Rama: Sheshi Skëndërbej, faqja e bardhë e Tiranë

Trofeu europian i sheshit“Skënderbej”, si fryt i një vizioni, pasioni dhe pune të mundimshme, mblodhi sot në një takim falenderues të gjithë ata që punuan për ideimin, projektimin dhe realizimin e projektit më transformues të kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama, në një takim të organizuar me rastin e marrjes së çmimit ndërkombëtar për sheshin “Skënderbej” si hapësira më e mirë urbane për vitin 2018 në Europë, dhe ku morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë skuadrën që, për më shumë se 10 vite, besoi dhe punoi për të realizuar projektin që i dha sheshit jo vetëm bukuri nga ana estetike, por edhe e ka kthyer atë në një qendër referuese për qytetin dhe ata që e vizitojnë atë.

“Është legjitime që sot ta kremtojmë këtë trofe të rëndësishëm dhe krejt të veçantë për Tiranën dhe Shqipërinë, së bashku me përfaqësuesit e të gjithë atyre që kontribuan për t’ia dalë kësaj sfide jashtëzakonisht të vështirë.

Koha vuri në vend drejtësinë e vizionit, drejtësinë e idesë, drejtësinë e gjithë projektit të sheshit ‘Skënderbej’, që patjetër është kthyer në faqen e bardhë të kryeqytetit tonë, por u bë edhe faqja e bardhë e Shqipërisë në sytë e të gjithë atyre që e vlerësuan, nga maja e një kompetence të padiskutueshme profesionale dhe që i dhanë këtë çmim unikal, çmimin e hapësirës më të bukur publike të ndërtuar në Europë në vitin 2018”, tha Rama në fjalën e tij.

Ai shtoi se sheshi “Skëndërbej”, nga një arenë betejash politike dhe odiseje të gjatë përplasjesh për rindërtimin e tij, sot është kthyer në një vend tërheqës për të bërë njerëzit bashkë, por edhe një provë besimi për të gjithë ata që kërkojnë të investojnë në Tiranë.

“Dua thjesht të nënvizoj të vërtetën e madhe që një hapësirë si sheshi “Skënderbej” është një magnet i fuqishëm, jo vetëm për të mbledhur njerëzit, njerëz që deri dje nuk kishin mundësi të mblidheshin në një hapësirë publike të të gjithëve.

Sheshi ‘Skënderbej’ jo vetëm sjell këtë, por është edhe një magnet i fuqishëm tërheqës për të gjithë ata që e vizitojnë Tiranën dhe Shqipërinë nga të cilët kushdo që kthehet, kthehet këtu për të shpenzuar dhe kushdo që vjen me idenë për të investuar, rikthehet për të investuar sepse është realisht argument, flet vetë, pa pasur nevojë të shkosh të takosh kryetarin e bashkisë apo anëtarët e qeverisë për të thënë që unë dua të di se çfarë mund të bëj në këtë vend”, shtoi Rama.

Kryeministri dha garancinë se edhe godina e re e Teatrit Kombëtar do të ketë të njëjtin sukses sikurse sheshi “Skënderbej”. “Një skuadër të ngjashme, një skuadër kombëtare me ‘emigrantë’ nga Bashkimi Europian, kemi ngritur edhe për Teatrin e ri Kombëtar. Jam i bindur që edhe projekti i teatrit, siç i takon një projekti transformues që është me të vërtetë thellësisht transformues dhe që nuk mund të kalojë përmes kundërshtive, përmes reagimeve, përmes mallkimeve, përmes përbetimeve, do të jetë në fund një sukses njësoj si ky i sheshit “Skënderbej”, njësoj si ai i stadiumit të ri kombëtar. Patjetër si për sheshin, si për stadiumin, edhe për teatrin, të gjithë ata që e kundërshtojnë sot do të gëzojnë nesër”, u shpreh Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky projekt është rezultat i një pune kolosale e nisur nga Edi Rama në vitin 2008 dhe e përfunduar vetëm një vit përpara, duke e transformuar këtë zonë në hapësirën publike më të bukur në Europë.

“Para pak ditësh ishim në Barcelonë për të marrë këtë çmim, i cili është një çmim që në fakt nuk jepet vetëm nga organizata pritëse, Qendra Kulturore Bashkëkohore e Barcelonës, por nga 6 institucionet kryesore të arkitekturës edhe të urbanistikës në Europë; nga Fondacioni i Arkitekturës, Muzeu i Arkitekturës dhe Design, Muzeu i Arkitekturës Gjermane, nga Qendra e Arkitekturës në Vjenë dhe nga Muzeu i Arkitekturës në Finlandë.

Ky rezultat dhe kjo arritje e nisur nga Edi Rama në vitin 2008 dhe e përfunduar vetëm një vit më përpara është zyrtarisht hapësira publike më e bukur në Europë”, tha ai.

Kryebashkiaku theksoi se pas sheshit “Skënderbej” dhe Pazarit të ri, Tirana do të ketë një tjetër xhevahir dhe do të jetë Teatri i ri Kombëtar.

“Mezi pres që në diskutimin e nesërm, të ulur gju më gju me arkitektët, me artistë, të arrijmë në një konsensus që t’i hapim rrugë të paktën një negociate ku të fillojmë të flasim dhe të gjykojmë se si, në pamundësi që shteti ynë modest të paguajë shuma që nuk i përballon dot, ashtu si kjo mrekullia që po prodhohet sot e stadiumit kombëtar, të kemi një tjetër xhevahir në qytetin e Tiranës që quhet Teatri i ri Kombëtar.

Jam i bindur se do të triumfojë arsyeja mbi nostalgjinë dhe do të gjejmë mënyra origjinale se si dhe nostalgjinë ta përfshijmë në teatrin e ri, për t’u siguruar shqiptarëve të 100 viteve të ardhshme një teatër të ri dhe modern në zemër të qytetit, aty ku bëhet art, kulturë dhe në brinjë të sheshit Skënderbej, aty ku gëlon jeta e qytetit tonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se është diskutuar gjatë më lidhje me çështjen e teatrit, ku sikurse edhe arkitekti i njohur në gjithë botën, Bjarke Ingels vlerëson, është i pamundur rikonstruktimi i një godine që nuk ka qenë ndërtuar për teatër.

“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë me arkitektin Bjarke Ingels dhe besoj dje shqiptarët patën një shans të shikonin të gjithë argumentet pse edhe gjeometrikisht, për atë që ka nevojë teatri, për xhepat anësore, për nënskenën, për mbiskenën, për kushtet, për higjienë, për mbrojtjen nga zjarri, nuk mund të rikonstruktojmë diçka që nuk ishte bërë origjinalisht si një teatër”, tha ai.

Teksa falenderoi artistët dhe aktorët për diskutimet rreth teatrit, Veliaj shprehu bindjen se në përfundim të projektit për teatrin e ri, Tirana do të marrë një tjetër çmim për teatrin më të bukur në Bashkimin Europian.

Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpërndanë certifikata mirënjohjeje për disa nga punonjësit që kanë kontribuar në realizimin e projektit të Sheshit Skëndërbej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button