Armiqtë para portës

Erdhi dita e shumëpritur kur kontesti 27 vjeçar për emrin e këtij shteti po gjen zgjidhje. Një marrëveshje e pranuar nga qeveritë e të dy vendeve, shembull se si arrihet një kompromis i pranueshëm për të dyja palët, shembull se si udhëhiqet shteti nga burrështetas të cilët kanë vendosur të zgjidhin probleme, dhe jo të krijojnë të tjera e as të keqpërdorin ndjenjat e qytetarëve për të bërë poena politikë.

Burrështetas të cilët janë dakord të rrezikojnë ta djegin karierën e tyre të ardhshme politike me qëllim që të zgjidhin një problem i cili kërkon mbi të gjitha guximin për t’u sjellë si lider i matur i cili mendon për të ardhmen e vendit dhe jo si politikan i cili mendon vetëm deri tek zgjedhjet e ardhshme. Ishte e qartë që në fillim, në qoftë se Zaev dhe Cirpas nuk do të arrinin ta zgjidhnin këtë kontest, askush asnjëherë nuk do të arrinte. Ishte thjesht momenti perfekt dhe ata ishin njerëzit e duhur për të bërë hapin e guximshëm që askush para tyre nuk arriti ta bëjë. Është ky moment historik për të dy vendet i cili do të jetë objekt studimi, ndërsa vetë marrëveshja e lidhur, do të jetë rast studimi në të gjitha librat e marrëdhëneve ndërkombëtare në të ardhmen.

Por, secili që mendon që me 27 Prill të vitit të kaluar mbaroi regjimi i Gruevskit dhe filloi përfundimisht jeta e re në Maqedoni e cila nuk mund të ketë më asnjë lidhje me të kaluarën 10 vjeçare e ka gabim. Forcat e errëta të cilat e mbajtën Gruevskin 10 vite në pushtet janë ende aty, nën hije, duke kërkuar kanale për të bërë trazira, duke kërkuar rrugë për t’u kthyer prap aty ku ishin dhe ashtu siç ishin, pushtetarë absolutë, zotër të jetës dhe lirisë sonë. Armiqtë janë para portës së këtij shteti të vogël i cili mundohet të krijojë vendin e vetë në Evropën perëndimore e cila poashtu ka dilema të mëdha nëse duhet t’i japë aty hapësirë ose jo.

Dhe ata armiq nuk janë shqiptarët, sado që Komitët dhe protestuesit tjerë që edhe tani brohorasin duke kërkuar vdekje për “shqiptarët e mallkuar” nuk e kuptojnë se shqiptarët në këtë shtet kanë qenë gjithmonë zgjidhës të problemeve dhe jo krijues të tyre. Ata armiq nuk janë as Grekët të cilët treguan gatishmëri të vijnë deri tek një marrëveshje më tepër se dinjitoze për të dy anët. Ata armiq nuk janë as Bullgarët sepse që kur u nënshkrua Marrëveshja për fqinjësi të mirë, ata kanë qenë përkrahësit tanë më të mëdhenj në rrugën drejt euro-integrimeve. Jo, as Bashkësia ndërkombëtare nuk është armiku, pavarësisht se të njëjtit protestues para një kohe publikuan nekrologët e tyre.

Armiqtë janë të tjerë, dhe ata paturpësisht tentojnë të zbukurohen me penda patriotike dhe të shiten si burrështetas të mëdhenj, ndërsa në fakt mundohen ta varrosin të vetmin shans që ky vend përfunimisht të ecë para, të dalë nga qorrsokaku dhe të mos jetë më zorra e verbër e Evropës por një storie suksesi. Këta janë të njejtit armiq që na krijojnë probleme për një kohë të gjatë edhe atë gjithmonë në emër të një farë patriotizmi që vetëm në kokat e tyre ka kuptim.

Kryearmiku i kësaj çete armiqsh që kërkon ta zhbëjë këtë vend është as më pak e as më shumë shefi i shtetit. Sa i përket këtij personi fajin e kemi të gjithë nga pak, bile edhe ne shqiptarët, sepse si popull u bindëm tek kërkesa për të bojkotuar zgjedhjen e tij me çka në fakt kontribuam direkt që ky person të fitojë mandatin e dytë dhe të krijojë problem të njëpasnjëshme me pasoja të rënda dhe afatgjate. E pra shefi jonë i shtetit njihet si patriot shumë i madh që nga koha kur solli faljet e tij spektakolare, sepse të falësh pa procedurë paraprake dhe duke u bazuar në nen të ligjit për falje i cili nuk ekziston, me qëllim që të shpëtosh nga ndjekja penale funksionarë të lartë shtetërorë të akuzuar për korrupsion dhe për krim të organizuar, është akti më i lartë patriotik që një shef shteti mund ta bëjë. Pikërisht ky patriotizëm i tij kontribuon sot e kësaj dite që persona si Grujevski e Boshkovski të mos mund të sillen para drejtësisë dhe si patriotë të vërtetë të jepen në arrati. Patriotizëm i madh se jo shaka!

