Elhamdulilah: bukë, kripë e futboll

M. Nano dhe “provokatori” O. Jazexhi në edicionin më të ri të Provokacija-s sërish provokuese, emisionin e përmbyllën me “Ejvallah” që jam shqiptar, i pari, dhe tjetri me “Shyqyr Allahut” (Falë Zotit). Ndërsa këtyre ditëve të spektaklit të madh të kapitalizmit estetik, “Russia 2018”, kampionit botëror në futboll, kur të gjithë “jemi të pasionuar dhe “të preokupuar marrëzisht” me fubollin, me “këtë gjë më të rëndësishme terciare në këtë botë” (apo të qarqeve financiare), ndodhi twitteri i Shaqirit.

Pasi shqiptarët zviceranë goditën kombëtaren serbe në futboll dhe dy aktorët, Xhaka e Shaqiri ngritën në këmbë çdo skyptar, gjithandej, nga trojet etnike deri në diasporë, të madh e të vogël, besimtar, ateist e laik, katunar e shehërli, madje edhe përtej, shpërtheu debati rreth elhamdulilah-ut. Në fakt, elhamdu lil-lah, dhe jo elhamdulillah, dhe në asnjë mënyrë elhamdurilah. Kuptimi i kësaj sintagme të përfolur këtyre ditëve është falënderimi, lëvdatat janë për Zotin, që është një term i homo religiousus-it islamik, i terminologjisë fetare të myslimanëve anekënd botës, pa marrë parasysh gjeografinë dhe etnicitetin, pra është një term universal me konotacion religjioz, me të shenjtën dhe shenjtërinë. Siç dihet secili njeri është një qenie shpirtërore, e pranon ose jo këtë fakt.

Edhe Shaqiri, edhe gazetari shqiptaro-zviceran, që besoj se si një shkollar e di se fjalët e para të librit të shenjtë islamik, Kur’anit janë pikërisht këto. Dhe tani, shtrohet pyetja pse disa njerëz nuk mund ta kapërdijnë fetarinë e një fubollisti shqiptar, pse pretendojnë se kjo do t’i dëmtuaka shqiptarët dhe vetë atë personalisht, do na e prishka imazhin si entitet? Një mendjelehtësi se ç’ke me të. Sikur bota është naive për faktet kuantitative lidhur me shqiptarët. A shohin këta njerëz futboll dhe sport në përgjithësi a jo?

Nuk i vërejnë aktet e kryqit, ngritjen e duarve dhe të gishtit tregues kah qielli, lutjet e bëra para së të nisë ndeshja, pas çdo goli, pas çdo suksesi? Dora e Maradonës që shënoi në vitin 1986 të shpallet hyjnore pa problem, t-shirti i Kakas “I belong to Jesus”, kryqi i Zvone Bobanit dhe Mitroviqit të gjitha të jenë OK, laike, ndërsa duart kah qielli të Xhakës dhe “Lavdi Zotit” e Shaqirit të shpallen fetaro-mesjetare? Ec e bjeri në të kësaj pune. Tendenciozitet i paparë.

Kur boksieri amerikan Joe Louis (1914-1981) u nda nga shtëpia e vet për të bërë karrierën e tij legjendare të boksit, nëna e tij i pati dhuruar një Bibël, të cilën vetë ka pohuar se e kishte bërë zakon ta konsumonte çdo natë. Në vitin 1976 Frank Deford në Sports Illustrated duke ndërlidhur religjionin me sportin, i frymëzuar nga termi Christianity pati shpikur një denominacion i ri: “Sportianity” apo feja e sportit. Pra spotri po shndërrohet një religjion i ri, një fe në vete, një fe shekullare që po i sfidon fetë konvencionale, në një opium për turmat. Maratonsiti olimpik Ryan Hall, një kristian evangjelik pati deklaruar se besonte se Bibla është libri më i mirë i psikologjisë dhe se Jezusi do të ishte një atlet mbresëlënës.

