Sa vende e kanë njohur Kosovën?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën është për dy numra më i vogël seç prezantohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Për administratën e SHBA-së, Kosova është njohur nga 89 shtete, e jo nga 91 sosh. Janë “njohjet” nga Uganda dhe Nigeria, të cilat janë proklamuar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e që kontestohen nga shteti më i madh lobues për Kosovën.

“SHBA-ja është në dijeni se 89 shtete e kanë njohur Kosovën. Ka pasur pohime se Uganda dhe Nigeria e kanë njohur Kosovën. Letra që ne e kemi parë të dërguar nga kryetari i Ugandës, Museveni, zëvendëskryeministrit Pacolli, nuk përbën njohje. SHBA-ja nuk ka parë notë diplomatike nga Qeveria e Nigerisë që do të tregonte se e ka njohur Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për “Koha Ditore”, kur është pyetur se cili numër i njohjeve të shtetit të Kosovës është real për SHBA-në, 89-shi apo 91-shi.

Shkas për të kërkuar një shpjegim të tillë nga kjo ambasadë është marrë një deklaratë që sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e ka bërë një ditë më herët në hapje të konferencës dyjavore “Gratë në Institutin e Shërbimit Publik”, që po mbahet në kolegjin “Wellesley” në Boston.

Siç ka raportuar RTK-ja, aty, “Clinton ka shfaqur bindjen dhe shpresën se do të rritet edhe më tej shifra prej 89 vendeve që deri tash e kanë njohur Kosovën”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, nuk ka parapëlqyer të lëshohet në komentime të zyrtarëve të lartë amerikanë, por ka këmbëngulur se numri i njohjeve të shtetit të Kosovës është edhe më i lartë se 91. Bile ka thënë se janë 105 shtete që e kanë njohur subjektivitetin shtetëror të këtij vendi.

“Janë 105 shtete që e kanë dhënë votën për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dhe vota për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar lirisht mund të konsiderohet edhe si njohje e shtetit”, ka deklaruar Selimi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button