Mendja e zbrazët

Një kompozitor i ri kishte lutur kompozitorin e famshëm Luis Shpor për t’i dhënë mendim për një komponim të vetin fillestar muzikor.  Shpori të nesërmen kompozitorit të ri i kishte thënë: “Për fat të mirë, në punën tuaj ka shumë gjëra të reja dhe shumë gjëra të mira”. Kompozitori i ri gati sa nuk kishte fluturuar nga gëzimi. Por, menjëherë buzëqeshja e tij ishte thartuar kur Shpori i kishte thënë se: “Ajo që është e re nuk është e mirë, kurse ajo që është e mirë nuk është e re”.

Veprimet e do strukturave të caktuara politike dhe kvazi-shkencore në shtet, në lidhje me momentin aktual historik për këte ambient, i ngjasojnë sugjerimit të Shporit – se ato punë të reja nuk janë aspak të mira, kurse ato të mirat nuk janë aspak të reja. Këtu ka injorancë, ka inatë, por edhe përfitime. Ndërsa te disa ekziston disponim fanatik anti-perëndimor, që realisht bje ndesh me interesat reale të shtetit, i cili fare lehtë ndërtohen murre, por vështirë edhe ura. Edhe opsioni pro-Rusi është legjitim dhe nëse e vlersojnë si të tillë ata duhet ate ta shprehin haptazi, e jo të fshihet pas do frazave të rreme patriotike. Të gjithë parametrat objektivë thonë se në konstelacionet ekzistuese të lojërave globale të fuqive në rajon, opsioni lindor është më i dëmshmi për Maqedoninë. Kurse ai perëndimor u lodhë duke e shpëtuar këtë shtet nga pririjet suicide.

Për fat të keq, DPMNE vazhdon me politikën e patriotizmit të çmimit të lirë, të praktikuar nëpër bakallet fshatare. Është fakt se politika e gjatë dhe e mbrapshtë e Gruevskit ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen e anëtarësisë së VMRO-së. Dhe tani shumë nga anëtarët e tyre kanë sy, por nuk shohin dot. Kanë veshë, por nuk dëgjojnë dot. Kanë mendje, por nuk mendojnë dot. U punon vetëm gjuha, e cila edhe pse s’ka eshtra – eshtra di të thejë. Dhe vazhdojnë ta sulmojnë zgjidhjen e mirë, vetëm pse nuk vjenë nga vet ta. Andaj, patriot të vërtetë janë vetëm ata që përpiqen ta akceptojnë marrëveshjen me grekët, sepse kjo nënkupton shpëtim nga varfëria, urejtja dhe zhdukja. Përderisa nuk zhduken shkaqet, s’mund të zhduken as pasojat. Thirrja në forcat vetanake, jashtë integrimeve është njësoj sikur të kërcesh pa parashutë. Kurse logjika e bakalleve fshatareske (nëse vërtetë ka ndonjë logjikë këtu), është vetshkatërrimi. Prandaj, Mickovski domosdo duhet të luajë në mënyrë fleksibile, sepse ai e di shumë mirë se shpëtimi i vërtetë i shtetit është në drejtimin e kundërt nga çipi mental i anëtarësisë së tij. Ai është i detyruar të udhëheqë betejë, jo vetëm për një koncept të shëndoshë, por edhe për një mendje të shëndoshë, sepse gjithçka përreth tij është ndërtuar nga një mendje e sëmurë. Janë ata Vmrov-cë që orientimin pro-perëndimor e perceptojnë si një opsion që dhunshëm i detyron t’i kthejnë parat e vjedhura. Dhe është jonormale që me këso mendje të sëmurë të ndërtohet politikë e shëndoshë. Shqetësimet gjoja për shkelje të demokracisë, për partizim të institucioneve, gjyqësorit, mediave, vetëm se mund të shkaktojnë qeshje të zëshme. Sepse një refren i tillë dëgjohet që 11 vjet, madje dhe dallimi është tejet i dukshëm. Nevoja për një distancim të qartë nga Gruevski dhe i kompanisë së tij është e një rëndësie jetësore që të ecet përpara. Këtu nuk ka mestare, e as kompromis, pasi gënjeshtër është edhe vet  heshtja e së vërtetës. Ai duhet të kuptojë se njerëzit midis gënjeshtrës së ëmbël dhe të vërtetës së idhur, përcaktohen për këtë të fundit. Dhe këtu fitorja mbi veten trajtohet mençuri. Mickovski duhet t’i mbështesë hapat e rëndësishëm, jo vetëm për shkak të interesave të shtetit, por edhe për shkak se udhëheqja e mëparshme e partisë së tij na ka sjellë gjer në këtë gjendje.

