E dërguara e OKB-së takon Suu Kyi-n e Mianmarit

Qeveria e Mianmarit tha se këshilltarja shtetërore Aung San Suu Kyi dhe një e dërguar e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë diskutuar mbi zhvillimin e shtetit perëndimor Rakhine, ku një goditje ushtarake brutale ka detyruar gati një milion muslimanë Rohingya të ikin në Bangladeshin fqinj gjatë disa muajve të fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Christine Schraner Burgener, e dërguara e posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbërriti në Mianmar të martën. Ajo do të takohet me autoritetet e Mianmarit, udhëheqësit e organizatave të armatosura etnike, grupet e shoqërisë civile dhe udhëheqësit fetarë si dhe me diplomatët për të diskutuar çështje të tilla si kriza në Rakhine, procesi i paqes, procesi i demokratizimit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mianmarit, Suu Kyi dhe Burgener u takuan sot në kryeqytetin e vendit Nay Pyi Taw.

Në deklaratë thuhet se gjatë takimit, ata shkëmbyen pikëpamje mbi bashkëpunimin midis vendit dhe OKB-së në trajtimin e sfidave me të cilat ballafaqohet Mianmari, përfshirë edhe krizën e muslimanëve Rohingya.

“Këshilltarja shtetërore theksoi nevojën që e dërguara e posaçme të përpiqet të njohë situatën në terren dhe kompleksitetin e saj në një mënyrë më objektive”, tha deklarata e ministrisë.

Burgener qëndron në vizitën e saj të parë në vend për t’u mbajtur lidhjet me qeverinë e Mianmarit me qëllim për të rritur bashkëpunimin e kësaj qeverie me OKB-në dhe që në mënyrë konstruktive të trajtojnë çështjet e shtetit Rakhine dhe për të ofruar ndihmë në afrimin e komuniteteve budiste në Rakhine dhe muslimanëve Rohingya.

Nga Mianmari, Burgener do të vazhdojë vizitën e saj në vende të tjera në rajon, përfshirë Bangladeshin.

Sipas Amnesty International, që nga 25 gushti i vitit 2017, më shumë se 750 mijë refugjatë, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit filluan një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.

Sipas Mjekëve pa Kufij, të paktën 9.400 muslimanë Rohingya u vranë në Rakhine nga 25 gushti deri në 24 shtator të vitit të kaluar.

Në një raport të publlikuar kohët e fundit, grupi humanitar tha se vdekjet e 71,7 për qind ose 6.700 muslimanëve Rohingya u shkaktuan nga dhuna. Ato përfshijnë 730 fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

Muslimanët Rohingya, të përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të përndjekur në botë, janë përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

OKB-ja dokumentoi përdhunime në masë të grupeve, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga personeli i sigurisë.

Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button