Numri i të zhvendosurve me forcë në botë arrin në 68,5 milionë

Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara (UNHCR) në raportin “Trendet Globale 2017” njoftoi se numri i të zhvendosurve me forcë për shkak të luftrave, dhunës dhe persekutimit vitin e kaluar ka arritur një shifër rekord prej 68,5 milionë njerëzish, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raporti i shpalosur në një konferencë shtypi në zyrën e OKB-së në Gjenevë ka treguar se krizat e refugjatëve në botë kanë prekur në shumicë dërrmuese shtetet në zhvillim, ndërsa shkalla e pranimit të refugjatëve nga ana e shteteve të pasura është zvogëluar në mënyrë dramatike.

Nacionalizmi në rritje dhe rrymat e izolacionizmit në shtetet e zhvilluara kanë shkaktuar rënie prej 56 për qind në programin e rivendosjes së OKB-së, e cila vitin e kaluar ka arritur të vendosë në shtete të tjerë vetëm rreth 100 mijë refugjatë.

Sipas raportit, numri i personave të zhvendosur me forcë për shkak të luftrave, dhunës dhe persekutimit në vitin 2017 është rritur për rreth tre milionë, për të shkuar në 68,5 milionë. Kjo shifër përbëhet nga 25,4 milionë refugjatë dhe 43,1 milionë persona të zhvendosur brenda vendit.

Nga shifra totale, 16,2 milionë persona janë zhvendosur për herë të parë. Sipas shifrave, vitin e kaluar mesatarisht 44.400 persona në ditë ose një person në çdo dy sekonda janë shkëputur nga shtëpia e tyre.

Numri i të zhvendosurve në pesë vitet e fundit me radhë ka tejkaluar shifrat e viteve të mëparshme.

Rol të rëndësishëm në këtë rritje kanë pasur mbi 700 mijë muslimanë të Arakanit të ikur nga Mianmari në Bangladesh. Shkak tjetër në rritje kanë qenë edhe qindra mijëra njerëz që kanë ikur nga lufta civile në Sudanin Jugor dhe janë strehuar në vendet fqinje.

Siria, kryesuese në rritjet e shifrave

Lufta civile në Siri që vazhdon nga viti 2011 ka vazhduar të jetë lufta që ka shkaktuar numrin më të madh të refugjatëve në botë. Për shkak të luftës, 6,3 milionë njerëz janë përpjekur të strehohen në vende të tjera.

Pas Sirisë, Afganistani radhitet e dytë me 2,6 milionë refugjatë, ndërsa pas tij vijnë Sudani Jugor me 2,4 milionë njerëz, refugjatët e Arakanit me 1,2 milion dhe somalezët me 987 mijë.

Turqia, vendi që ka pritur më së shumti refugjatë

Sipas raportit, Turqia është vendi që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve në botë. Sipas OKB-së, Turqia strehon 3,5 milionë refugjatë, shumica sirianë.

Vendi që strehon numrin më të madh të refugjatëve pas Turqisë është Pakistani me 1,4 milionë njerëz, shumica të ardhur nga Afganistani.

Pas tyre radhitet Uganda me 1,4 milionë refugjatë, ndërsa e katërta është Libani, i cili strehon një milion refugjatë, shumica nga Siria dhe Iraku, ndërsa pason Irani me 979.400 refugjatë të pranuar.

Në listën e vendeve që strehojnë numrin më të madh të refugjatëve radhiten edhe Gjermania me 970.400 refugjatë, Bangladeshi me 932.200 dhe Sudani me 906.600.

Qasje gjithëpërfshirëse për zhvendosjet e detyruara

Fakt tjetër që tërheq vëmendje në raport është se 52 për qind e personave të zhvendosur me forcë janë fëmijë të moshës nën 18 vjeç. Ndërkohë, 178.800 fëmijë janë të ndarë nga familja dhe pa shoqërues.

Filippo Grandi, Komisari i Lartë për Refugjatët i OKB-së, në deklaratën e tij rreth raportit theksoi se shtetet dhe komunitetet e përballura me krizën e refugjatëve janë lënë në duar të fatit dhe se komuniteti ndërkombëtar ka qëndruar indiferent.

Grandi nënvizoi nevojën për një qasje të re dhe më gjithëpërfshirëse në lidhje me zhvendosjet e detyruara.

Duke iu referuar edhe dramës së muslimanëve të Arakanit, Grandi rikujtoi se qindra mijëra persona të detyruar të strehohen në Bangladesh për shkak të sulmeve të ushtrisë dhe budistëve fanatikë, përballen me persekutim prej dhjetra vitesh, privohen nga e drejta për shtetësi dhe përjashtohen.

Më 20 qershor, Ditën Botërore të Refugjatëve përkujtohen njerëzit e ikur dhe shkëputur nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe persekutimit.

UNHCR një ditë para 20 qershorit çdo vit publikon raportin “Trendet Globale”, duke u bazuar në të dhëna nga partneri i tij “Qendra për Monitorminin e Zhvendosjeve të Brendshme” dhe qeveritë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button