ZVEZDA DHE “YLLI”

Etniciteti dhe feja janë dy segmente shumë sensibile të qeniesimit human, të ndërtimit të shoqërive, në veçanti në kohën e rigjallërimit të nacionalizmave ballkanikë dhe të fetarësisë apo shenjtërive të rikthyera pas një periudhe të zbrazëtirës shpirtërore disadekadëshe të shkaktuar nga dhuna socialiste. Në nënqiellin shqiptar, pas turbulencave të viteve 1990 dhe fushatës së makinerisë gjenocidale serbe, është krijuar një animozitet ndaj kulturës sllave, në veçanti ndaj gjërave që ndërlidhen me shtetin serb. Ky është zeitgeisti gjeneral, që nganjëherë është totalist dhe demonizues deri në skajshmëri, që s’është një qasje e arsyeshme, sepse përgjegjësi kolektive nuk ka. Megjithatë, jazi që ndan shqiptarët nga serbët sociologjikisht është prezent, kuptohet në dherat tona diku më i gjerë e diku më i ngushtë. Në këtë drejtim shqiptarët e shtetit amë janë më fleksibël, siç konstatohet edhe fakte empirike (Bregoviqi mori çelësat e bashkisë së Tiranës, numri i femrave të martuara për serbë nëpër rajone të ndryshme të Serbisë, nga Shumadia deri në Timok, një emision në ABC News pagëzohet “Provokacija” etj.)

Ditëve të fundit në media dhe më gjer po diskuohet rreth prononcimit të një komentatori të RTSH-së, i cili u shpreh se në këtë Botëror të futbollit (Rusia 2018) do të bëjë tifo për Serbinë, që u cilësua si kontradiktore dhe antikombëtare dhe që tërhoqi kritika të ashpra nga opinioni publik dhe së fundmi nga shoqata e fanëve “Kuq e Zi”. “Unë jam tifoz i Zvezdës që kur jam rritur fëmijë, kështu që s’ka asgjë të keqe” – pohoi Grillo. Është interesante kjo ndjesi kaq “demokratike”, pa perde dhe disidente e një figure publike duke e marrë parasysh kujtesën kolektive shqiptare, historinë e afërt dhe prirjet në politikën zyrtare serbe për të mos u distancuar nga krimet e bëra. Do të ishte ndoshta më normale sikur të kishte ndodhur ajo që ka ndodhur lidhur me nazizmin, denazifikimi, ndërsa në rastin konkret lidhur me Serbinë do duhej të ndodhte demillosheviqizimi, pra pranimi i fajit. Toleranca është vlerë, sporti është para së gjithash miqësi, por i njëti sport ia vuri zjarrin Jugosllavisë. Ishin “grobarët” dhe “delitë” ata që promovonin urretjen ndaj gjithçkaje joserbe dhe superioritetin e racës serbe, për të dalë më pas në terren nga Kroacia, në Bosnjë e më pas edhe në Kosovë. Shumë kollaj e ka një komunitet që s’ia ka pësuar të “falë” ose të mos merret fare me të kaluarën, por pjesa e trungut kombëtar duhet të jetë unike, duhet të bashkëndjehet me pjesët e tjera. Me gjasë, mitologjizimi i Crvena Zvezdës (Yllit të Kuq) nga gazetari në fjalë vjen si pasojë e inferioritetit sportiv shqiptar në kontekstin ballkanik dhe më gjerë. Por, thua s’ka kombëtare tjetër që përmes strukturës së vet by default të tërheq kah vetja një shqiptar? Dashuri apo simpati e viktimës për xhelatin, e pengut për pengmarrësin, atashim emocional për dhunuesin – i thuan kësaj. Sindromi i Stokholmit.

Dhe ditën e bajramit, i shumëpërfoluri kryeministër aktual i Kosovës, në veçanti lidhur me fenë dhe islamin, gjatë vizitës së Bashkësisë Islame të Kosovës, në pyetjen e gazetarit nëse e kishte falur e namazin e bajramit, dha një përgjigje fatale, shumë denigruese: “Myftia e ka falë për mu!” Një njeri që thirret lider në asnjë mënyrë nuk do të duhej të sillej në këtë mënyrë. Mospjesëmarrja në lutje është e drejtë e tij, si edhe e çdo qytetari-njeriu tjetër. Por ama, ironizimi i fesë dhe i figurës së parë të jetës fetare të Kosovës, myftiut, në këtë mënyrë është një veprim tepër i pahijshëm, një skandal pa precedent i këtij “ylli” të verbër të politikës kosovare që pa mend mundohet të na e tregojë identitetin dhe kursin e së ardhmes. Respektimi i vlerave dhe shenjtërive të popullit duhet të jetë pjesë e kulturës së një udhëheqësi politik racional. Përçmimi i namazit dhe bajramit në këtë mënyrë ia ul vlerën subjektit te masa, ndërkohë duke shkaktuar pezëm dhe distancim prej tij. Prijësi politik është përfaqësues i masave andaj, së paku në ligjëratën e vet publike duhet të jetë në koherencë me atë që Durkheim e ka quajtur “përfaqësime kolektive”, ndër të tjera edhe me fenë, me misionerët e saj, bashkësinë e teologëve që të premten kishin festë bashkë me besimtarët. Skandali bëhet edhe më i madh kur merret parasyh fakti se nënçmimi ndodhi në shtëpinë e nikoqirit, në vatrën e lidershipit fetar. Këtë s’e mban as kodi kombëtar, as ai i përgjithshëm njerëzor. Këtë luks nuk ia lejojnë vetes as politikanët që kanë ishuj të vegjël besimtarësh myslimanë, madje edhe ardhacakë, emigrantë, e lëre më një lider i një shteti me mbi 95 % të popullatës myslimane. Një komoditet të s’besoj t’ia kishte lejuar vetes as Orbani, as Kurzi, madje as Dodiku.  Hajde ta marrim këtë pohim si gaf, shaka ose lapsus! S’e pranon mendja e shëndoshë. Analizë socio-psikologjike flet për një mendësi të mbetur nga koha e komunizmit kur për inteligjencien e tëhuajësuar apo të vetëtjetërsuar, besimtari dhe hoxha ishin simbol i dekadencës, i iluzioneve, i injorancës, andaj edhe përçmoheshin në mënyra të ndryshme, mes tjerash edhe në këtë formë: “A po shkon të falesh? Falu edhe për mua”, “Shkojnë na xhami vetëm mëkatarët”, “E kam zemrën e pastër.” Sot jetojmë një kohë tjetër, trendet janë të tjera. Kohezioni mund të arrihet vetëm me respekt të të çdo faktori shoqëror, me respekt edhe për fetarinë edhe për afetarinë. Respekt mund të gjejë vetëm ai që respekton tjetrin. Vetëm vizita nuk mjafton, duhet zgjedhur edhe fjalët që i themi kur komunikojmë me tjetrin, në veçanti kur jemi mysafirë. Ta përmbyllim me një sekuencë nga një bisedë Ramazani që e  zhvilluam me një mik intelektual në moshë në amulli shpirtërore dhe gjendje të padefinueshmërisë së vet në klimën e agjërimit dhe fesë, që mes tjerash na pyeti: “Si do i kem punët me Zotin?” “S’e dimë”- iu përgjigjëm – “s’kemi kurrfarë autorizimi për të dhënë kualifikime, as për indulgjencë e as për apostazi. Ardhmëria varet nga vetëllogaria. Njeriu është peng i veprave të veta.” Edhe “ylli i antipolitikës” shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button