Rasti “Monstra”, dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim

Në Gjykatë Themelore Shkupi 1, sot ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin “Monstra” në të cilën janë dëgjuar dëshmitarët Ahmet Bekir dhe Sasho Llazarevski, por dhe është shikuar deklarata e 7 majit të vitit 2012 e të akuzuarit Haki Aziri, të cilën më pas i njëjti e ka demantuar me arsyetimin se e ka dhënë nën trysni, raporton Portalb.mk.

Dëshmitari i cili gjatë seancës së kaluar iu përkeqësua gjendja shëndetësore gjatë dëshmisë, Ahmet Bekir, sot në seancë, për dallim prej herës së kaluar, tha se në natën e 12 prillit, pasi kanë ardhur prej Liqenit të Smillkovës, ku dhe i kanë parë trupat e vdekur të katër djelmoshave, në shtëpinë e tij ka ardhur një polic i nacionalitetit rom që ka punuar në njësitin “Alfa” dhe i ka thënë që të bëhet gati për të shkuar në stacionin policor.

“Atë natë, derisa ktheheshim nga Liqeni i Smillkovës ku kishim shkuar për peshkim, ashtu siç kam deklaruar më parë, na doli një person me automatik dhe na tha “Stop policia, kthuni mbrapa se do të ju vras” dhe na shau. Ne u kthyem te liqeni ku kemi peshkuar, dhe menjëherë njëri prej shokëve që ishte bashkë me ne iu lajmërua djalit tim Elvisit që të vijë të na marrë pasi u frikësuam shumë, duke shkuar për në shtëpi ne i pamë 4 trupat e pajetë të djelmoshave, por nga grika kemi ikur shpejtë. Pasi kemi shkuar në shtëpi, ka ardhur polici Vaxhid i cili jeton në Shutkë dhe më tha të bëhem gati sepse do të shkojmë në polici, por nuk më tregoi se për çfarë. Vaxhidin nuk e kam njohur më parë, por edhe pas asaj nate nuk kam pasur kontakt me të. Pastaj erdhën te unë edhe Bajrami dhe Kemali dhe bashkë shkuam në polici me Vaxhidin. Ai na tha se unë ju kam marrë dhe unë do të ju kthej në shtëpi”, tha Bekir.

Ndonëse në seancën paraprake dëshmuan edhe dy shokët e Bekir, Bajram Memedov dhe Kemal Nesim, të cilët kanë qenë bashkë në Liqenin e Smillkovës, por edhe megjithatë të njëjtit nuk treguan se polici siç e quan dëshmitari Vaxhid, ka qenë tek ata.

Pasi në seancën paraprake dëshmitarit Bekir iu përkeqësua gjendja shëndetësore, sot ai i është ankuar prokurores Fatime Fetait që të ketë kujdes gjatë parashtrimit të pyetjeve. Ai në një moment e pyeti Fetain, çka do të bëhet nëse gjatë seancës së kaluar më ndodhte mua diçka. Fetai iu përgjigj se i vjen keq për atë çfarë ka ndodhur dhe shpreson që tani të jetë mirë me shëndet.

Bekir gjatë dëshmisë kishte disa kontradikta në lidhje me ngjarjet që i rrëfente dhe për këtë, prokuroria disa herë ka reaguar duke ia riparashtruar pyetjet dhe duke e rikujtuar në atë se çfarë ka thënë më herët.

Rasti "Monstra"

Sot gjithashtu dëshmoi edhe dëshmitari Sasho Lazarevski, fqinji i Filip Sllavkovskit, njëri nga të vrarit nga pesë viktimat në Liqenin e Smillkovës .

Dy orë para se djelmoshat të vriten ai ka qenë në liqen dhe pastaj ka shkuar në shtëpi, transmeton Portalb.mk.

“Kam shkuar për peshkim në orën 10 e 30 dhe kam ndenjur deri në orën 17 e 30. Kam qenë në barkë në liqen dhe kur kam dalë nuk ku ishte asnjë peshkatar jashtë. E kam parë veturën e Filipit, por ai dhe shokët e tij nuk ishin. Kur u ktheva kam rënë herët në gjumë, ndërsa fëmijët më kanë zgjuar në orën dy pasmesnate.  Ata më thanë se në Facebook kanë lexuar se i kanë vrarë pesë djem te Liqeni i Smillkovës”, theksoi dëshmitari Lazarevski.

Ai në mëngjes duke e dërguar bashkëshorten në punë, në rrugë e ka parë babin e Filipit.

“E pash se ai nuk dinte asgjë. Nuk i kam treguar direkt, por e pyeta se a është kthyer Filipi në shtëpi. Ai tha se nuk është kthyer”, kështu tregon ngjarjen Llazarevski.

Ditën e vrasjes ai tha se nuk ka vërejt diçka të jashtëzakonshme, sepse ka qenë i koncentruar në punë. Ai tha se deri sa ka qenë në liqen, kanë hyrë dy peshkatarë në barkë, të cilët kishin ardhur me veturë xhip, por shpejt pastaj ishin larguar. Ai theksoi se atë veturë e kishte parë për herë të parë.

Në pyetjen e prokurores Fatime Fetai se a mund ta njoh veturën nëse e sheh në fotografi, ai tha jo.

Sot në Gjykatë gjithashtu është lëshuar edhe video-incizim i dëshmisë së Haki Azirit, të dhënë më 7 maj të vitit 2012, të cilën pastaj në janar të vitit 2013 e ka mohuar me arsyetimin se të njëjtën e ka dhënë me trysni.

Gjatë dëshmisë së 7 majit të 2012-s, Aziri, para gjykatësit hetues ka hequr dorë nga cilësia e dëshmitarit të mbrojtur, dhe njëkohësisht e ka pranuar veprën me të cilin e ka ngarkuar Prokuroria.

“Kur më arrestuan, inspektorët më kërcënuan se do të më dënojnë me 20 vjet burg ose nuk do të lëshojmë më të gjallë, nëse nuk pranoja se Alil Demiri ka kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Deklaratën që kam dhënë në hetuesi, nuk e kam dhënë me dëshirën time”, ka thënë Haziri në janar të vitit 2013, duke shtuar se ka presione të shumta dhe duke paralajmëruar se mund t’i ndodhin edhe gjëra të padëshiruara gjatë qëndrimit në burg.

Video-incizimi është lëshuar me qëllim që të shihet nëse deklarata e tij është dhënë në trysni dhe nëse shihen shenja të dhunës në fytyrë.

Prokurorja Fatime Fetai tha se qëllimi është arritur, pasi që në incizim, sipas saj, Haki Aziri deklaratën e ka dhënë pa detyrim përpara gjykatësit hetues dhe se nuk duhet që të dëgjohen të gjitha video-t.

Gjykimi do të vazhdojë më 5 dhe 11 korrik, në të cilën do të dëgjohet deklarata e dëshmitarit të mbrojtur, ose i njohur me emrin e koduar E1, përcjellë Portalb.mk.

Ndryshe, Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button