Cipras i mbijeton mocionit të votëbesimit pas marrëveshjes me Maqedoninë

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i mbijetoi një votëbesimi në parlament këtë të shtunë, gjë që i hap rrugën marrëveshjes historike me Maqedoninë, për zgjidhjen përfundimtare të emrit, transmeton Top Channel. 

Mocioni ishte sjellë nga opozita, “Demokracia e re”, por u refuzua nga 153 deputetë. Vetëm 127 votuan votëbesimin. Kundërshtarët e kishin akuzuar Tsiprasin se po i bënte shumë lëshime Maqedonisë në marrëveshjen që do të firmoset të dielën.

Me mijëra grekë protestuan jashtë parlamentit kundër marrëveshjes me Maqedoninë, duke i kërkuar Tsiprasit të japë dorëheqjen. Policia përdori gaz lotsjellës për të mos lejuar turmën të futet në ndërtesë. “Kjo është një marrëveshje që do ta kishte dashur çdo kryeministër grek”, tha Tsipras në mbledhjen e qeverisë.

Po të kishte humbur, të majtët e zgjedhur në vitin 2015 do t’ia kishin dhënë mandatin presidentit, gjë që do të kishte çuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në sondazhet e bëra me publikun, ai është duke lënë pas që tani Demokracinë e Re, të qendrës së djathtë.

Greqia ka që në vitin 1991 që nuk bie dot dakord me emrin e ish republikës jugosllave. Argumenti i tyre është se emri “Maqedoni” nënkupton pretendime territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër, që është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe qytetërimit grek.

Kjo temë ka ndikime të thella emocionale për shuam grekë. Protestuesit përpara parlamentit bërtisnin “Tradhtar! Tradhtar!”, teksa ligjvënësit diskutonin brenda.

“Jam i zemëruar”, thotë Theologs Ambotis, 69 vjeç, një murg. “Të japësh emrin është si të japësh territorin. Maqedonia dhe Aleksandri i Madh janë pjesë të kulturës dhe historisë greke. Ata po ia japin Shkupit.”

Sipas marrëveshjes, vendi i ri ish jugosllav do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”, dhe Greqia do t’ia heqë kufizimet, që Maqedonia të afrohet më shumë me NATO-n dhe BE-në.

Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Kotzias, dhe homologu i tij Maqedonas, Nikola Dimitrov, do të firmosin një marrëveshje në zonën e liqenit të Prespës. Kryeministrat përkatës Tsipras dhe Zaev do të jenë gjithashtu të pranishëm.

Marrëveshja do të kërkojë miratimin e parlamenteve në të dyja vendet, si dhe një referendum në Maqedoni, rezultati i të cilit nuk dihet me siguri.

Presidenti i Maqedonisë tha që nuk e miraton marrëveshjen. Ndërkohë, partnerët e koalicionit të djathtë të qeverisë së Tsiprasit kanë thënë se do ta refuzojnë marrëveshjen kur të sillet për votim. Kjo pritet të ndodhë në fund të vitit.

Këtë të diel janë planifikuar protesta në të dy anët e kufirit.

Një deputet me Grekët e Pavarur, të së djathtës, tashmë në koalicion me Tsiprasin, u bashkua me Demokracinë e Re duke marrë duartrokitje nga opozita. Ai u përjashtua menjëherë nga kryetari i partisë.

Përjashtimi bën që Tsipras të ketë një shumicë prej vetëm 153 deputetësh në një parlament me 300 vende.

Udhëheqësi i Demokracisë së Re, Kiriakos Micotakis, tha se marrëveshja ishte sulm ndaj shtetit, dhe qeveria e Tsiprasit një makth.

“Kjo qeveri duhet të ikë para se t ëbëjë më shumë dëme kombëtare”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP