiellin.

Portalb: Me siguri ke një model që të ndjek nga pas, cili është ai person dhe na i thuaj tre cilësi të mira të tij/saj?

Rene Rexhepi. Është vërtet personi të cilin e admiroj dhe e kam si model, si për majën e suksesit që ka arritur në profesionin e vet, por edhe për tiparin e modestisë që e ka në shoqëri. Koncepti i ri për të gërmuar ushqime në natyrë, duke sfiduar konsumin e sotëm, dëshira për të zbuluar gjëra të reja dhe përdorimi i biçikletës si mjet udhëtimi, janë cilësitë e admirueshme për mua që i ka Rene Rexhepi.

Kulinaria shkak që Mehmeti është ndjekës i madh edhe i Anthony Bourdain, tashmë i ndjerë. Ai njihet për emisionet “No reservations” dhe “Parts Unknown” në CNN.

Portalb: Ke “vjedh” diçka nga Bourdain?

Po vodha “Udhëtarin e shijeve të botës në Shqipëri”. Ishte dëshira ime që Anthony Bourdain të vinte në Shqipëri, me emisionin e tij “Parts Unknown”. Ai me mënyrën e tij të veçantë të rrëfimit të storjeve, do të gërmonte të pathënat për kulturën dhe ushqimin në Shqipëri. Në bisedat që kisha me miq të mi në Nju Jork para dy viteve, mbet të shihet mundësia si të gjendet kontakti dhe lidhja e duhur deri tek Bourdain, për ta ngacmuar dhe joshur produksionin e tij që të realizonte emisionin edhe në Shqipëri. Shtetet, qytetet apo restorantet që ka vizituar ai, janë bërë të famshme, duke u njoftuar për të njëjtat një publik i gjerë nga tërë bota. Nëse Shqipëria në këtë fazë akoma ka mungesa infrastrukture në bregdet, zhvillimi i kulinarisë gjatë viteve të fundit ka pasur momente që krijojnë emocione të krenarisë. Efektet që do kishte për turizmin, padyshim që do ishin me shumë ndikim. Kjo ishte ajo që do t’i duhej shumë Shqipërisë. Mbase këto janë edhe punë të mëdha, ku lobimin duhet ta mendojë dhe bëj vet shteti. Në këtë rast, unë nuk kisha dhe aq mundësi për të bërë më shumë, përveç ëndrrës dhe dëshirës që më mbeti e parealizuar.

Familja dhe miqt, mbështetësit më të mëdhenj

Familja dhe shumë miq në mbarë botën më kanë mbështetur në këtë udhëtim, dhe atyre do ua kisha dedikuar të arriturat e deritashme. Ndoshta edhe autorë librash apo personalitete që kanë qenë burim inspirimi për mua.

Portalb: Deri tash folëm për sukseset. A ka pasur dështime Ngadhnjimi? Nëse po, si i ke tejkaluar?

Pa dështime edhe sukses nuk ka. Ja një nga ato të profesionit, ngaqë personalet janë shumë (me shaka). Duke pasur edhe klient të madh, siç ishte Albtelekomi, një nga videot televizive që patëm bërë për një fushatë promovuese të paketave të internetit, na dështoi komplet. Edhe pse me faj të regjisorit, por unë si udhëheqës i agjencisë, isha përgjegjës para klientit. Ishte një situatë e tendosur dhe me pasoja financiare, aq sa gjasat për ta humbur si klient ishin shumë të mëdha. Në këto raste klientët e mëdhenj janë të pamëshirshëm kur bëhet fjalë për dështime në shitjet e tyre. Me një komunikim të sinqertë, arritëm ta tejkalojmë si problem.

Portalb: Thonë se njerëzit që merren me art janë kryesish njerëz të qetë. A bëhet nervoz Ngadhnjimi?

Zakonisht jam i qetë. Tentoj të kem punë me njerëz të kuptueshëm, qoftë në jetën profesionale, ashtu edhe në atë sociale. Nervoza ndodh atëherë kur nuk e arrijmë atë që duam, ose diçka nuk shkon si duhet në jetë. Nëse keni parasysh se ku jetojmë, arsyet për të qenë nervoz nuk kanë fund. Ndonjëherë jeta na mëson që duhet të inspirohemi edhe në ato pak arsye të mira, për të qenë të qetë dhe të lumtur.

Posteret – metaforë me sarkazëm dhe zhgënjim

“Mesazhi i protestës së Almirit me gishtin ishte një metaforë dhe pjesë e kësaj shfaqjeje, dhe të njëjtin e përdora në poster. I shtova edhe ngjyrat e Revolucionit Laraman, por në kontekst sarkazmi dhe zhgënjimi”, Ngadhnjim Mehmeti.

Vazhdon rrëfimin: Muajin e kaluar shijova posterin për shfaqen teatrore “Vdekja e Dantonit”, në regji të Dino Mustafiq nga Sarajeva. Ky është bashkëpunimi i tretë që kisha me këtë regjisor. Për mua, secili bashkëpunim me të është përvojë krijuese e veçantë. Mustafiq është një laborator idesh, ku lirshëm shfaqen elementet demonstrative që ka arti. Këtyre ditëve jemi marrë edhe me identitetin pamor të festivalit të filmit “WatchOut”, që u mbajt në Tetovë.

Nuk mund ta anashkalojmë edhe një tipar tëndin, e i rrallë në ditët e sotme – aktivizimin social. Ke qenë i pranishëm në protestat ku u kërkua mbyllja e fabrikës “Jugohrom”, për rikualifikimin e rastit gjyqësor të katërvjeçarit nga Kumanova, Almir Aliu, dhe në protestën ku u kërkua që të mos hapet kazinoja në Tetovë.

Portalb: Pse ky angazhim për të ndryshuar shoqërinë?

Një artist profesionist duhet të kuptojë impaktin kulturor, etik, social, ekonomik dhe ekologjik në përpjekjet dhe përgjegjësinë që ka ndaj njerëzimit dhe planetit, qoftë në sferën e projekteve private ose publike, apo individuale. Kjo ka qenë edhe shtysa kryesore për t’u bërë pjesë e aktivizimit social për probleme të ndryshme si ato për ambientin, drejtësinë, shëndetësinë, arsimin e të tjera. Jetojmë në një shoqëri ku e keqja është normalizuar, nuk dënohet dhe funksionarët publik nuk mbajnë përgjegjësi para ligjit. Protesta është një nga format e presionit publik, natyrisht ka edhe mënyra të tjera, që ndihmojnë për të arritur në qëllimet që kemi.

“Duke pasur në dorë një “vegël” të fuqishme si ajo e komunikimit vizual, misioni i një dizajneri është që ai të luaj rol edhe në vetëdijesimin e qytetarëve, për çështje të rëndësishme që prekin jetën e tyre”, Ngadhnjim Mehmeti.

Ngadhnjim Mehmeti gjatë protestave për mbylljen e fabrikës “Jugohrom”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button