“Moçali i Bellçishtës të vendoset në listën e UNESCO-s”

Komisioni Parlamentar për Kulturë në Kuvendin e Maqedonisë, mbylli sot debatin mbikëqyrës mbi temën “Ligji për Menaxhimin me trashëgiminë botërore kulturore dhe natyrore në rajonin e Ohrit në kontekst të rregullores përkatëse të Konventës së UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në debat ishin ftuar kompetentët për të dëgjuar propozimet e tyre mbi këtë temë, të cilat në ditët në vijim do t’i shqyrtojë Komisioni për Kulturë për të miratuar propozim-konkluzat.

Kryetarja e Komisionit, Irena Stefoska, tha se ky debat mbikëqyrës, ka për qëllim të marrë informacione dhe mendime profesionale në lidhje me zbatimin e politikave, ligjeve dhe realizimin e aktiviteteve për menaxhim me Rajonin e Ohrit, me ç’rast nga dëshmitarët do të merren përgjigje dhe mendime profesionale në lidhje me zbatimin e të njëjtave në kontekst të Konventës së UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe transponimin e tyre të plotë në legjislacionin e Maqedonisë.

Për seancën e sotme dëgjimore, ishin ftuar kryeparlamentari, deputetë dhe kryetarë të grupeve parlamentare, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarët e Komisionit Nacional të UNESCO-s për Maqedoni, përfaqësues të Zyrës së NDI-së, OKB-së, OSBE-së, dhe OJQ të ndryshme nga rajoni i Ohrit.

Në seancën dëgjimore, dëshminë e tij e dha kyetari i Komunës së Debarcës, Zoran Nogaqeski, i cili tha se komuna është pjesë e rajonit të Ohrit, dhe si e tillë në zonën e trashëgimisë së mbrojtur.

Ai tha se prania e tij në këtë komision parlamentar për Kulturë, është nga shkaku se kërkon përfshirje akoma më të madhe të territorit të komunës në listën e UNESCO-s për zona të trashëgimisë botërore kulturore, ku përmendi Moçalin e Bellçishtës.

“Bëhet fjalë për një sipërfaqe ujore, më saktësisht sipërfaqen më të madhe moçalore në Maqedoni e cila është e ruajtur në formën e saj origjinale, prandaj mendoj se kjo do të duhet të jetë pjesë e mbrojtur. Jam i vetëdijshëm se ka procedura, megjithatë mendoj se të gjitha institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, për t’u rishqyrtuar kufijtë e zonës së mbrojtur, të paktë me Moçalin e Bellçishtës”, tha Nogaqeski i cili më pas dëgjoi pyetjet e komisionit, përgjigjet e të cilave do t’i dorëzojë në formë të shkruar, sipas procedurës së Komisionit.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Ambient Jetësor, Fejzulla Spahia në dëshminë e tij tha se institucioni i tij kryen inspektime të rregullta nga fusha e mbrojtjes së ambientit jetësor, por u ankua në numrin e vogël të inspektorëve të cilët tha se nuk mund të mbulojnë tërë rajonin e mbrojtur në Maqedoni.

Ndërkohë Boris Tunxhev, drejtor i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, nga ana e tij tha se në nenin 8 nga ligji për Menaxhim me Trashëgimi Kulturore dhe Natyrore Botërore të rajonit të Ohrit, janë caktuar kufijtë e zonave të mbrojtura, dhe tashmë institucioni i tij i ka në dispozicion dhe të njëjtat janë publikuar në formë elektronike dhe u janë dorëzuar organeve kompetente.

Organizatat joqeveritare propozimet e tyre i kishin kryesisht në çështjet ambientaliste, uljen e trafikut automobilistik në zonat e mbrojtura, ndërtimin e korsive për biçikleta, ndërsa u ankuan për ndërtimet e kafiterive buzë liqenit.

Ana Leshoska nga “Ekosvest”, tha se ata kanë bërë një studim fizibiliteti për uljen e trafikut të stërngarkuar automobilistik në Parkun Kombëtar të Galiçicës.

Ajo tha se në studimin e fizibilitetit “Smart Ohrid”, kanë punuar 11 ekspertë nga Maqedonia dhe jashtë.

Sipas saj, për dallim nga propozimi për një rrugë të re që çon te parku, ata propozojnë masa të cilat do të ulin nevojën për lëvizje me automjete.

“Me planin tonë, problemet me trafikun në Ohër mund të zgjidhen ndërsa parku kombëtar Galiçica mund të zhvillohet me forma me dioksid karbon të ulët me 5 pjesë. Vendosjen e taksës sezonale për automjetet gjatë sezonit veror, me përjashtim të banorëve lokalë, vendosjen e një qendre transporti multi-model në dalje të Ohrit, ku do të lënë automjetet dhe do të udhëtojnë me alternativa tjera, autobus, biçikletë, anije, shtimin e numrit të autobusëve, mundësisht hibride dhe ndërtimin e një korsie për biçikleta në relacionin Ohër-Shën Naum”, tha ajo.

Më herët në debatin publik me dëshmi të tyre morën pjesë: Robert Allagjozovski, ish-ministër i Kulturës; Sadulla Duraku, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor; Goran Sugarevski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve; Jovan Stojanoski, kryetar i Komunës së Ohrit; Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës; Zijadin Sela, ish-kryetar i Komunës së Strugës; prof. dr. Donka Barxhieva, eksperte në trashëgiminë për mbrojtje kulturore dhe anëtare e Komisionit për Menaxhim me Rajonin e Ohrit dhe Aleksandra Bujaroska nga OJQ-ja “Front 21/42”.

Komisioni për Kulturë do t’i shqyrtojë informacionet, mendimet dhe dokumentet e marra dhe në bazë të tyre do të sjellë konkluzione, për të cilat pritet të veprojnë institucionet kompetente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button