Kongresistet amerikan përkrahin Kosovën në proceset integruese

Me ftesë të Kongresit Amerikan, deputetet e Kuvendit të Kosovës, Teuta Sahatqija, Flora Brovina dhe Donika Kadaj – Bujupi, po marrin pjesë në seminarin e organizuar nga Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësueseve.

Deputetet e Kuvendit të Kosovës u njoftuan për strukturën e Legjislaturës së SHBA-s, ndërkaq gjatë takimeve me kongresmenë dhe përfaqësues u diskutuan temat për thellimin e kontakteve me gratë udhëheqëse dhe zgjedhësit, shfrytëzimin e punës kërkimore për të çuar përpara programet e politikave, komunikimin me zgjedhësit etj.

Në hapje të këtij seminari, deputetja Teuta Sahatqija, ka falënderuar në emër të delegacionit nga Kosova për ftesën dhe përkrahjen që SHBA-ja i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Sahatqija ka theksuar se GGD-ja është themeluar në korrik të vitit 2005 me rastin e ardhjes në Kosovë, të znj Madeline Albright. Ajo falënderoi veçanërisht edhe NDI-në në Kosovë, për kontributin që u jep institucioneve të Kosovës sidomos Kuvendit, pastaj në punën e komisioneve parlamentare, duke përkrahur në forma të ndryshme organizimin e tryezave tematike, pastaj në kontributin në reformat në partitë politike, si dhe përkrahjen e NDI-së për ta fuqizuar rolin e gruas në vendimmarrje.

Sahatqija ka thënë se GGD-ja është grup që përbëhet nga pjesëtare të të gjitha partive politike dhe të gjitha nacionalitetet. Pastaj, Sahatqija foli për angazhimin e GGD-ës për ta fuqizuar pozitën e gruas edhe me ligje, duke përmendur Ligjin për barazi gjinore, Ligjin Kundër diskriminimit, Ligjin e punës dhe Ligjin për zgjedhjet. Ajo përmendmi edhe organizatat tjera nga bota të cilat ndihmojë deputetet e Kosovës.

Flora Brovina pasi përshëndeti organizatorët dhe pjesëmarrësit, i njoftoi të pranishmit për të arriturat e grave të Kosovës me theks të veçantë në sferën e edukimit. Ajo ka theksuar se në Kosovë në mënyrë të barabartë arsimohen, si vajzat ashtu edhe djemtë, mirëpo siç tha ajo, në lëmin e punësimit të femrave mbetet akoma shumë për të dëshiruar.

Donika Kadaj – Bujupi, me këtë rast ka thënë se përkundër progresit të arritur në Kosovës gjatë dekadës së fundit, ky shtet ka sfida të mëdha, si: zbatimi i ligjeve, mungesa reformave, lufta kundër korrupsionit,ngritja e standardit jetësor,ulja e varfërisë përmes fuqizimit ekonomik të grave etj.

Deputetet u takuan me kongresistët, David Dreirer, David Price dhe Susan Davis.

Delegacioni i Kosovës u takua edhe me Melanne Verver, ambasadore shëtitëse për çështjet globale të grave nga Departamenti i Shtetit. Deputetet u pritën edhe në Kongresin Amerikan nga kongresistët, Gven More nga Komiteti i Shërbimeve Finaciare, Cyntia Lummis, Lois Capps, Kay Granger, dhe Nita Lowey .

Delegacioni i deputeteve nga Kosova pasi njoftoi kongresistet për situatën dhe synimet e Kosovës kërkuan nga ato që të vazhdohet edhe më fuqishëm përkrahja e SHBA-së, sidomos në anëtarësimin dhe përfshirjen e Kosovës në institucione dhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kongresistet shprehën vullnetin për të përkrahin më shumë Kosovën në proceset integruese dhe në shtimin e njohjeve nga shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën./botasot/

Lajme të ngjashme

Back to top button