Manifestimi “Pena ime”, nën tingujt e jashtëzakonshëm të muzikës klasike

Një freski të re muzikore me tinguj të jashtëzakonshëm të muzikës klasike, sollën para publikut kumanovar, artistët e rinj nga vende të ndryshme të Maqedonisë, në kuadër të natës së tretë të manifestimit interdisiplinar “Pena ime”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.

Emra të njohur të muzikologjisë shqiptare, si Sihana Badivuku, Blerim Grubi e Besjana Mehmeti, në cilësinë e jurisë profesionale, çmuan lartë performimin e artistëve të rinj, të cilët gjithnjë e më tepër po ngjiten lartë shkallëve të muzikës.

Në këtë edicion të parë të festivalit “Pena ime”, Syhana Reçi nga Struga, u shpall fituese e “Penës  së artë për muzikë”, me veprën e Shumanit “Adagio & Allegro” op.70, ekzekutuar me violë. Me vendin e dytë u nderua artisti kumanovar Ismet Vejseli, i cili me zërin e tij të jashtëzakonshëm, interpretoi dy vepra klasike në solo-këndim (kanto). Kurse, vendi i tretë i takoi flautistes nga Tetova, Teuta Emini, me një ekzekutim po ashtu mjaft mbresëlënës. Artistët e rinj me piano i përcolli mjeshtri Shkëlzen Baftiari, kurse u prezantuan shkëlqyeshëm nga përgjegjësja e sferës së muzikës së këtij festivali, Funda Ali, e cila ishte edhe në cilësinë e moderatores.

Këtë koncert me karakter garues, e nderoi me pjesëmarrjen e tij, edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili para muzicientëve të rinj solli edhe lajmin e mirë, për mundësinë që e ofron MASH-i në subvencionimin të tyre në blerjen e instrumenteve muzikore.

Drejtori i manifestimit, Fatos Rushiti, theksoi se përmes këtij aktiviteti, synojmë të instalojmë vlera të reja në këtë mjedis, dhe tendencat janë që vitin e ardhshëm, ky manifestim të merr përmasa ndërkombëtare.

Në përmbyllje të gjithë aktivitetit treditor, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, Sevdail Demiri, u shpreh i kënaqur nga realizimi i projektit, i cili kishte nxitur talentet e reja që të shfaqin afinitetet e tyre artistike në tri fusha specifike, siç janë arti figurativ, arti letrar dhe arti muzikor.

Prandaj, theksoi nevojën që ky aktivitet të instalohet si manifestim i përvitshëm tradicional, përmes të cilit njerëzit do të mendojnë më shumë për Kumanovën e artit dhe kulturës, se sa për epitete të zeza që objektivisht nuk i takojnë fare.

Ndryshe, manifestimi “Pena ime”, filloi më 20 qershor 2018, me ekspozitën kolektive artistike në Galerinë e Arteve në Kumanovë, dhe vazhdoi në netët vijuese me festivalin e poezisë, dhe me atë të muzikës klasike. Përpos karakterit garues, ky manifestim më tepër kishte për qëllim që të afrojë mes vete artistët e rinj dhe të nxisë përsosjen e tyre artistike në fusha të caktuara, duke ndërthur mes vete më shumë sfera.

Manifestimi “Pena ime”, është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button