Ngushëllimet për babanë e kryeministrit Haradinaj

Babai i Ramush Haradinajt, Hilmi Haradinaj, ka vdekur mbrëmë, transmeton Koha.net.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka thënë se “bacën Hilmi do ta kujtojmë gjithmonë si një burrë të urtë, i cili i dha shumë Kosovës”.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për vdekjen e babait të heronjve të Kosovës, Luan e Shkelzen Haradinajt, bacës Hilmi. Në emër të Nismës Socialdemokrate dhe në emrin tim personal i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryministrit Haradinaj, familjes dhe gjithë miqve të bacës Hilmi! Bacën Hilmi do ta kujtojmë gjithmonë si një burrë të urtë, i cili i dha shumë Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës se tij! Pusho i qetë baca Hilmi”, shkroi ai në Facebook.


Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, pas vdekjes së Hilmi Haradinajt, ka shkruar se ai do të jetë sinonim i përballimeve dhe qëndresës.

“Baca Mil, sot u ndave nga kjo jetë, për të vazhduar përjetësinë me njerëzit tuaj heronj dhe gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit …!Do jeni sinonim i përballimeve dhe qëndresës…Lavdi”, ka shkruar ai në Facebook.

Ngushëllime ka shprehur edhe vartësi i Haradinajt në Qeveri, Behgjet Pacolli.

“Baca Hilmi dha gjithçka për Kosovën. Ai sot nuk është në mesin tonë, fizikisht, por kujtimi i tij do të jetë i paharruar. Ngushëllimet e mia më të thella familjes Haradinaj, Gllogjanit dhe tërë Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Hilmi Haradinaj.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi. Ishte një burrë i urtë, i matur dhe atdhetar i devotshëm, që Kosovës i dha shumë. Baca Hilmi përballoi shumë sfida në jetë. Ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Haradinaj, familjarëve dhe gjithë miqve të tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button