Kur do të ngrihet flamuri i të vërtetës shqiptare

Jehonat e vajeve të nënave të vrara nga vitet 12,13, 14, 15 , të të gjitha viteve të tjera midis dy luftërave botërore edhe të kohës së Jugosllavisë socialiste ende përplasen nga një shullë në një benë të bjeshkëve tona të shkelura nga opingat e gjakësorit Bozhidar Jankoviç hordhitë e të cilit e okupuan Kosovën dhe viset shqiptare në Maqedoni. Askush një fjalë nuk e shkroi.

Ende dëgjohen britmat e vajzave të përdhunuara nga Kreta e në Tivar, nga Piroti e në Athinë. Për njëqind e sa vjet me radhë. Asnjë institut për gjuhë, letërsi e kulturë shqiptare një projekt të vogël s’e bëri për këto krime.

Kanë mbetur gjurmët e zeza e çizmeve të aleancës së mallkuar ballkanike dhe të bollës së plagosur osmane mbi fushat e buta arbërore në të cilat nuk mbin kurrë më bari. Nuk e thanë një fjalë akademitë e shkencave e të arteve se cila ishte e vërteta e grabitjes së tokave tona.

Nuk pushojnë thirrjet për ndihmë nga puset, barret masive e humnerat ku kanë mbetur fshatarët e vrarë shqiptarë gjatë terroreve të fqinjëve. Këto viktima  kërkojnë që dikush t’i shkruajë në libër me mijëra faqe torturat që u uhstruan mbi ta e titulli klibrit të jetë Golgotha shqiptare. Historianët heshtin. Institutet, po ashtu. Bashkë me ta edhe të gjitha institucionet tjera.

Kanë mbetur në ajër të papikturuar fëmijët e ngulur në kamat e ushtarëve të Bozhidar Jankoviçit që e lau Kosovën dhe Maqedoninë veriore e perëndimore me gjakun e shqiptarëve. Asnjë qeveri nuk ndau një metelik për të shpallur konkurs për piktura e skulptura dhe për vepra muzikore në këtë temë.

Janë shndërruar në pluhur të harresës zullumet e pandurëve dhe poreznikëve serbë të kralevinës që dogjën me qindra fshatra shqiptare. Katedrat e historisë  vetëm prodhojnë doktorë shkencash  të cilët s’e mbajnë dot mbi shpinën e tyre peshën e historisë.

Është shpallur si fitore gjenocidi dhe pastrimi gjakatar etnik i shqiptarëve që nga luftërat ballkanike e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë. Nuk kanë bëzajtur redaksitë, të gjitha shtëpitë botuese anë e kënd hapësirës etnike shqiptare.

Është asimiluar Sanxhaku e Reka. Po harrohen shqiptarët që dikur jetonin në Mal të Zi. Ka mbetur ndonjë klithmë në këngët popullore, të cilat s’ka kush i mbledh.

Na i kanë përvetësuar vallet, zakonet e traditës, e përvetësojnë Skënderbeun, nënën e tij. S’ka kush u jep një përgjigje.

Dalin gjithfarë buroviçësh e korbash të tjerë që shpikin gënjeshtra nga më monstruozet… Dalin gjithfarë lifash e lahperësh gazetareskë nga të gjitha viset ballkanike shajnë, fyejnë e mohojnë… Jepen gjithfarë deklaratash antishqiptare qeveritare, shkruhen gjithfarë enciklopedish rrugaçësh ku na trajtojnë si malokë e njerëz të egër… I heshtin vlerat tona muzikore, baletore, letrare, në pikturë e shkencë e ekonomi që arrihen në botë dhe mundohen t’i fusin nën cergën e mesatares së tyre për të na paraqitur para publikut të tyre si primitivë dhe si të rënë nga mali…E shajnë gjuhën shqipe, e trajtojnë si gjuhë e pashkruar, si gjuhë për përdorim brendashtëpiak… Na përqeshin nëpër tubime partiake e në deklarata të funskionarëve të ndryshëm… Na kërcënohen… Na i rrënojnë përmendoret fetare tradicionale, qofshin kisha a xhami dhe na çojnë të bëjmë ndërtime të reja kiçi për të dëshmuar se ne tash e kemi nismën, zanafillën… Se jemi pa të kaluar… Dhe, partitë tona politike vetëm përlahen, shajnë njëri-tjetrin, fyejnë vetveten… Kurrsesi nuk bëhen bashkë për ta thënë me një zë të vërtetën, për të krijuar kushte që me këmbime studentësh, profesorësh e ekspertësh nga të gjitha trojet tona etnike të fillojë të ngrihet kështjella shkencore, letrare dhe politike kombëtare e cila do ta ngrejë lartë në Evropë flamurin e të vërtetës. Këta në gojë i kanë vetëm integrimet evropiane e atlantike. Por nuk na e thonë se cila do të jetë brendia e këtyre integrimeve dhe cili është interesi ynë. Dhe, flamuri jonë mbetet i pashpaluar.

E kur do të ngrihet flamuri i të vërtetës shqiptare? Kur do të ndrijnë yjet në qiellin tonë të përhimtë? Kur do të hiqet hija e rëndë e gënjeshtrës që po shpërndahet edhe sot e kësaj dite? Kur?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button