FUTBOLLI

Botërori i futbollit i tejkalon përmasat e një gare sportive. Aty përzihen ndjenjat prej tifozi me ato prej patrioti. Kjo është normale, për sa kohë jemi në dimensionet e sportit.

Politika ka ditur ta përdor sportin për riorganizimin e një shoqërie në depresion, po edhe e ka keqpërdorur, madje për të dëshmuar njëfarë superioriteti racor.

Sporti është dimension i rëndësishëm në jetën sociale, por është vetëm një dimension dhe jo gjithçka.

Sot futbolli është edhe biznes. Madje më shumë mendohet për para se sa për futboll.

Sporti është adhuruar edhe nga artistët e filozofët. Ata e kanë krahasuar sportin me artin, me leximin, me teatrin, me spektaklin, me epshin, por ka që e kanë quajtur marrëzi.

Poetët e antikitetit grek shkruanin himne për fituesit e lojërave olimpike. Garuesit respektoheshin nga qytetarët, pushtetarët, mendimtarët. “Hedhësi i diskut” është ndër skulpturat më të bukura të botës antike.

Romakët e njihnin një lojë me top, por adhuronin vrapimin me kuaj dhe betejat e gladiatorëve. Kishte poetë që i përçmonin këto lojëra, sepse i shihnin si argëtim për popullin dhe largim nga përditshmëria e zymtë. Prandaj edhe thënia: “Bukë e lojëra”.

Albert Kamy u quajt “portieri i ekzistencializmit”, sepse e mbronte portën e një ekipi universitar në Algjeri. Ai e krahasonte futbollin me leximin. Ashtu sikurse topi nuk shkon atje ku dëshirojmë, po ashtu edhe leximi shpesh na çon drejt të panjohurës.

Filozofi tjetër ekzistencialist, Zhan Pol Sartri, e quante futbollin “metaforë e jetës”. Në futboll, sipas tij, gjithçka komplikohet me praninë e ekipit tjetër.

Sipas Pjer Pazolinit futbolli ishte spektakli që e kishte zëvendësuar teatrin. Në antikitet mijëra spektatorë e shikonin një shfaqje teatrore, kurse në kohërat moderne mijëra spektatorë shohin futboll. Edhe Brehti e krahasonte futbollin me teatrin. Sipas tij teatri ngjante me futbollin, sepse, në të dy rastet, konflikti mbetej i hapur.

Shkrimtari brazilian, Paulo Koelho, e krahason futbollin me aktin epshor. “Nuk them se është ndjesi më e mirë, por është ndjesi që zgjat më shumë”.

Ka shkrimtarë që e kanë urryer futbollin. Borhesi e quante marrëzi, prandaj, sipas tij, ishte shumë i popullarizuar. “Futbolli është i mërzitshëm. Ka shumë barazime dhe kinse lëndime. Futbolli është krimi më i madh që ka bërë Anglia”. Borhesi e urrente futbollin, sepse mendonte që kishte lidhje me nacionalizmin, veçanërisht kur luanin kombëtaret. Në një tregim ai shkruan se futbolli në Argjentinë kishte përfunduar së qeni sport dhe ishte bërë spektakël. “Sportet nuk ekzistojnë më jashtë zyrave të xhirimit dhe të gazetarëve”.

Shpesh futbollistët, me opinionet e tyre, dëshmojnë se nuk janë vetëm atletë që vrapojnë nëpër fushë për të na argëtuar. “Para çdo gjuajtje të topit doemos duhet të kesh një mendim”. Autori i kësaj thënie është futbollisti Denis Bergkamp.

Futbolli është lojë që na mëson edhe si të sillemi në shoqëri. Për të arritur deri te suksesi duhet disiplinë, rregull, këmbëngulje, sakrificë, duhet lojë e përbashkët. Nuk fiton skuadra me një lojtar apo trajner gjenial. Fiton skuadra që di të luajë bashkërisht. Lojtari i futbollit amerikan, Uincent Lombardi, thoshte se ata që luajnë bashkërisht e mposhtin çdo mbrojtje komplekse. Ata që luajnë bashkërisht i mposhtin edhe problemet më të mëdha në shoqëritë moderne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button