Pacolli: Jahjaga duhet të shkojë

Behgjet Pacolli konsideron se është i pamoralshëm dhe qesharak qëndrimi i mëtejshëm i Atifete Jahjagës në Presidencë. Zëvendëskryeministri Pacolli thotë se marrëveshja është e qartë dhe Presidentja aktuale duhet të lëshojë rrugë. Ai fton Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Christopher Dellin që t’i përmbahen marrëveshjes pikë për pikë.

Lideri i Alenacës Kosova e Re dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk pajtohet që gruaja e cila ia “mori” postin e të parit të Shtetit, Atifete Jahjaga, të qëndrojë në këtë pozitë më tepër se një vit.

Pacolli e ka quajtur qesharake dhe të pamoralshme tendencën për të prishur marrëveshjen e arritur me Liderin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe atë të LDK-së, Isa Mustafa për mbajtjen e zgjedhjeve të para presidenciale.

“Çdo figurë politike që është paraqitur para qytetarëve për votë, ka përgjegjësi për të respektuar marrëveshjet dhe premtimet. Rasti me Presidenten, jo që është premtim, por është një marrëveshje e shkruar, e miratuar edhe në kuvend përmes një rezolute, përndryshe para qytetarëve do të dalim qesharakë dhe do të humbim besimin”, ka thënë Pacolli, në një intervistë për Express.

Ndërkohë që ka kërkuar përgjegjësi për respektimin e marrëveshjes, si nga Presidentja Atifete Jahjaga, ashtu edhe nga Ambasadori Christopher Dell, si palë ndërmjetësuese në tërë procesin.

“Kjo marrëveshje e legjitimuar nga Kuvendi posedon edhe një palë tjetër, që është Ambasadori amerikan Dell, i cili nga atëherë ka marre përgjegjësinë që marrëveshja do të implementohet pikë për pikë. Çdo vonesë ose tentim vonese që të veprohet ndryshe në ketë drejtim, është e pamoralshme”, ka thënë Pacolli. 

Lajme të ngjashme

Back to top button