Beckham në shpinën e vet bart tatootë e një “engjulli”, kryqin dhe ikona, Ezequiel Lavezzi, pistoletën dhe kryqin, Wilshere ka tatuazhe katolike. (footballfancast.com) Në prill të vitit 2011, tenistit Gjokoviq, Kisha Ortodokse Serbe i pati dhënë çmimin e nderit më të lartë për “dashuri aktiv ndaj Kishës Mëmë”. Tenistja rumune Simona Halep, që pozicionhet e para në rang-listën e ATP-së, singëll dhe në dyshe, ka deklaruar se feja është gjë shumë e çmuar në jetën e saj dhe se beson mban ,e vete në ca ikona. Pra feja depërton në çdo cep të jetës dhe s’mund të ekskomunikohet nga arenat sportive. Në këtë drejtim janë të pabaza edhe kërkesat si ajo e Muhamed el-Arifit nga King Saud University drejtuar FIFA-s për ndalim të të bërit kryq nëpër ndeshje. Edhe myslimanët, edhe jomyslimanët kanë të drejtën e tyre të besimit.

Dhe t’i kthehemi rastit “Shaqiri Zotfalënderues”. Pse ngatërroi fenë me futbollin? Sepse është besimtar. Sikur të postonte fjalët “Thanks God!”, “Deo Gratias”, “Dieu merci”, “Gott sei Dank!” a do të shpallej fanatik? Mos vallë ka mundësi që njeriu të ndahet në dysh, t’i hedh mënjanë emocionet fetare prej atyre tjerave, mos ka mundësi thua që njeriu të tjetërsohet apo të shndërrohet në një robot sportiv, në qenie të ngurtë edhe kur jep gola dhe është në trans? Pse s’guxon të “telefonojë”  me të dashurit e vet apo me më të Dashurin?

Çfarë mëkati apo gjynafi bëjnë gjithë këta që i përmendëm më sipër përmes përshpirtmërisë së vet? Pse askush nuk reagon ndaj trupave të pikturuar herë-herë tërësisht, që kemi probleme si t’ua shpjegojmë fëmijëve tanë me terma të kuptueshëm dhe të arsyeshëm për ta? Pse jeta intime dhe seksizimi i sportistëve është i natyrshëm, ndërsa namazi i tyre janë të paakceptueshëm? Pse marrëdhëniet e Ronaldos brazilian me prostituta transvestite nuk mediatizohen? Mos vallë duhet  marrë si shembull Gascoigne-in alkoolik ekstrem të paudhë, ose narko-Maradonën që bën si mutaf në ndeshjet e Argjentinës me sy të përdalë e me shenjime banale gishtërinjsh?

Kur njeriu nuk mendon drejt, e shet kokën e vet apo kur e jep me qera, kur dogmatizohet fetarisht dhe shekullarisht gjithçka i pengon, dhe nuk zgjedh mjete si t’i kufizojë të tjerët, si t’ua kufizojë mënyrën e jetesës të tjerëve, si t’i bëjë si vetja ose kultura që ai e konsideron dominante apo superiore. Të jetuarit në Zvicër e perëndim nuk e bën per se njeriun më të hollë, as ia jep të drejtën t’i gjykojë të tjerët dhe terminologjinë e shfrytëzuar.

Postimet në FB e twitter fshihen, por gjurmët mbeten në brendësinë e ndjekësve dhe miqve. Me çka lahet sedërlëndimi? Elhamdulilah, bukë kemi, edhe kafe, espreso, (O)LED televizorë, çipsa e lëngje frutash, madje edhe më tepër. Edhe suksese shqiptare. Paranoikëve: Vetëm hiqeni hundën e mos na e zini diellin. Aq kërkojnë shqiptarët, jo më tepër, nga ju mbrojtës të vetëautorizuar të kauzës sonë, që s’mund të argumentoni se e doni më shumë shqiptarinë se një sportist besimtar. Mos e perceptoni fenë me paragjykimet e ndërtuara në intelektualizëm të përciptë. Mos e interpretoni fenë me kujtimet nga vegjëlia, të deformuara brenda kohës. Përveshuni dhe mësoni vetë për veten tuaj individuale dhe kolektive, edhe nëse nuk e jetoni – që është e drejtë juaja – së paku të keni informacione që të mos irritoni dhe të mos atakoheni nëpër rrjete sociale dhe më gjerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button