Gjermania i jep Kosovës grant në vlerë prej 8 milionë euro

Sot është nënshkruar marrëveshja për grantin në vlerë prej 8 milionë euro për “Mënjanimin e ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – Faza V” në qytetet e Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës dhuruar nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja është nënshkruar në mes të ministrit të Financave të Kosovës, Bedri Hamza dhe nga udhëheqësi i Zyrës së Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, René Eschemann, si dhe nga Kryeshefat e Kompanive Rajonale të Ujësjellësve të Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.

Ministri Hamza në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se kjo marrëveshje e cila e ngrit shumën e marrëveshjeve që janë në formë të grantit nga Qeveria e Gjermanisë, që kapin vlerën rreth 40 milionë euro. Ai theksoi se këto grante po kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Përveç si shumë e madhe dhe domethënëse kontributet e Republikës së Gjermanisë janë shumë kualitative dhe ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve siç janë ato në fushën e energjisë, arsimit, shëndetësiësë dhe në sektorit e ujërave që janë projektet e nënshkruara sot”, tha Hamza.

Ai përgëzoi edhe kryeshefat e kompanive rajonale të ujësjellësve gjatë implementimit të suksesshëm në këtë fazë të re e cila, siç u shpreh, do t’iu mundësojë atyre të pajisen me pajisjet e nevojshme për identifikimin, ndarjen dhe trajtimin e ujërave të zeza dhe ujërave atmosferike.

Ndërsa, udhëheqësi i Zyrës së Bankës Gjermane për Zhvillim- KfW, René Eschemann, theksoi se këto fonde në vlerë prej 8 milionë euro janë vetëm një komponentë shtesë e projekteve që janë në vazhdim e sipër në tri qytete ku janë investuar 41 milionë euro në total. Siç tha ai, trajtimi i ujërave të zeza është një sfidë e re për Kosovën sidomos kur kemi të bëjmë me ndryshmet klimatike.

“Pasi jemi përfshirë me furnizim 24 orësh me ujë në rajonet e Kosovës atëherë logjika tjetër është se çfarë duhet të bëjmë me ujërat e zeza. Ndikimi i këtyre projekteve është më pak i dukshëm për qytetarët por ndikimi real është më i madh sa sa furnizimi me ujë”, tha Eschemann.

Sipas tij, trajtimi i ujërave të zeza ka të bëjë me mbrojtjen ekzistuese të resurseve të ujit në mënyrë që nesër të kemi ujë të pastër dhe të mjaftueshëm. Ai tha se me këtë projekt mund të sigurohemi që do të përdoret teknologjia e duhur për trajtimin e ujërave të zeza dhe se kompanitë regjionale të ujësjellësve do të jenë në gjendje ta vën në funksion këtë teknologji.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha se sistemi për mënjanimin e ujërave të zeza është i posaçëm për shkak se gjithçka kalon nën tokë dhe nuk shihet duke shtuar se kjo ka rëndësi për ambientin dhe në përmirësimin e kushteve të jetës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button