MPJ: Liberia rikonfirmon njohjen e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës njofton se Republika e Liberisë mbetet e përkushtuar tek deklarata e përbashkët mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe se nuk ka revokim të marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga MPJ thuhet se “Qeveria e Republikës së Liberisë nëpërmjet një deklarate zyrtare për media ‘ka hedhur poshtë raportet në disa media ndërkombëtare dhe sociale për revokimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës'”.

MPJ e Kosovës njofton se në deklaratën për media të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Liberisë thuhet se “Liberia ishte njëra nga vendet e para, që njohu sovranitetin e Kosovës më 30 maj 2008, pas shpalljes së deklaratës së pavarësisë dhe mbetet e përkushtuar tek deklarata e përbashkët mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Të dy vendet vazhdojnë të gëzojnë besim të ndërsjellë dhe miqësi”.

Sipas MPJ-së së Kosovës “Kjo deklaratë është një dëshmi bindëse kundër lajmeve të rreme dhe propagandës së egër dhe të vrazhdë serbe kundër Kosovës, ashtu siç​ u dëshmua me shtetin e Guinea Bissau, Ganën dhe vende të tjera”.

Kujtojmë se ditë më parë në Beograd ministri i Punëve të Jashtme të Liberisë, Gbehzohngar Milton Findley ka thënë se “Qeveria e Liberisë ka njohur faktin se BE po negocion midis Serbisë dhe Kosovës, dhe ne duhet të pranojmë faktin se, derisa këto negociata nuk do të përfundojnë, Liberia nuk do ta njohë Kosovën si një shtet dhe për këtë arsye ne do të vazhdojmë të ndërtojmë lidhjet tona me Serbinë derisa kjo çështje të zgjidhet”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button