Ratifikimi i marrëveshjes me Greqinë mori dritë jeshile në komisione, nesër në seancë plenare (VIDEO)

18:05 – Komisioni Çështje Evropiane dhe Juridiko-ligjvënës në Kuvendin e Maqedonisë, i ka dhënë dritë jeshile propozim-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për çështjen e emrit, me Greqinë, raporton Portalb.mk. Nga këtu, i njëjti hidhet për miratim në seancë plenare.

Seanca plenare, ku do të ratifikohet marrëveshja për emrin me Greqinë do të mbahet nesër, e mërkurë me fillim prej ora 11:00.

Dimitrov, Komision

17:00 – Propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë pasi mori dritë jeshile në Komisionin për Çështje Evropiane, ka vazhduar në Komisionin juridiko-ligjvënës.

Në KÇE e Kuvendit, për propozim-ligjin në fjalë, 10 deputetë kanë qenë “për”, kurse asnjë “kundër” dhe të “përmbajtur”.

Pas votimit, në formë simbolike, kryetari i KÇE-së, Artan Grubi dhe Nikolla Dimitrov i kanë këmbyer kollaret.

Gjatë seancës, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka sqaruar marrëveshjen dhe ka treguar arsyen se pse është vendosur që ratifikimi të bëhet me procedurë të shkurtuar.

“Ne e bëmë propozim-ligjin për ratifikim të marrëveshjes, me procedurë të shkurtuar, për shkak se ditët janë në pyetje. Të martën kemi mbledhjen e ministrave të punëve të jashtme të Këshillit të Evropës, dhe deri atëherë është e rëndësishme që të ratifikohet marrëveshja, sepse në këtë formë do të largohen vërejtjet”, tha Dimitrov

Ai gjithashtu shtoi se marrëveshja është kompromis, dhe për këtë dëshmon vlerësimi i opozitës në Maqedoni dhe Greqi.

“Meqë opozita greke dhe maqedonase marrëveshjen e kanë quajtur si turp dhe kapitullim, kjo tregon se marrëveshja është kompromis”, tha Dimitrov.

Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë vetëm për shqyrtim dhe deklarim të deputetëve për propozim-ligjin, dhe se nga opozitarja VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në punën e komisioneve, seancat nuk zgjatën shumë.

Nevoja për miratim të ligjit për ratifikim të marrëveshjes, është miratuar me procedurë të përshpejtuar dhe pa debat të gjerë kuvendor

Ndaj kësaj ka reaguar opozitarja VMRO-DPMNE, duke i lëshuar vendet e tyre dhe duke goditur tavolinat kuvendore.


Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, është munduar që t’i qetësojë deputetët, duke i rikujtuar se para shkurt kohe është miratuar Kodi i sjelljes, por thirrja e tij edhe më shumë e ka nxehur atmosferën.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, paraprakisht në sallën kuvendore shpjegoi përpara deputetëve se pse Marrëveshja me Greqinë duhet që të miratohet në procedurë të shkurtuar, transmeton Portalb.mk.

“Është më se urgjente që të miratohet ligji me procedurë të shkurtuar, që Greqia të mundet ta njoftojë NATO-n për ftesën. Samiti është caktuar për më 28 qershor, kështu që datat janë kyçe për ne. Propozoj miratim të ligjit me procedurë të shkurtuar”, tha Dimitrov.

Deputetët e opozitës gjatë fjalimit të ministrit Dimitrov kanë bërtitur “tradhtar”, dhe më pas e kanë lëshuar sallën.

Megjithëse ratifikimi i marrëveshjes së emrit me Greqinë ishte propozim i Ministrisë për Punë të Jashtme, që detyron se Komision amë i tij të jetë Komisioni për Politikë të Jashtme, me vendosjen e flamurit evropian, ligji si komision amë do të ketë Komisionin për Çështje Evropiane.

Sipas kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski, kjo nuk është befasi, pasi që e njëjta – sipas tij, shkelja e Rregullores së Kuvendit, është bërë edhe me ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Kur njëherë janë shkelur rregullat, nuk është befasi që e njëjta bëhet për së dyti herë. Kjo është bërë në ligjin për gjuhët, në mënyrë të pafytyrë bëhet edhe tash, edhe pse Komisioni për Punë të Jashtme është komisioni amë. Kot që kemi Rregullore për punë, kur ajo në vazhdimësi shkelet”, ka thënë Milloshoski, raporton Portalb.mk.

Vendosja e flamurit evropian shmang debatin kuvendor, Milloshoski: nuk është befasi

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button