OKB e shqetësuar për jetën e 750 mijë civilëve në Dera

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se jeta e 750 mijë personave në qytetin Dera në jugperëndim të Sirisë, ku regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij po kryejnë sulme gjatë një jave, është në rrezik, raporton Anadolu Agency (AA).

Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një konferencë për media nga Zyra e OKB-së në Gjenevë tha se “Kemi mësuar se të paktën 45 mijë persona janë detyruar të zhvendosen nga vendet e tyre, shumica prej tyre nga lindja e qytetit Dera dhe nga rajonet në afërsi të kufirit me Jordaninë.”

Zëdhënësi Laerke nënvizoi se personat e zhvendosur kanë nevojë për strehim dhe ndihmë emergjente humanitare.

Duke u shprehur se ndjejnë një shqetësim të thellë për rritjen e incidenteve të dhunës në Dera, Laerke tha se sulmet e kryera në këtë rajon kanë vënë në rrezik jetën e 750 mijë personave.

Laerke shtoi se po vazhdojnë sulmet nga ajri dhe toka dhe se po marrin lajme se në rajon ka të vdekur e të plagosur, në mesin e të cilëve ndodhen edhe fëmijët.

Në anën tjetër zëdhënësja e Programit Botëror për Ushqim të OKB-së, Bettina Luescher, tha se numri i personave të zhvendosur mund të rritet në dyfish për një kohë të shkurtër.

Regjimi i Asadit në Siri dhe mbështetësit e tij, përgjatë një jave po kryejnë sulme të dhunshme ndaj qytetit Dera në jugperëndim të vendit. Në sulmet e djeshme kanë humbur jetën 18 civilë.

– 750 mijë civilë jetojnë në panik

E shpallur zonë e deeskalimit në maj të vitit të kaluar në kuadër të bisedimeve në Astana, Dera vetëm dy muaj më pas ishte larguar nga ky status dhe ishte shpallur zonë e sigurtë përmes një marrëveshjeje të arritur nga qeveria amerikane dhe ajo ruse.

Menjëherë pas marrëveshjes me Rusinë, SHBA dhe Britania kishin ndërprerë ndihmat që ofronin për opozitarët në linjën kufitare në bashkëpunim me ushtrinë jordaneze.

Edhe përkundër paralajmërimeve të SHBA-së, regjimi dhe mbështetësi i tij Irani filluan operacionin në Dera më 20 qershor për ta marrë nën kontroll edhe jugun pas arritjeve në pjesën qendrore, megjithëse nuk kanë arritur avancim.

Afër 750 mijë civilë që jetojnë në Dera nisën një valë migrimi nga qyteti për shkak të sulmeve të dhunshme dhe frikës se rajoni mund të kalojë nën kontrollin e regjimit dhe mbështetësve të tij.

Rajoni është përfshirë nga një krizë humanitare pasi civilët janë të privuar nga ushqimet dhe mundësitë e strehimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button