E tani ky shefi jonë i shtetit flet për Marrëveshjen e arritur për emrin e shtetit si për një ndërtesë politikisht të egër e të ndërtuar pa leje dhe thotë që populli duhet të jetë i qetë sepse ai asnjëherë nuk do e nënshkruaka atë. Jo, as që pres ta nënshkruajë, sepse ai ka standarde të larta për të nënshkruar gjëra të kundërligjshme dhe faljet e tij, për të cilat ai ende vetë nuk ka kërkuar falje, janë shembulli më i mire për këtë. Bile në atë kohë Kuvendi vendosi ta tejkalojë vetëvehten dhe të lejojë mbindërtim të asaj ndërtese pa leje që ai ndërtoi duke krijuar bazë juridike që ai të tërhiqte faljet por pa tërhequr pasojat që ato falje i shkaktuan.
Është vërtet absurde kur Ivanov flet për mbrojtje të Kushtetutës, të poasaj Kushtetute që ai dita ditës e shkel duke mos nënshkruar Dekretin për shpalljen e Ligjit të gjuhëve, të poasaj Kushtetute që ai e bëri leckë duke e shkelur kur nuk i jepte mandatin shumicës parlamentare në Shkurt të vitit 2017, të poasaj Kusthetute që ai e shumëzoi me zero kur i dha faljet tërësisht kundërkushtetutese në Prill të vitit 2017. Por fajin e kemi të gjithë ne, se ne e kemi lejuar gjithë këto vite të tallet me ne, me arsyen tonë dhe me të drejtat tona.

Armiku tjetër i cili i kanoset momentalisht ardhmërisë së këtij vendi është VMRO-DPMNE kinse e reformuar. Në vend që të bashkangjiten në kauzën e përbashkët të nxjerrjes së vendit nga qorrsokaku ata me ngulm kërkojnë që ne të hymë edhe më thellë në atë qorrsokak. Ata nuk japin asnjë alternativë tjetër përkundër integrimeve në NATO dhe BE, e megjithatë tentojnë ta sabotojnë zgjidhjen e kontestit të emrit që në fakt është kushti kryersor që ato integrime të realizohen. Dhe mbi të gjitha, e quajnë vehten të reformuar! E çfarë reformash janë ato që nuk distancohen nga kriminalitetit i kryer në emër dhe në llogari të VMROsë gjatë 11 viteve të kaluara?
E çfarë reforme ka përjetuar subjekti që nuk është në gjendje të distancohet nga dhuna e 27 prillit por tani nxit dhunë të re në vend që të shërbejë si subjekt i arsyeshëm? E çfarë reformistësh janë ata që nuk arrijnë të bëjnë dallim mes patriotizmit të vërtetë të shpëtimit të ardhmërisë së vendit dhe patriotizmit fallco të marrjes së pasaportave bullgare për t’u shpërngulur sa më herët në vendet evropiane? Edhe këta reformistët e VMROsë nuk e di për çfarë reformash flasin, por momentalisht statusin që e kanë është status i armiqve tek porta që kërkojnë të na kthejnë në kohën e gruevizmit.

Dhe armmiku i tretë janë ata që në këto kohëra senzitive i nxisin qytetarët të dalin e të protestojë sepse gjoja u humbeshka identiteti. Profesorë universitarë, përfaqësues të partive të vogla demek majtiste, ndërsa në esence shumë më nacional-shoviniste se sa e djathta ekstreme, nxisin që nxisin trazira duke rrefuzuar ta kuptojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë moment historik i cili do të na hapë rrugën e ardhmërisë. Dhe pikërisht ata, që sillen si shumë të emancipuar, tani kërkojnë shpëtim nga Ivanov, pikërisht nga ai të cilin ata, para do kohe e kritikonin për sjellje kundërkushtetuese. Është e çuditshme, këta njerëz sikur nuk duan që ky shtet të ketë të ardhme, të ekzistojë e të funksionojë dhe e nxisin qytetarin të protestojë kundër vetvehtes, kundër ardhmërisë së vetë.

Ndërsa qytetarët protestues vazhdojnë të protestojnë sipas butonit. Mbremjen kur u shpall marrëveshja askush nuk doli në rrugë. Të gjithë protestuesit dolën të nesërmen, pasi dëgjuan Mickovskin, Ivanovin dhe shovinistët tjerë. Është më se e qartë që dëmi që këto institucione që sillen si armiq të shtetit e bëjnë është i madh dhe pasojat e suksesit eventual të tyre poashtu do të jenë të mëdha.

A do të arrijmë të mbrohemi nga këta armiq të cilët i rrezikojnë portat e këtij shteti që sapo ka filluar të mëkëmbet e të ketë një ardhmëri të sigurtë? A do t’u lejojmë që të na rrëmbejnë nga duart lirinë e fituar me shumë mund? A do të lejojmë të na kthejnë sërrish në skëterën e mafiokracisë prej të cilës ende tërësisht nuk kemi shpëtuar? Kohë tjetër nuk do të ketë, as moment tjetër historik si ky nuk do të ketë. Është tani ose kurrë më.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button