Veprimet e palogjikshme të presidentit, të bojkotohet nga gjithë faktorët vendas dhe jashtë

Pas anulimit që bëri kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov lidhur me takimin me kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që duhej të mbahet në kuadër të vizitës zyrtare të Ivanovit në Bullgari, analistët dhe njerëz të zëshëm në Maqedonisë vlerësuan se me sjelljen e tij, Ivanov meriton të bojkotohet nga të gjithë dhe jo vetëm nga shtetet e rajonit, shkruan Portalb.mk.

Në disa deklarata për Portalb.mk, analistë dhe opinionistë shprehen se Ivanon me sjelljen e tij sidomos për mos pranimin e marrëveshjes me Greqinë, është pro destabilizimit të vendit dhe kundër eurointegrimeve.

Maleski: Çfarë mbjelli atë po korr Ivanovi

Ish ministri i jashtëm Denko Maleski thotë për Portalb.mk se bojkoti nga kryeministri dhe ministri i jashtëm bullgar janë rezultat i vetë bojkotit të Gjorge Ivanov të cilin e filloi dhe tani e përjeton edhe nga përfaqësuesit e shteteve të huaja.

“Sipas principit fillimisht duhet të ndërtojmë respekt drejt institucionit Kryetar, gjithashtu edhe kryetarët duhet të dinë se ata janë një lloj përfaqësimi për qytetarët dhe shëtitin. Këto skena të pakëndshme, si­ç ishte bojkoti nga kryeministri dhe ministri i jashtëm bullgar janë rezultat i vetë bojkotit të Gjorge Ivanov të cilin e filloi dhe tani e përjeton edhe nga përfaqësuesit e shteteve të huaja. Funksioni i tij nënkupton që të ulet dhe të dëgjon pa marrë parasysh se a pajtohet apo jo me aksionet e qeverisë, por pozita e tij është që të vendos harmoni dhe mirëqenie, kuptim, dialog të gjitha këto elemente dhe jo të mbaj inati, bojkot, demonstrim i pakënaqësisë dhe sipas kësaj populli ka një fjalë ‘çfarë mbjellim, do korrim’ na ngelet të shpresojmë që Ivanov do të ndryshojë punën e tij”, tha për Portalb, Maleski.

Ruzhin: Ivanov me arsye do të izolohet nga të gjithë

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se Ivanov  kundërshton edhe bashkësinë ndërkombëtare edhe vlerat euroatlantike dhe eurointegruese, në këtë mënyrë është e kuptueshme që ai do të izolohet në tërësi.

“Bojkoti si mjet diplomatik nuk është punë e re pasi që kjo është përdorur qysh në luftën e ftohtë dhe ndoshta edhe më parë. Tani kemi rastin kur Ivanov disa herë prish rendin e brendshëm të Maqedonisë me amnisti me kundërshtime të marrëveshjes me Greqinë, e cila do të na sjell vetëm  mirë. Me këtë ai i kundërshton edhe bashkësinë ndërkombëtare edhe vlerat euroatlantike dhe eurointegruese. Në këtë mënyrë është e kuptueshme që ai do të izolohet në tërësi dhe kjo gjë është e arsyeshme. Liderët që politikën e tillë siç e ka Ivanov, e izolojnë nga cili do lloj kontakti kështu që politika e tillë do të vazhdojë më tej nga disa arsye: Së pari Ivanov ka në konton e tij shumë gabime në lidhje me luftën për demokraci në Maqedoni, sepse ai mbështeti dhunën, krimin dhe korrupsionin, së dyti, kishte një sjellje diskriminuese të diktatorit ndaj shqiptarëve të Maqedonisë dhe e treta, ai tani është kundër një marrëveshjeje të cilën të gjithë ndërkombëtarët e përshëndetën pasi që ajo është hapja e rrugës jo vetëm për eurointegrime por edhe për stabilitetin e Maqedonisë dhe askush mund ta pranon rolin e tij destabilizues si njeri që thirr forcat ekstreme, ata që sulmuan kuvendin, madje edhe dyshohej se edhe ai ishte pas asaj grupe. Thjesht pyetëm që a thua ky njeri ka logjik të shëndetshme të mendimit, apo është në paranojë, gjë që është e rrezikshme nëse ke këtë funksion. Prandaj mendoj se duhet të bojkotohet nga të gjithë liderët e botës”, tha për Portalb, Ruzhin.

