GURI I KRISUR

kështu e quajtën gurin e zhveshur

që duket si salamandra salamandra

në majë të malit ku kalon monopati

i rojes së të kaluarës së hidhur

ku bënte punët e përditshme nëna ime

sadbereja e bukur si mollë

për të na mbajtur gjallë

unë mundohem ta krijoj atë çast në kujtesë

po s’ia dal ta zë bukurinë e imazhit të mrekullueshëm

e s’ka mbetur as ndonjë foto sepse aparati

s’kishte arritur në këto anë të braktisura

s’ka pasur mundësi që këtu të ndalej koha

dhe në të të shënohej buzëqeshja

dhe rrënja e dashurisë së pafund

të quajtur nënë

shenja më e rëndësishme dhe madhështore

për njeriun

këtu ka mbetur shenjë guri i krisur

ku ndonjëherë ulej nëna të merrte frymë nga lodhja

dhe në afërsi të të cilit në një shtëpi të vjetër

me oxhak të lartë

kam lindur unë

në vitin e turbullt dyzet e pesë

kur turma të ndryshme nga veriu

kishin ardhur të thonë se gjithçka është e tyre

edhe shtëpia jonë

edhe përroi

edhe miniera e vjetër edhe fusha e verdhë

edhe oborri i shukriut

edhe kroi i dalipit

edhe lagjja e shutajve

kishin ardhur këtu të bëhen pronarë të kopshteve

ta ndajnë përgjysmë sofrën tonë

të na e grabisin plangun

copën e bukës të na e marrin prej dore

edhe shpirtin të na e marrin si mall

ushtarë të përhumbur ishin

me sy të mjegullt

por fshati qëndroi në këmbë

etërit tonë nuk u dorëzuan

e ata nuk ia dolën

u kthyen kryelëvarur

kurse nënat nuk i ndalën ninullat

bashkë me nënën time të mirë

ata shkuan po mbeti guri i krisur

ta ndajë natën prej ditës

ta shoqërojë natën me hënë

kur nëna ma këndonte këngën më të bukur

e hëna hidhte plohur ari mbi pemë

duke i zbuluar shpendët e mëdhenj

që i ruanin kohët e shkuara

dhe duke e zbuluar bukurinë e nënës sime

që s’e gjen dot as nëpër legjendat plot krenari

dhe fshatarët që kthehen në fshtin e shkretëruar

me kuajt e ngarkuar me dru

që ndaleshin të pushojnë te guri i krisur

i cili i i zbuste dhembjet

dhe i forconte shpresat

i cili s’e duroi peshën e gjurmëve të të huajit

te ai gur që s’heq dorë nga krenaria

dhe është udhërrëfyes që shpie te legjenda

te ai gur që s’ka frikë nga zoti suprem i miteve

guri i krisur

shenjë e fëmijërisë sime së pafat

i dashurisë sime për nënën

i dashurisë së bërë nga dhembja

 

Poezi nga Asllan SELMANI
Zgjodhi Xhabir AHMETI

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP