Tani gjithçka varet nga ne

E gjithë filozofia e deritanishme e udheheqjes së shtetit, veçanërisht në kohën e qeverisjes se Gruevskit qëndronte në pohimin se çkado që të bëjë Maqedonia, çfarëdo reformash që të implementojë, edhe sikur ta ketë gjyqësinë më perfekte ne botë dhe administratën publike më efikase, ne nuk do të integrohemi në UE dhe në NATO deri sa nuk e ndryshojmë emrin. Ky ishte arsyetimi i tij kryesor për ta bërë shtetin të funksionojë sipas kapriceve të tij dhe për t’u involvuar në aktivitete që përfundimisht u karakterizuan pikërisht nga Raporti i Progresit i KE si shtet i kapur. Pra ideja ishte kjo: pasi që nëse nuk e ndryshojmë emrin reformat janë të pavlefshme, atëherë le ta kidnapojmë shtetin dhe le ti bëjmë institucionet të punojnë për partinë dhe jo për qytetarët. Me kalimin e kohës u krijua atmosfera dhe përshtypja se zgjidhja e kontestit të emrit është thjeshtë e pamundur. Po ta shikojmë hollësisht, gjatë gjithë periudhës së vetë të qeverisjes, Gruevski në fakt nuk u involvua sinqerisht në zgjidhjen e këtij kontesti, sepse zgjidhja e tij nuk i konvenonte. Procesi i integrimit në strukturat euro-atlantike është diametralisht i kundërt me mënyrën si Gruevski e paramendonte funksionimin e shtetit, prandaj angazhimin tij në zgjidhjen e kontestit ishte formalisht pro zgjidhjes ndërsa realisht ai punonte kundër zgjidhjes.

Marrëveshja e nënshkruar mes Greqisë dhe Maqedonisë me të cilën u vendos përfundimisht zgjidhja e kontestit të emrit tregoi që me një punë të përkushtuar dhe me vendosmëri të sinqertë për të gjetur zgjidhje, gjërat që dikush mundohej në të kaluarën t’i prezantojë si të pamundura, në fakt mund të realizohen. Prandaj edhe e kuptoj mllefin e protestuesve dhe kundërshtarëve të kësaj Marrëveshje të cilëve thjeshtë nuk u vjen mirë, bile edhe nuk mund ta besojnë, qe burimi i nacional-shovinizmit të tyre që ata e kujtonin për të pashtershëm në fakt ka filluar të shteret. Ata thjeshtë nuk mund të besojnë që ky problem përfundimisht filloi të zgjidhet dhe ka gjasa reale që deri në fund të vitit të zgjidhet tërësisht.

Dhe tani, problemin kryesor të gjithë e shohin që edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Maqedonia nuk fitoi datë konkrete për hapjen e negociatave për aderim ne UE – fitoi mundësinë që hapja e negociatave të ndodhë në Qershor 2019 nëse i plotësojmë kushtet e caktuara: të implementojmë Marrëveshjen, të realizojmë reformat, të pranojmë raport pozitiv progresi nga UE. Poashtu, Stoltenberg transmetoi qartazi që ftesa për NATO do të merret në momentin kur Referendumi lidhur me ndryshimin e emrit do të dalë pozitiv.

Ky ne fakt nuk duhet parë si problem, përkundrazi, duhet të shfrytëzohet si moment me rëndësi. Nuk ka provë më të fuqishme që tregon se sa manipulues ka qenë Gruevski në kohën kur pohonte se çkado që të bëjë Maqedonia, nuk do të integrohet në këto struktura deri sa të mos e ndryshojë emrin. Ja ku është prova se kjo gjë nuk është aspak e saktë. Evropa na tha qartazi që pa u reformuar nuk mund të hapim negociata me ta, edhe pse kemi pranuar te ndryshojmë emrin. Zgjidhja e kontestit të emrit ishte parakushti që të mund bile të mendojmë se kemi shanse të hapim negociata. A do i hapim ato do të varet tërësisht prej nesh se sa sinqerisht do të involvohemi në procesin e reformave.

Pres që Qeveria e tashme intenzitetin, sinqeritetin dhe përkushtimin e treguar në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit tani ta tregojë edhe në procesin e reformave të sugjeruara nga UE. Në këtë drejtim, tani më nuk mund te thirremi në “armiqësinë” e grekëve ndaj nesh dhe në bllokimin eventual të tyre. Tani nëse do kemi bllokim të këtij procesi bllokues to të jemi vet ne si qytetarë që shumë mirë e dine rëndësinë e reformave për të pasur dinjitetin e duhur për të menduar se mund të implementojmë vlera evropiane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button