Jashari: Ivanon duhet të bojkotohet nga të gjithë

Bardhyli Jashari nga Fondacioni Metamorforzis thotë për Portalb.mk se  Gjorge Ivanov duhet të bojkotohet dhe izolohet, jo vetëm nga faktorët ndërkombëtar dhe regjional por edhe ata brenda në shtet.

“Po, duhet të bojkotohet dhe izolohet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe të vendit ashtu që të shihet qartë se është person destruktiv dhe i papërgjegjshëm i cili gjithmonë shkakton ngecje të panevojshme dhe ngadalëson çdo hap përpara të Maqedonisë. Sidomos kur marrëveshja me Greqinë nga të gjithë ndërkombëtaret dhe faktorët relevant të vendit perceptohet si hap i rëndësishëm drejtë BE dhe NATO, Ivanov edhe pse bart funksion me përgjegjësi sillet si fëmije që ka nevoje për vëmendje.” tha Jashari.

Selimi: Bojkotimi nga Borisov ishte vetëm një mesazh i qartë për izolimin ndërkombëtar që do të pasoj

Sefer Selimi nga Democracy Lab thotë për Portalb.mk se bashkësia ndërkombëtare është lodhur nga kapriçot dhe veprimet e pamatura të Ivanovit dhe bojkotimi i tij nga kryeministri Borisov ishte vetëm një mesazh i qartë për izolimin  ndërkombëtar që do të pasoj për të njëjtin.

”Presidenti Ivanov në mandatin e tij të parë luajti rolin e shurdhmemecit përderisa qeveria e kaluar robëronte shtetin. Në mandatin e tij të dytë, në të gjitha veprimet e veta ka qenë destruktiv dhe i papërgjegjshëm për pasojat e vendimeve të tij. Analizuar në këtë këndvështrim, Ivanovi si individ në rolin e presidentit do të shërbej si shembull krahasimor për keqpërdorim, dështim dhe nënçmimin që ia ka bërë institucionit president. Mendoj që edhe bashkësia ndërkombëtare është lodhur nga kapriçot dhe veprimet e pamatura të Ivanovit dhe bojkotimi i tij nga kryeministri Borisov ishte vetëm një mesazh i qartë për izolimin  ndërkombëtar që do të pasoj për të njëjtin”, tha për Portalb, Selimi.

Xhaferi: Shembulli i kryeministrit bullgar duhet të ndiqet edhe nga shtetet tjera

Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla thotë për Portalb.mk se shembulli i kryeministrit bullgar duhet të ndiqet edhe nga shtetet tjera (jo vetëm të rajonit) sepse një president që nuk ka respekt në vendin e tij nuk meriton të ketë respektin e askujt tjetër.

Mendoj që nga vet mënyra si u zgjodh Ivanov, (përmes lojërave politike të bojkotit, konsensualitetit dhe kandidatit shqiptar sa për figurë) nuk e ka patur kurrë legjitimitetin që duhej ta kishte një president shteti, prandaj është dashur me kohë të gjenden edhe mënyrat për ta larguar nga ky post. Shembulli i kryeministri bullgar duhet të ndiqet edhe nga shtetet tjera (jo vetëm të rajonit) sepse një president që nuk ka respekt në vendin e tij nuk meriton të ketë respektin e askujt tjetër.

Deralla: Ivanovin e bojkotojnë të gjithë pos Rusisë dhe Koresë Veriore

Xhabir Deralla nga OJQ Civil thotë për Portalb.mk se ekzistojnë argumente që ai është i bojkotuar dhe i izoluar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare me përjashtim të Rusisë, Koresë së Veriut dhe të ngjashme.

“Për fat të keq, personi që uzurpuar institucionin kryetar i shtetit, po e turpëron vendin edhe më tej. Ekzistojnë argumente që ai është i bojkotuar dhe i izoluar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare me përjashtim të Rusisë, Koresë së Veriut dhe të ngjashme. Vendimi i kryeministrit bullgar Borisov ishte shumë direkt, por kjo Ivanovit po i ndodh edhe me të tjerë në forma më pak të dukshme tani më një kohë të gjatë. Për atë nuk e kam gajle, por është turp për Maqedoninë dhe për banorët e saj”, tha për Portalb, Deralla.

Përndryshe vizita zyrtare e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov në Bullgari u përball me refuzim nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Dimitrov dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button