GËZUAR BAJRAMIN!

Sot është Bajrami i Madh. Shqiptarët muslimanë i gëzohen festës kurorë të ditës së fundit të agjërimit. Vizitojnë, të afërmit, shokët, miqtë. Urojnë shëndet dhe të mira. Kujtojnë të dashurit që nuk janë më në këtë botë. Luten për shpirtërat e tyre. Ngushëllojnë zemërvrarit që sot kanë zi dhe festojnë me lot. Ndihmojnë skamnorët pa kulm mbi krye, që nuk arrijnë të sigurojnë kafshatën e gojës, sepse dikush ha me dhjetë lugë…

Kjo është e bukura e festave fetare, e mira e besimit pa hile në Zot, sa herë që praktikohet nga njerëzit e urtë, të cilët reflektojnë pozitivitet, jetojnë në harmoni me Zotin, me vetveten dhe me të tjerët, pa ua shitur shpirtin lakmive të sëmura.

Por, ka dhe të tillë që besimin e shfrytëzojnë/ e keqpërdorin/ e instrumentalizojnë… si mburojë për fshehjen e mangësive të edukatës dhe karakterit, mbrapshtive dhe sherreve, madje për maskimin e mercenarllëkut.

Prandaj, me rastin e festës së Bajramit të Madh, dua të uroj ata që kanë ruajtur NJERIUN brenda vetes; ata që i falen Zotit pse ua fali jetën, jo nga frika e ndëshkimit për pisllëqet e bëra; ata që nuk e fyejnë Perëndinë duke e identifikuar/ barazuar me pushtues, me sisteme satrape, me despotë…; ata që nuk aktrojnë të devotshmin për interesa meskine; ata që nuk shajnë besimet e të tjerëve dhe shenjtorët e tyre;  ata që nuk e sosin jetën bordellove, për të përfunduar pastaj në shitës morali; ata që nuk e luftojnë në emër të fesë etninë që Zoti ua bëri kësmet; ata që e duan Atdheun dhe nuk janë vënë në shërbim të armiqve të tij; ata që nuk turpërohen prej heronjëve të etnisë; ata që nuk e mohojnë kush jam-in, farën, gjakun, gjuhën, kujtimet e së shkuarës, varret e të parëve, këngë-vajet e atyre që posa kanë lindur…;  ata që nuk e hanë bukën pa e ngjyer me djersën e ballit; ata që nuk notojnë në mirëqenie pa u thënë kurrë dikush: puna e mbarë!; ata që nuk ua lëndojnë të tjerëve as shpirtin as trupin; ata që e kanë të qartë se liria e tyre nuk guxon të cënojë me asgjë lirinë e tjetrit, pavarësisht përkatësisë racore, etnike, fetare, politike…; ata që nuk e vrasin të ardhmen e të tjerëve, që nuk e vjedhin pronën e përgjithshme, që nuk ndërtojnë shtëpi në tokë mera; ata që nuk i bëjnë dëm tjetrit; ata që e pastrojnë shtëpinë në ditë festash dhe nuk e bëjnë bërllogun tallë përpara derës së fqinjit; ata që në dasmën e të birit nuk e çmendin dynjanë me tallava të zëshme, që ulërron me javë nga ora 5 e mëngjesit gjer në orën 2 pas mesnate; ata që nuk i bllokojnë rrugët me materialet ndërtimore që ua zë avllia; ata që nuk i terrin drutë e dimrit në rrugën e stërngushtë të mëhallës; ata që nuk ia besojnë rrugës rritjen dhe edukimin e fëmijëve; ata që nuk ua kanë kthyer shpinën prindërve; ata që e kuptojnë se nuk mund ta duam tjetrin pa e dashur vetveten; ata që respektojnë ndihmën e dhënë të miqve në ditët më të vështira; ata që nuk madhërojnë matrapazët dhe ata që përulen përpara martirëve të Atdheut.

Urime, pra, o njerëz të mirë!

Gëzuar për shumë vjet Bajramin e Madh!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button