Jahjaga, presidente deri më 2016?

Gjykata Kushtetuese javën e ardhshme pritet të konstatojë se shkurtimi i mandatit të Presidentes aktuale është në kundërshtim me Kushtetutën. Derisa PDK nuk përjashton mundësinë që të pranohet dëshira e presidentes që mbetet në këtë post deri në fund të mandatit që i garanton Kushtetuta, LDK dhe AKR e cilësojnë jo korrekte kërkesën e presidentes.
Në javën e tretë të këtij muaji, Gjykata Kushtetuese do të konfirmojë qëndrimin e Atifete Jahjagës se shkurtimi i mandatit të saj, përmes ndryshimeve kushtetuese, është në kundërshtim me dokumentin më të lartë juridik të shtetit.

Burime të Expressit brenda Gjykatës kanë treguar se argumentet e Presidentes për jokushtetutshmërinë e shkurtimit të mandatit të saj, qëndrojnë plotësisht.

Kështu, Atifete Jahjaga mbetet në Presidencë deri në vitin 2016.

Jahjaga ka përmendur tri argumente dhe tri nene të Kushtetutës që e pamundësojnë largimin e saj nga Presidenca deri në përfundimin e mandatit pesëvjeçar.

Pas kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga për mos ta larguar nga posti, PDK është e gatshme që ta negociojë marrëveshjen e arritur në mes të tre liderëve politikë, duke mos përjashtuar mundësinë që të pranohet dëshira e presidentes.

“Liderët politikë mund të takohen në një të ardhme të afërt dhe ta shqyrtojnë edhe një herë marrëveshjen për çështjen e presidentes. Ata mund të marrin një vendim në përputhje me interesat tona dhe në përputhje me rrethanat e reja të krijuar në Kosovë”, ka thënë për “Tribuna Shqiptare” Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Mirëpo, përfaqësues të LDK-së dhe AKR-së, kërkesën e presidentes e quajnë jokorrekte për faktin se ajo ka ardhur në pushtet pa vota.

“Presidentja e ka ditur se është zgjedhur për një afat të caktuar kohor dhe ka ardhur si rezultat i rrethanave politike dhe për ta tejkaluar këtë krizë politike”, ka thënë nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, duke shtuar se çdo devijim nga kjo marrëveshje krijon një praktikë të dëmshme në vend./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button