Franca voton, “rikthehet” dueli Hollande-Sarkozy

Dhjetëra miliona francezë kanë nisur t’i drejtohen kutive të votimit që prej mëngjesit të së dielës, për të përzgjedhur anëtarët e Parlamentit të ri të vendit. 

Nga rezultatet e zgjedhjeve do të përcaktohet nëse programi i reformave të parlajmëruara nga presidenti Hollande do të mbështetet nga francezët apo nëse opozita e “UMP”-së, partia e Sarkozy, do të arrijë të imponojë qeverinë e saj.

Sipas sondazheve parazgjedhore, socialistët dhe të djathtët pritet të kenë një diferencë shumë të ngushtë, me secilën prej palëve që vlerësohet në një mbështetje prej rreth 32%.

Votimet për Asamblenë Kombëtare janë të ngjashme me ato presidenciale, me disa kandidatë në garë në çdo rajon zgjedhor në raundin e parë, përpara balotazhit që do të zhvillohet një javë më pas.

Sipas ekspertëve, një fitore e socialistëve do t’i jepte mandatin Hollande që të vazhdonte me politikën e rritjes së taksave për të pasurit dhe të politikave të tjera fiskale që ka paralajmëruar.

Nëse të majtët do të humbin, presidenti Francois Hollande do të ishte i detyruar të shkarkonte nga detyra kryeministrin e sapozgjedhur, Jean-Marc Ayrault dhe të zgjidhte një tjetër kryeministër nga radhët e “UMP”-së.

Një koalicion me të djathtën është ajo që socialistët duan të shmangin me çdo kusht, por sidoqoftë, bashkëpunimi me partinë e gjelbërt dhe radikalët e majtë, sipas mediave franceze parashikohet gjithsesi i vështirë.

”Besojmë se rezultati do të jetë shumë i ngushtë”, shpjegoi Eric Bonnet, drejtori i qendrës së sondazheve “BVA”. “Socialistët, në çdo rast nuk ka gjasa të sigurojnë një shumicë të plotë vetë, prandaj ata duhet të përgatiten për një bashkëekzistencë të vështirë në një qeveri koalicioni”.

Këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për partitë ekstremiste, me komunistët dhe Frontin Kombëtar të Marine Le Pen që synojnë të kapitalizojnë paraqitjen e mirë të zgjedhjeve presidenciale të muajit prill, duke grumbulluar sa më shumë deputetë në Asamble.

Në rastin e Frontit, sipas sondazheve, kandidatë të partisë së ekstremit të djathtë do të jenë në gjendje të sigurojën një vend në Asamblenë me 577 anëtarë për herë të parë që prej viteve 1980. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button