Ndryshimi i emrit, çështja shqiptare, dhe proceset integruese

S’do mend se, arritja e marrëveshjes për ndryshimin e emrit, më në fund, paraqet lajm të mirë jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë, por për tërë rajonin dhe më gjerë. Kjo, ngase, me zgjidhjen e çështjes së emrit po zgjidhet një ngërç i gjatë politik në Ballkan, i cili ka mbajtur peng jo vetëm Maqedoninë, por tërë rajonin.

Sa i përket Maqedonisë, me këtë hap të rëndësishëm, jo vetëm që hapen perspektiva për mbijetesën e këtij shteti, por, një akt i këtillë hap shtigjet për integrimin e plotë të vendit në instancat euro-atlantike, integrime këto të cilat do të mundësojnë reformimin e mirëfilltë të institucioneve të këtij vendi në kuptim të demokratizimit, sundimit të së drejtës, si dhe reformave rrënjësore politike, gjyqësore, ekonomike dhe arsimore.

Ndërsa në nivel rajonal, akti i këtillë jep sinjale dhe mesazhe pozitive për tërë rajonin, në kuptim të flakjes së urrejtjeve dhe mosmarrëveshjeve të vjetra, si dhe zgjidhjes së problemeve përmes dialogut, negociatave dhe kompromisit; gjë kjo e cila do të evitonte çdo rrëshqitje në kriza të reja, dhe do të parandalonte çfarëdo konflikti të ri.

Mirëpo, arritja e kësaj marëveshje nuk nënkupton fundin e gjitha problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e këtij nënqielli; ndonëse, e njejta, jep shpresa për fillimin e zgjidhjes graduale të shumë problemeve të cilat e kanë ngulfatur dhe traumatizuar këtë shoqëri – në gjitha aspektet – për gati tre dekada.

Për më tepër, zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje do të duhet të tejkalojë tre sfida kryesore, edhe atë, si vijon:

  1. Sfida e kompletimit të procesit të ndryshimit të emrit në planin e brendshëm të të dyja vendeve

Ky kompromis i arritur, me përkrahje dhe sponsorizim të fuqishëm të aleatëve perendimorë, përreth faktit që gëzon mbështetje nga shumica e popullatës së të dyja vendeve, numri i atyre të cilët e refuzojnë një marrëveshje të këtillë nuk është i pakët; me ç’rast, në të dyja anët e kufirit ekzistojnë elemente të shumta djathtiste ekstreme, me orientime ultra-nacionaliste dhe fashiste, të cilët do të bëjnë të pamundurën që një proces i këtillë të dështojë. E kur këtij faktori ia shtosh edhe cytjet e jashtme nga qarqet të cilat nuk dëshirojnë zgjidhjen e këtij ngërçi, për shkak se është në kundërshtim me interesat e tyre gjeo-strategjike, në këtë situatë, kjo sfidë bëhet edhe më e vështirë. Andaj, propaganda negative dhe protestat e shumta të cilat do të nxiten në ditët dhe javët në vijim, duhet ballafaquar me antipodën e tyre, me qëllim që të dëshmohet vullneti i shumicës për ndryshime pozitive. Poashtu, edhe faktori ndërkombëtar perendimor duhet të tregohet mjaft vigjilent dhe këmbëngulës, ngase, çfarëdo neglizhence në këtë aspekt, do të shënonte kthim prapa dhe humbje të këtij shansi historik!

  1. Sfida e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare në nivel kushtetutar

Duke marë parasyshë se zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare në Maqedoni (në kuptim të statusit të tyre, me gjitha elementet që i ngërthen në vehte ky status, si atë juridik, politik dhe shtetformues) është stërzgjatur dhe vonuar tejmase; madje, duke marë parasyshë humbjen e këtij shansi historik dy herë rradhazi (herën e parë me rastin e miratimit të Kushtetutës së vitit 1991, dhe herën e dytë, me rastin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001); si dhe, duke marë parasyshë faktin se, ndryshimi i emrit imponon edhe ndryshimin e Kushtetutës; është momenti që, një herë e përgjithmonë, një lëshim dhe gabim i këtillë të përmirësohet. Është koha e fundit që shqiptarët të fitojnë hisen e tyre të natyrshme që ju takon. Një përgjegjësi e këtillë, para së gjithash, bie mbi supet e faktorit politik shqiptar, duke mos e amnistuar as faktorin politik maqedonas që është në qeveri, si dhe faktorin ndërkombëtar. E, në këtë drejtim, edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet që – më në fund – të luajnë rolin e tyre të shumëpritur.

  1. Sfida e fillimit të procesit integrues si dhe implementimit të të njejtit

Për dallim nga procesi i integrimit në aleancën Veri-Atlantike, proces ky i cili është thuajase i kompletuar (përpos pranimit formal), procesi i negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian do të jetë i gjatë, marë parasyshë vëllimin e legjislativës evropiane, e cila ngërthen në vehte mijëra ligje dhe rregullativa. Madje, pyetja dhe dilema qëndron në atë se, sa këto ndryshime legjislative do të implementohen në praktikë?! Megjithatë, më pak që mund të thuhet në këtë aspekt është se, fillimi i miratimit të ligjeve të këtilla do të krijojë klimë dhe parakushte të domosdoshme për reformimin e ngadalshëm praktik në të gjitha sferat.

Në këtë kontekst, është shumë me rëndësi të theksohet fakti se, ajo që duhet të ndryshojë në këtë nënqiell nuk është vetëm emri, kushtetuta, ligjet dhe rregullativat, por paralelisht me to duhet të ndryshojë i ashtuquajturi ‘mentalitet ballkanas’. Kjo, për shkak se, integrimi, përskaj rëndësisë që ka, nuk është ‘shkop magjik’ i cili do ti zgjidh të gjitha problemet tona, porse, zgjidhja e të njejtave kërkon shumë seriozitet, guxim, punë dhe angazhim; e mbi të gjitha vullnet të mirë.

Ajo që duhet poashtu të theksohet në këtë rast, është se, paralelisht me gjitha këto procese ndryshimesh dhe integrimesh, assesi nuk guxon të anashkalohet edhe procesi i ndëshkimit të atyre të cilët e mbajtën peng këtë vend – si dhe popujt që jetojnë në të – për gati tre dekada, edhe atë, pa kurrfarë arsye objektive, por thjeshtë, vetëm për hirë të interesave të tyre personale. Kjo, jo vetëm me qëllim të realizimit të drejtësisë, por gjithashtu, në funksion të krijimit të terrenit dhe klimës së përshtatshme për ndryshime pozitive në të ardhmen; ngase, personat e këtillë – si dhe klikat e tyre kriminogjene – paraqesin rrezik potencial për ngadalësimin apo dështimin e çfarëdo procesi apo progresi pozitiv në të ardhmen. Njëherit, një proces i këtillë ndëshkues do të shërbente si mësim për gjithë ata të cilët do të ju shkonte ndërmend që të sakrifikojnë shtete dhe popuj të tërë për hirë të tekeve dhe interesave të tyre personale.

Ashtu qoftë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button