Sot fillon Festivali ndërkombëtar i filmit në Tetovë

Duke  filluar që nga dita e sotme, në Tetovë do të mbahet Festivali ndërkombëtar i filmit- International Film Festival-ODA i cili do të zgjasë deri më 16 qershor.

Qëllimi i këtij festivali është afrimi i të gjithë artistëve të filmit dhe dashamirësve te artit me qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, shkëmbim të ideve dhe prezantim të veprave kulturore para publikut. 

“Tetovës si qytet me dy universitete i mungon një kinema e mirëfilltë, dedikuar për gjithë publikun, andaj besojmë se ky lloj aktiviteti do të kontribuojë në promovimin e këtij zhanri, e cila promovon vlera të përbashkëta” thonë nga ekipi organizativ i Festivalit.

Festivali ofron një forum të përshtatshëm për studentët për t’i prezantuar punimet e tyre para publikut, duke krijuar një lidhje në zinxhirin e krijimit artistik, interaktivitetin me publikun dhe reagimin nga ai. Duke i bërë bashkë studentët nga vise të ndryshme dhe duke i prezantuar ata para regjisorëve, producentëve, shkrimtarëve dhe aktorëve të njohur ndërkombëtarisht, TIFF-ODA- u ofron studentëve qasje në rrjetin artistik shumë të çmueshëm për karrierën e tyre të ardhshme.

Në kuadër të këtij festivali planifikohen të shfaqen shuma filma nga artistë të njohur të shtetit por edhe nga jashtë. Gjithashtu si pjesë mjaft e rëndësishme e këtij festivali do të jetë pjesëmarrja e autorëve të njohur si Isa Qosja, Andamion Murataj, Fadil Hysaj, Llazar Sekullovski ,si dhe shumë autore nga vende te ndryshme. 

Ky festival do të fillojë me shfaqjen e filmit “Falja e gjaqeve”, film ky i cili u kurorëzua me çmimin “Ariu i Argjendte” në Berlinale, me regji të Xhoshua Marston dhe skenar të Andamion Muratajt, i cili rrëfen në dukje një histori të zakonshme gjakmarrjeje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button