Adem Kastratit, ringjalli shpirtin artistik të Shkupit (FOTO)

Në Galerinë Nacionale të Maqedonisë, dje është hapur ekspozita e piktorit Adem Kastrati. Të pranishëm në ngjarje ishin personalitete të shquara si të artit pamor, por edhe atij të shkruar e muzikor, njofton Portalb.mk.

Përveç artistëve, të pranishëm në hapjen e ekpozitës ishin edhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi, sekretari shtetëror Valmir Aziri, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, si dhe shumë artdashës të tjerë.

Në lidhje me këtë ekpozitë, ministri Ademi deklaroi se hapja e ekspozitës së Adem Kastratit, është një përpjekje që të rikthehet shpirti diversiv i Shkupit.

“Tash kur Shkupit po i rilidhen hallkat e historisë sonë, kur po bëhet përpjekje që t’i rikthehet shpirti i dikurshëm i diversiteteve kombëtare, fetare e gjuhësore, emri i Adem Kastrati është emri i shkupjanit tipik, që 40 vjet i kaloi duke e pikturuar mallin dhe dashurinë në këtë qytet. Andaj mendoj se ne të gjithë, e veçanërisht artistët, ia kanë pasur borxh Piktorit këtë ekspozitë dhe këtë monografi, duke bërë kështu një falënderim për veprën që ai na e fali. Edhe qëndrimi jonë sonte këtu është, në një mënyrë, falënderim për të”, tha Ademi.

Adem Kastrati, i lindur në f. Karaçevë e Epërme, në afërsi të Vranjës, është njëri ndër doajenët e piktorëve shqiptarë në Maqedoni, ku ka jetuar dhe vepruar më shumë se dyzet vjet. Ai i përket gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së Dytë Botërore. Vitet e stuhishme në të cilat ai është rritur, ka krijuar dhe është formuar si piktor, gjithsesi se kanë lënë gjurmë në krijimtarinë e tij. Emri i tij do të zë vend të merituar në mesin e artistëve figurativë që kanë jetuar dhe krijuar në territorin e Jugosllavisë. Ndërroi jetë në vitin 2000.

Adem Kastrati ka realizuar më shumë ekspozita të pavarura në Shkup, Ferizaj, Prishtinë, Beograd, Tiranë, Gjilan, Paris, Gjenevë, Munih etj. Po ashtu ka marrë pjesë në më shumë ekspozita grupore në: Lubjanë, Zagreb, Dubrovnik, Nish, Palermo, Tiranë, Paris, Arhis (Danimarkë) etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button