Kosova ngre në Bruksel çështjen e moszbatimit të marrëveshjeve nga Serbia

Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, i kryesuar nga Avni Arifi, shef i delegacionit, kanë zhvilluar një takim me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Thomas Busch, në Bruksel.

Sipas një njoftimi, në këtë takim, delegacioni nga Kosova prezantuan rezultatet e punës së tyre në procesin e dialogut, me ç’rast zyrtarët e Bashkimit Evropian vlerësuan punën e delegacionit të Kosovës, duke u ndarë të kënaqur me performancën e Kosovës në këtë proces.

“Delegacioni i Kosovës, përpara zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe 28 anëtarëve të saj, ngritën çështjen e mos zbatimit të marrëveshjes së energjisë, menaxhimit të integruar të kufijve, pengesat në hapjen e urës së Mitrovicës, mosnjohjen së diplomave nga ana e Republikës së Serbisë dhe pengesave serioze në lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu shtohet se delegacioni i Kosovës, i përkrahur edhe nga BE, bëri edhe një herë të qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion brenda përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Delegacioni i Kosovës dhe shefi i saj Avni Arifi janë të përkushtuar që të gjitha marrëveshjet pa asnjë dallim të i implementohen menjëherë”, përfundohet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button