Melania Trump shpreh shqetësim për politikën e migrimit në SHBA

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump ka shprehur shqetësimin e saj për politikën e migrimit që ndan familjet që ilegalisht hyjnë në SHBA.

Zëdhënësja e saj ka thënë se zonja Trump “urren kur sheh fëmijë të ndarë nga familjet e tyre” dhe dëshiron të shohë “reforma të suksesshme të imigrimit”, transmeton REL.

Komentet e saj kanë ardhur pas rritjes së pakënaqësive për politikën “zero-tolerancë” për migrimin të presidentit amerikan, Donald Trump.

Për këtë çështje ka folur edhe ish-Zonja e Parë amerikane, Laura Bush, duke e cilësuar politikën në fjalë si të “pamoralshme”.

Në periudhën e fundit gjashtë-javore është raportuar për rreth 2,000 ndarje të familjeve për shkak të kalimit ilegal të kufirit.

Të rriturit që tentojnë të kalojnë kufirin, shumica prej të cilëve planifikojnë të kërkojnë azil, janë duke u përballur me vepra penale për hyrje ilegale në shtet.

Si rezultat i kësaj gjendje, qindra fëmijë janë duke u mbajtur në qendra të ndalimit, larg prindërve të tyre.

Kjo politikë është kritikuar edhe nga grupe për të drejtat e njeriut dhe është cilësuar e pashembullt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button