Thaçi: Flamuri i Kosovës do të valojë në Tarragona të Spanjës

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ia ka dorëzuar solemnisht Flamurin e Kosovës, Ekipit Olimpik të Kosovës, i cili për herë të parë do ta përfaqësojë vendin në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, që mbahen në Spanjë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Presidentit, thuhet se kreu i shtetit në takimin me sportistët olimpik kosovarë ka thënë se numri i sportistëve që po marrin pjesë në gara ndërkombëtare është duke u rritur çdo herë e më shumë.

Ai ka thënë se Kosova për herë të parë do të përfaqësohet zyrtarisht nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe 4 gjyqtarë, duke shprehur dëshirën që ky numër të rritet edhe më shumë vitin tjetër.

Presidenti po ashtu ka theksuar se flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë në ceremoninë e hapjes dhe mbylljes së këtyre lojërave.

“Do të lartësohet sa më shumë prej sportistëve tanë si simbol shtetëror i fitoreve të tyre, fitoreve tona”, është shprehur presidenti Thaçi.

Siç thuhet në njoftim, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se ndjehen krenarë që flamuri kosovar do të valojë në Tarragona. Sipas tij, sportistët janë përgatitur mjaft mirë dhe do ta tregojnë më të mirën e tyre gjatë këtyre lojërave.

“Nga zemra dëshiroj t’iu falënderoj për përkrahjen e përhershme dhe ju premtojmë se edhe ne do të mundohemi ta prezantojmë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme dhe të ngrisim sa më lartë imazhin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Hasani.

Në emër të sportistëve, kampionja e shumëfishtë botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi, ka thënë se ndjehet mirë për faktin se është një numër i madh i sportistëve që do të marrin pjesë në lojëra mesdhetare, në krahasim me numrin që ka qenë në Rio.

Kujtojmë se lojërat e 18-ta Mesdhetare do të mbahen në Tarragona të Spanjës, nga 22 qershori deri më 1 korrik 2018. Edhe pse Spanja nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe pasaportat e saj, Komiteti Olimpik i Spanjës ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës që të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button