Maqedonia duhet t’i deklasifikojë dokumentet sekrete, të dihet si është bërë ‘pazari’ për emrin këto 27 vite

Ndryshe nga ajo e Greqisë, Qeveria e Maqedonisë nuk ka diskutuar për deklasifikimin e dokumenteve të procesit të tërësishëm të zgjidhjes së çështjes së emrit. Por ekspertët për transparencë dhe diplomaci, vlerësojnë se përfundimisht dokumentet duhet të deklasifikohen, pasi që kjo do të rriste besimin ndaj Qeverisë, si jashtë dhe brenda Maqedonisë, do të largonte spekulimet, dhe do të ndihmonte në realizimin e referendumit, shkruan Portalb.mk.

“Deri tash nuk është diskutuar në Qeveri për diçka të tillë”, thanë për Portalb.mk, nga Qeveria e Maqedonisë.

Bardhyl Jashari

Bardhyl Jashari

Për drejtorin e Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari deklasifikimi do të ishte i rëndësishëm për dy aspekte – që procesi të bëhet më i kuptueshëm dhe për të shmangur spekulimet rreth tij.

“Transparenca e procesit te deritanishëm, deklasifikimi i dokumenteve, në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit do të ishte i dobishëm nga dy aspekte. I pari, do të bënte më të kuptueshëm për të gjithë këtë problem që rëndonte me vite mbi qytetarët e Maqedonisë dhe shkaktonte ngecje në proceset e integrimit të shtetit në BE dhe NATO, dhe i dyti, do të zvogëlonte spekulimet dhe manipulimet që behën në opinion nga ana e atyre politikanëve,  që në të kaluarën kanë qenë të kyçur në proces, ndërsa tani shprehen kundër marrëveshjes dhe shiten si patriot”, tha Jashari.

Edhe diplomati Nano Ruzhin vlerësoi se Qeveria e Maqedonisë duhet t’i deklasifikojë dokumentet, e në veçanti tash që puna është kryer, dhe nuk mund të ndikohet në marrëveshje.

“Sigurisht se duhet edhe Qeveria e Maqedonisë t’i publikojë të njëjtat, dhe kjo do të ishte një veprim i vullnetit të mirë, që është reciprok, dhe për këtë duhet që edhe Maqedonia t’i deklasifikojë të gjitha ato formula, të cilat u propozuan në të kaluarën. Meqë tash puna është kryer, dhe nuk mund të ndikohet në marrëveshjen, kështu që, i njëjti mund të zbulohet”, tha Ruzhin.

Selim Ibraimi

Selim Ibraimi

Ndërkaq për ekspertin e çështjeve diplomatike, Selim Ibraimi, deklasifikimi paraqet nxitje e qytetarëve të Maqedonisë, për dalje në referendumin, e paralajmëruar për në vjeshtë të këtij viti.

“Qeveria e Maqedonisë e ka për detyrë të deklasifikojë tërë informatat dhe procesin e bisedimeve me palën greke. Në këtë mënyrë, procesi negociator do të jetë më i hapur, dhe paralelisht do t’ua kthejë besimin qytetarëve të Maqedonisë, që e kundërshtojnë procesin e ndërrimit të emrit. Argumenti tjetër është se me deklasifikimin e informatave, Qeveria do ta ndihmojë procesin e referendumit. Ka zëra për të mos i hapur dokumentet, duke u arsyetuar se publiku nuk duhet të dijë shumë. Por qasja pro deklasifikimit të informatave të negociatave Greqi-Maqedoni, do t’i reduktojë apo eliminojë lajmet e rrejshme, dhe dezinformatat kundër marrëveshjes”, tha Ibraimi.

Nano Ruzhin

Nano Ruzhin

Deklasifikimi i dokumenteve, a i prish marrëdhëniet diplomatike?

“Deklasifikimi i dokumenteve nuk do të ndikojë në raportet diplomatike, por ajo do të rrit edhe më shumë besimin ndaj shtetit fqinj, dhe jo vetëm me të, por e njëjta do të ndihmonte edhe në rritjen e besimit te qytetarët, duke bërë që patriotët që janë kundër tij, të shohin pasqyrën reale të zgjidhjes”, tha Nano Ruzhin.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Koxias deklaroi se në Kuvendin e Greqisë do të publikohen dokumentet nga tërë procesi i zgjidhjes së çështjes së emrit. Kjo vjen pasi që Koxias kohë më parë, se ata që tash e kritikojnë dhe nuk e pranojnë marrëveshjen e emrit, në kohën kur kanë udhëhequr procesin e njëjtë, kanë negociuar me pozita të buta. Sipas informacioneve, procesi i publikimit nga Greqia, parasheh deklasifikim të 30 dokumenteve, të cilat tregojnë se për çfarë kanë negociuar qeveritë e mëparshme greke, për çka kanë rënë dakord, dhe çfarë kanë propozuar.