Fatkeqësisht, Gruevski anti-amerikanizmin e ka futur thellë në nënvetëdijen e anëtarësisë së tij. Kurse roli i kësaj superfuqie për krijimin e një Maqedonie të pavarur, ka qenë vendimtar. Përmes UNPROFOR-it drejtpërsëdrejti e shpëtojë nga luftërat e ish-Jugosllavisë. Në vitin 2004, SHBA-të e njohën shtetin nën emrin kushtetues. Pasoi reagim i stuhishëm nga Greqia. Ministri i Punëve të Jashtme Petros Milviatis i dërgoi një notë  të ashpër protestuese në SHBA, kurse ministri grek i Mbrojtjes Spilios Spiliotopulos menjëherë udhëtoi për në Moskë. Pak më vonë, amerikanët ndikuan që Kanadaja të njohë Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues.  Nisma të tilla ngritën edhe nga Parlamenti Australian. Ata madje lobuan një iniciativë mbi emrin kushtetues edhe në Parlamentin Evropian. Por, gjithë këtë Gruevski e shkoli me kalin Bukefal. Na e shiste të kaluarën duke na e ble të ardhmen.

Cilido qoftë që e di alfabetin gjeopolitik, e ka të qartë se në konstelacionet ekzistuese të interesave midis Rusisë dhe dy aleatëve të saj natyrorë (Greqisë dhe Serbisë), Maqedonia mund të jetë vetëm një edh mbi tryezë. Jo rastësisht disa qarqe të forta politike në Greqi nuk dëshirojnë aspak marrëveshje për emrin. Po mos të ishin amerikanët dhe gjermanët madje fare nuk do të kishte as negociata e as zgjidhje, kurse grekët nuk do të kishin nevojë që të prisnin gjatë kohë që kokëboshët e këtuit vetë ta shkatëronin vendin e vet. Prandaj, ata që kundërshtojnë marrëveshjen me Greqinë, thënë me gjuhën e gjeopolitikës, janë gjuajtës ndaj vendit të tyre (që i ngjason një gjahu) për t’i gostitur grekët dhe rusët. Këtu ekziston edhe “parashikueshmëria” e Milloshoskit, e cila shërben si një lloj zagari gjahu. Njohësi rus i gjeopolitikës Jevgeni Koloshov, thotë se “Maqedonia nuk ka asnjëfarë rëndësie për Rusinë. Për ne në atë pjesë të Evropës, prioritet janë marrëdhëniet ruso-serbe dhe ruso-greke”. Duke u nisur nga kjo, Maqedonia vetëm në NATO dhe UE gjen shpëtimin. Nuk është e rastit që ambasadori rus në UE, Vladimir Çizhov, para do ditëve tha: “Nuk do të duartrokasim nëse Maqedonia bëhet pjesë e NATO-s”.

Pozicionet e marrëveshjes synon t’i dobëson edhe presidenti i shtetit. Ai me deklaratat e tij, di që gjërat shumë të thjeshta t’i bëjë të komplikuara. Ai me vetëdije ose pa vetëdije çon ujin në mullirin e Prokopis Pavlopulos, i cili gjithë kohës lutej që negociatat të dështojnë. Nuk di se ku shkon, dhe me siguri atje do të mbërri. Por, e vetmja mundësi që të fitojë e keqja është që të mirët të mos bëjnë asgjë. Zaev shumë mirë e ka kuptuar se po të dëshironi ta fitoni të pabesueshmen, duhet ta bëni të pamundurën! Çudirat ndonjëherë mund të fillojnë nga ne vet! Dihet se anijet janë më të sigurta pranë portit, por ato nuk janë ndërtuar për ate qëllim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button