PIKTORI I UNIVERSIT SHQIPTAR

Artistët janë racë specifike, shpesh të pakapshëm edhe nga rrethi më i afërm – tekanjozë e me vese të gjithfarllojshme, të çuditshëm e të mbyllur në botën e tyre unikate. Megjithatë, ata janë të racës së njerëzve pa të cilët popujt do të mbeteshin pa kuota, pa olimpe, pa identitet. Ata janë të pazëvendësueshmit e një shoqërie të qytetëruar. Janë  a r t i s t ë. Të veçantë sa sistemet diellore të universit. Më të mirët janë krijues stilesh, rrugësh, epokash artistike. Të tillët synojnë vijën karakteristike, teknikën e papërsëritshme, unikatësinë e paimitueshme. Këta janë më të rrallë, ndaj, popujt që i kanë janë me fat dhe gëzojnë një privilegj hyjnor.

Ne shqiptarët kemi pasur dhe kemi personalitete të shquara të artit, pavarësisht nga e dhëna se nuk ua dimë vlerën e njëmendtë. Për ekzistencën e të tillëve, zakonisht vetëdijësohemi pas ikjes së tyre fizike, po mirë që ndodh dhe kështu, sepse harresa e gjithmonshme do të ishte edhe më tragjike dhe nuk do t’na lejonte t’i kujtojmë, siç e kujtuam këtyre ditëve me ekspozitën retrospektive piktorit e universit shqiptar – Adem Kastratin, artistin vulë të kohë-hapësirës së tij.

Adem Kastrati e ka merituar këtë kujdes, si artist që theu monotoninë e djerrinës shqiptare të një epoke dhe përmirësoi imazhin e një lejenjoftimi kolektiv. I përkushtuar ndaj pikturës ai nuk hoqi dorë kurrë nga gjurmimi i udhës së tij të veçantë krijuese, nuk pushoi së renduri pas formave e teknikave më të përshtatshme përmes të cilave e shpërfaqi bindshëm dhe bukur fëmijërinë e hershme, folklorin burimor shqiptar, gojëdhënat, baladat, legjendat, mitet e përrallat e vendlindjes. Pëlhurat e tij shpalojnë pamjet që iu ngulitën përsijeta në shpirt dhe që ai i barti gjer në fund të karierës prej piktori të suksesshëm. Kodrinat bleroshe, tufat e dhenve, barinjtë e vegjël, njërëzit që punojnë tokën, peizazhet rurale, idilat baritore, shtëpitë dhe natyra e virgjër e fshatit, nënat e preokupuara me ekzistencën e fëmijëve të shumtë, djepet e përkundur nga dora amnore – si simbol i jetës që vazhdon e nuk ndalet kurrë, nuset dhe vashat që çojnë bukën në arat e mbjellura me grurë, po dhe nuset e vashat e portretuara ashtu si i fali Zoti…, vizatuesit e vegjël, krushqit, dasmat, bisedat përeth sofrës e oxhakut, muhaxhirët e dëbuar dhunshëm nga vatrat shekullore të të parëve, ata që presin vesikat në stacionin e trenit në Shkup për të marë udhën e pakthim të shkterëtirave anadollake… janë elementet që e përbëjnë botën e papërsëritshme të një fëmijërie të largët edhe reale njëkohësisht.

Të këtilla janë motivet e Ademit, të përjetësuara në një kohë kur të qenmit shqiptar ishte mëkat i llojit të vet. Po ai, si për inat, insistonte në shpërfaqjen e botës dhe shpirtit shqiptar, duke bartur në pëlhurë imazhe të pakapërcyeshme, duke i mikluar ato si fëmijën, duke ua veshur rrobat më të çuditshme dhe duke sfiduar me to sistemin famëkeq albanofob.

Te veçantën e pikturave të Ademit e bën teknika e pikturimit me ngjyrërat e dheut të vendlindjes, të përdorura në mënyrë autentike. Pikërisht me këto gjyra jo ekspanzive, të tërhjekura e disi të shuara në vetvete ai ia doli të gërshetojë botën reale me atë imagjinative dhe na bëri ta ndjejmë prezencën e kohërave të shkuara, të vëmë kontakt emocional me to…

Rasti i hapjes së ekspozitës së dytë retrospektive, nën organizimin e Galerisë nacionale, të udhëhequr nga drejtoresha e shkathtë dhe e mençur Dita Starova Qerimi (ekspozita e parë retrospektive u organizua po nga Galeria nacionale e artit, në shtator të vitit 2005, me katalog të përgatitur nga autori i këtij shkrimi), është shenjë e mirë për kulturën shqiptare të krijuar këtu në Maqedoni. Manifestime të tilla meritojnë dhe artistë të tjerë, disa prej të cilëve nuk janë më mes nesh. Kjo ngjarje e madhe kulturore, për të cilën ka merita të veçanta dhe autori i katalogut voluminoz Mexhait Pollozhani, duhet të intensifikojë energjitë tona pozotive dhe të nxisë shpalimin e margaritarëve të tjerë të kulturës sonë, po aq të vlefshëm sa piktori i universit shqiptar – Adem Kastrati, vepra e të cilit vazhdon të mbetet e veçantë, e madhërishme, e papërsëritshme, e paimitueshme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button