Shans i ikur për të qenë në anën e duhur

Shumë subjekte janë duke e lëshuar shansin për të qenë në anën e duhur gjatë këtij procesi historik të zgjidhjes së çështjes së emrit. I pari ndër ta është pa dyshim personi që mban pozitën e shefit të shtetit, Ivanov. Është më se e qartë që edhe këtë here do të luajë rolin negativ të ngatërrestarit, duke mos nënshkruar dekretin e shpalljes së Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit, ratifikim i cili dje u votua në kuvend. E mira e punës është se kjo sjellje e paramenduar e Ivanovit ishte e pritshme dhe prandaj në Marrëveshje thuhet qartë që pas ratifikimit në kuvend të marrëveshjes, Greqia do të njoftojë presidentin e Komisionit Evropian se më nuk do ta pengojë procesin e integrimit të Maqedonisë Veriore në këtë subjekt.
Marrëveshja nuk e përmend shpalljen e ratifikimit në Gazetën Zyrtare, por vetëm ratifikimin e saj në kuvend, gjë që u bë dje. Gjer ne hyrje në fuqi të marrëveshjes ka edhe shumë hapa të tjerë, në të cilën kohë do të gjendet zgjidhje edhe për Ivanovin. Por a ka turp më të madh se sa shefi i shtetit ta bjerë punën të anashkalohet në këtë mënyrë të hapur për shkak të sjelljes së tij destruktive dhe shumë të dëmshme për ardhmërinë e vendit?
Shpresoj shumë që ky rast të jetë arsyeja që do të sjellë deri tek impiçmenti i tij i merituar që nga koha e faljeve skandaloze e me të gjitha sjellje destruktive të tij deri në këtë moment. E paguajtëm me kamatë shumë të lartë faktin që lejuam një njeri si ai të jetë përfaqësuesi i të gjithë neve brenda dhe jashtë vendit.

Subjekti i dytë që po lëshon mendjelehtësisht shansin për të qenë subjekt konstruktiv në këtë proces është VMRO-DPMNE opozitare. Ata nuk lëshuan vetëm seancën e kuvendit, por lëshuan edhe mundësinë për të qenë në anën e duhur të histories në këtë moment. Sa keq që Mickovski nuk e ka guximin e duhur për të bërë shkëputjen nga politika e Gruevskit, sa keq që pretendon të mbetet hija besnike e paraardhësit të tij. SIkur të kishte bërë vërtet një shkëputje të tillë, nuk do e kishte lëshuar atë seancë dhe me të gjithë deputetet do të kishte votuar pro Marrëveshjes. Për më tepër, do të kishte pranuar të votojë edhe për impiçmentin e Ivanovit duke ndihmuar kështu heqjen e një pengese kyçe për shumë procese përparimi të këtij shteti.

Por shihet qartazi që Mickovskit për momentin nuk i intereson shumë përparimi i shtetit sa që i intereson të mbledhë ndonjë votë të mbetur me retorikën e tij boshe nacionaliste, kur qartazi duket që patriotizmi në këto momente është krejtësisht në anën tjetër dhe politika e Mickovskit nuk ka të bëjë fare me të. AI ka edhe një shans që të jape një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim dhe ai shans lidhet me referendumin që do të realizohet në vjeshtë. Në deklaratat e tija të gjertanishme Mickovski thotë që do të votojë kundër në atë referendum. Kjo është shenjë e mire, sepse me rëndësi është që VMRO-DPMNE të marrë pjesë në atë referendum, edhe duke votuar kundër. Është e qartë që shumica dërmuese do të votojnë pro Marrëveshjes dhe pro përparimit të vendit dhe daljes nga qorrsokaku i tri dekadave të fundit. Por në mënyrë që referendumi të jetë i vlefshëm, duhet që gjysma e qytetarëve që kanë të drejtën e votës të marrin pjesë në të.
Prandaj është me rëndësi thelbësore që VMRO-DPMNE të mos bojkotojë por të marrë pjesë në referendum, edhe duke votuar kundër marrëveshjes. Ky referendum përfundimisht do të tregojë disponimin e popullatës në këtë shtet dhe orientimin përfundimtar të saj drejt lindjes apo perëndimit. Qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes perspektivës evropiane pro-perëndimore dhe orientimit pro-lindor e pro-rus. Për shumicën prej nesh kjo nuk është fare dilemë, veçanërisht për shqiptarët për të cilët dielli gjithmonë ka lindur andej nga perëndon.

Subjekti it retë që ka një rol tërësisht negativ në këtë kontekst është plejada e disa “intelektualëve” që kanë marrë anën tërësisht të gabuar dhe të cilët mbjellin urrejtje duke shpërndarë dezinformata mes popullit që ata i konsideron njerëz të mençur. Janë këta disa profesor universitarë cilët kanë humbur kontrollin dhe nacional-shovinizmin e tyre e shprehin në format më të rënda dhe të papranueshme. Janë këta njerëz të cilët arsimojnë gjenerata të reja e nga të cilët do të turpërohen pikërisht studentët e tyre por do të turpërohen edhe vet ata kur të kalojë kjo eufori dhe ta shohin veten se nëpër çfarë absurditetesh kanë pranuar të involvohen.
Për fat të keq nuk mund të thuhet se nuk dine çka bëjnë sepse e dine shumë mire dhe me qëllim përhapin informata të rrejshme për kinse dhunë të pakontrolluar në protesta, dhe informata tërësisht të gabuara për atë se kinse emri i ri i shtetit në përkthim do të thotë Republika e Veriut prej Maqedonisë, gjë që është tërësisht e pasaktë dhe shumë malicioze. Por ajo që është e dhimbshme është se këta njerëz kanë një fare autoriteti mes masës së pa udhëzuar e cila ka një besim tek ata dhe miqësisht këtë besim ata e keqpërdorin me mizori. Koha do të tregojë interesat e vërteta të këtyre individëve me sjellje të dëmshme dhe do t’i qartësojë të gjitha dilemat që sot njerëz të caktuar mund ti kenë. Ata që turbullojnë ujin në kohëra të ndjeshme si këto sigurisht që mbajnë përgjegjësi për pasojat.

Me rëndësi është të ecet para edhe në këto kohëra të turbullta. Të ecet para dhe me vendosmëri drejt qëllimit pavarësisht sjelljeve destruktive. Shumë shpejt do të vijë koha kur të gjithë të lartpërmendurit do e kuptojnë që kanë qenë në anën e gabuar dhe që e kanë lëshuar shansin historik të bëjnë gjënë më të mirë për veten e tyre, për shtetin e tyre dhe për pasardhësit e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button