Në SHBA diskutohet se çka po e pengon Ballkanin të integrohet në BE

Korrupsioni, sundimi i ligjit dhe reformat vazhdojnë të jenë vështirësitë kryesore të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian, thanë pjesëmarrësit në një diskutim për Ballkanin të mbajtur ditët e fundit në Universitetin Johns Hopkins në Washington, njofton VOA.

Sipas tyre, ndikimi negativ rus është një sfidë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekspertët gjithashtu theksuan se vendet e rajonit duhet të përqendrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të anëtarësimit në BE, si reformimi i sistemit të drejtësisë, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit.

“Ekziston një optimizëm jo realist në mesin e miliona njerëzve në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian”, tha Thomas Countryman, ish Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, gjatë një diskutimi në Universitetin Johns Hopkins. Sipas tij, vendet e Ballkanit duhet të përqendrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të procesit të integrimit.

“Është e rëndësishme për vendet e rajonit që ta kuptojnë se nuk ekziston një rrugë e pastër politike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të kaluarën disa vende kanë qenë të suksesshme në përpjekjet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes një rruge të pastër politike, pavarësisht se nuk i kishin përmbushur kushtet teknike. Krijimi i miqësive me vendet e Bashkimit Evropian, promovimi i kandidaturave për anëtarësim është gjë e mirë, por argumenti politik do të ishte njëqind herë më i fortë nëse ju i keni përmbushur kushtet teknike, përfshirë sundimin e ligjit”.

Countryman theksoi se sundim i ligjit nuk përfshin vetëm miratimin e ligjeve të mira, por zbatimin e tyre të plotë.

“Kjo nënkupton funksionimin e plotë të prokurorëve të pavarur të anti-korrupsionit, funksionimin e gjyqësorit të pavarur dhe një media e pavarur që lejohet të investigojë dhe të zbulojë se çfarë po bëjnë qeveritë, cilët politikanë po përfitojnë. Këto janë thelbësore për një vend që dëshiron ta quaj veten anëtar demokratik i Bashkimit Evropian”.

Ballkani mbetet përparësi e politikës së jashtme ruse dhe Moska e sheh praninë e saj në rajon, përfshirë në Mal të Zi, si një përpjekje për të balancuar praninë e Perëndimit atje, tha ish ndihmës Ministri malazez i Shëndetësisë, Nebojsha Todoroviq. Sipas, tij synimi i Moskës është destabilizimi i rajonit për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Strategjia e Rusisë në Ballkan është përçarja e rajonit në sfera të privilegjeve dhe interesave Perëndimore dhe Lindore, në bazë të fesë, historisë dhe faktorëve të tjerë. Për shembull, Rusia po shfrytëzon lidhjet historike dhe fetare me Serbinë dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për ta përdorur atë si një platformë për shtrirjen e ndikimit të saj në rajon”.

Në lidhje me këtë çështje, ish diplomati i lartë, Thomas Countryman theksoi se Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim dhe të nxisë vendet e Ballkanit që të imitojnë modelin e saj të një qeverie plotësisht të korruptuar, jo transparente që kontrollon median.

“Kjo nuk është një rrugë e mençur për asnjë vend në Ballkan. Putinizmi me fytyrë njerëzore nuk është formulë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Analisti Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins i tha Zërit të Amerikës se vendet e Ballkanit nuk duhet të injorojnë përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e integrimit euroatlantik të rajonit.

“Serbia ende flirton me Rusinë, sepse Rusia ka ndikim. Rusia ushtron ndikimin e saj në mënyrë legjitime përmes diplomacisë dhe në rrugë të tjera që mund të mos jenë legjitime. Asnjë politikan në Ballkan nuk mund të injorojë faktin që Rusia bëri komplot për vrasjen e Gjukanoviqit. Kjo do marrë seriozisht në konsideratë”.

Një prani më e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është e rëndësishme për përparimin e vendeve të Ballkanit në procesin e integrimit euro-atlantik, thanë pjesëmarrësit, por sipas tyre vendet e Ballkanit duhet të intensifikojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve të tyre demokratike. Në fund të diskutimit, Universiti Johns Hopkins nderoi ish Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Brian Hoyt Yee për arritjet e tij gjatë karrierës diplomatike në Departamentin e Shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button