KUR VMRO BISEDONTE PËR EMRIN, PATRIOZIMI I RREJSHËM

Sa për rikujtim, përderisa VMRO-DPMNE ishte në pushet, përmes materialeve të përgjuara, apo “bomba” dëgjuam se si kjo parti edhe përkundër “patriotizmit” në publik, prapa kulisave ka pranuar ndryshim të emrit të Maqedonisë.

Si janë zhvilluar negociatat e fshehta për emrin me Greqinë nëpërmjet Sasho Mijallkovit, në të cilat është pranuar një emër i përbërë, ndërsa për këtë janë lënë pas dore bisedat zyrtare nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa në bisedat jozyrtare janë përkrahur propozimet greke,e gjithë kjo është vendosur të mbahet në fshehtësi, kuptojmë nga katër bisedat në këtë përmbledhje.

GRUEVSKI DHE MIJALLKOV KËRKOJNË KËSHILLA NGA MILLOSHOSKI

Vijon biseda mes Antonio Milloshoskit, Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit, gjithsesi të përfshirë në diskutimin tre palësh nëpërmjet interfonit. Dëgjojmë pranimin nga Gruvskit që është “me njeriun që shkon të bisedoj”, ndërsa pastaj dëgjojmë zërin e Mijallkovit, me çka sqaron identitetin. Gruevski i tregon Milloshovskit se një nga biseduesit grek ka ardhur në Maqedoni – ai më i trashi. Dëgjojmë gjithçka çka kanë biseduar – emri të jetë i ndërlikuar, me kllapa, ndërsa greku ka thënë se kjo nuk do të kaloj. Gruevski kërkon mendim nga Milloshoski nëse në negociatat me dyer të mbyllura të propozojnë emër me parashtesën para republikës – a do të jetë e epërme, për shembull, çka për Milloshovskin është punë shterpe, pra është e llogaritur që grekët të jenë ata që do ta refuzojnë. E dyta, nga mendimi i tij është emri të jetë në kllapa, ndërsa grekët në to të vendosin çfarë të duan nga ajo që atëherë janë vënë në tryezën e bisedimeve, ndërsa Maqedonia ta zgjedh atë që do të shkoj përpara, ama të jetë me konotacion politik.

 MIJALLKOV KYÇET

Në këtë bisedë në interfon kyçet edhe Mijallkov, Milloshovski sqarohet – nuk do të prishet Republikë e Maqedonisë në asnjë mënyrë, ndërsa para asaj mund të shkoj një referencë politike – e pavarur, sovrane…. Edhe pse emri i cili do të shkoj pas saj në kllapa do të jetë i komplikuar për opinionin, përsëri thotë ai, emri do të ngelet “i pastër”, ndërsa Maqedonia do të mund të krenohet se emri është seriozisht i ndryshuar dhe se të dy palët kanë “arritur” në diçka që ka qenë e paarritshme më se 20 vite.

Këtu ndërhyn edhe Mijallkov për të theksuar se grekëve u është me rëndësi emër i shkurt i cili do të shfrytëzohet, Milloshovski thotë se nuk duhet të ketë emër të shkurt. Mijallkovi “liciton” me Republikë e Pavarur, Republikë Demokratike… Milloshovski thotë se kjo do t’i ndihmoj Jorgos të arsyetohet para opinionit grek që megjithatë është ndikuar në ndryshimin e emrit, gjegjësisht është arritur emër i përbërë. Gruevski dyshon që në referendumin në Maqedoni  që do ta propozoj emrin e komplikuar ajo do të ngjaj në asgjë. Milloshovski përsëri i rikthehet tezes së tij që në fund me me kllapa, emri dal nga dalë do ta “humb” atë pjesë dhe do të mbetet ajo kryesorja nga emri, me e pavarur, sovrane, ose diçka e ngjashme para Republikës së Maqedonisë, propozon që edhe Mijallkovi të ju thotë grekëve se në pako me ndonjë vendim për emrin e cila do të ju përgjigjet të dy palëve. Maqedonia do ta tërheq edhe padinë në Hag. Vë në dukje se do të ishte mirë të arrihet një vendim i mirë dhe Jorgos Papandreu të mund në Sarajevë të tregoj se problemi me emrin është zgjidhur dhe se të lavdërohet se ka arritur sukses me agjendën e Selanikut.

BRIFINGU I BONEVËS

Pastaj vijon biseda mes Milloshevskit dhe Jolevskit në të cilën ky i dyti e informon ministrin se në bisedime ka theksuar se për Maqedoninë është me rëndësi identiteti, por ajo nuk duhet të jetë në marrëveshje mes dy shteteve, por e garantuar me rezolutë…

Në bisedën e fundit mes Gruevskit dhe Silvana Bonevës, ai tregon se e ka pranuar propozimin grek, dhe Gruevski ka marr përsipër që t’i bindë “njerëzit e tij”, por pastaj greku nuk ka dhënë informacione se pala greke do ta pranoj. “Dy muaj e gjysmë asnjë përgjigje nuk jep, nxirren me krizën botërore. Fule këtë e di, e dinë edhe Rikeri, e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë”, thotë Gruevski.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP