Shqipëri, fillojnë aktivitetet e “Javës Çame”

Në Shqipëri kanë filluar aktivitetet që do të organizohen në kuadër të “Javës së Historisë dhe Kulturës Çame”, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktivitetet nën sloganin “Çamëria nuk harron”, që do të organizohen deri më 23 qershor në përkujtim të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë në vitet 1944-1945, janë prezantuar sot gjatë një aktiviteti me pjesëmarrjen e personaliteteve nga fusha të ndryshme.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, tha në fjalën e tij përshëndetëse se shqiptarët e Çamërisë nuk harrojnë gjenocidin ndaj tyre.

“Historia shkruhet me qindra vite për kombet dhe në këtë qindvjeçar ne do duhet të shkruajmë me fjalë të arta qëndrese, gjithë dhimbjen dhe vuajtjen e njerëzve tanë. Do duhet të sjellim bukurinë e trevës tonë, por edhe tragjedinë e rrënimit që kemi lënë pas. Nuk ka vend më të dashur e më të trishtuar për ne se Varreza Monumentale e Kllogjerit, e vetmja varrezë kolektive e atyre përmasave në vend, ku humbën jetën me mijëra burra e gra, pleq e fëmijë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin lindur në vendin më të bukur të Shqipërisë dhe që fatkeqësisht u lanë të vetëm në tragjedinë e tyre”, tha Idrizi.

Sipas tij, historia do rishkruhet me çdo mjet apo mundësi dhe se “familja evropiane ka institucione e ligje që nuk i lejojnë vrasësit të kthehen në heronj”.

Gjatë aktivitetit për fillimin e “Javës Çame”, u ndanë disa “Mirënjohje” nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU për personalitete të ndryshme, si për ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Bujar Nishani, për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj dhe të tjerë.

Aktivitetet e “Javës Çame” që përfshijnë ekspozita, promovime librash, etj, do të përfundojnë më 23 qershor, me pelegrinazhin e përvitshëm që organizohet në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, në përkujtim të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kujtojmë se nga masakrat dhe gjenocidi grek ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj që njeh 27 qershorin si ditën përkujtimore të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button