Simpoziumi i Dytë Ndërkombëtar i Artit “Struga 2018” – Strugë

Nga 18 deri më 23 qershor 2018, në Strugë, për herë të dytë organizohet Simpoziumi ndërkombëtar i artit “Struga 2018” ku pjesëmarrës do të jenë rreth 40 artistë të njohur nga 20 shtete të botës. Ky aktivitet ndërkombëtar organizohet nga Shoqata për Art dhe Kulturë SILINDAR’T me financim nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, Komuna e Strugës si dhe donatorë të  tjerë.

Kurator i ekspozitës është artisti Burhan Ahmeti me koordinatorët: Verim Zendeli, Teuta Hoxha Imeri dhe Kristina Zaturovska. Konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme në fushën e artit pamor për qytetin e Strugës dhe vlerësohet si një kontribut me peshë për zhvillimin e turizmit përmes aktiviteteve kulturo-artistike me karakter ndërkombëtar.

Artistë të shumtë do ta vërshojnë Strugën, ku me penelatat e tyre do të kenë mundësi që inspirimin nga bukuritë e rralla të Strugës t’i hedhin në telajo duke krijuar vepra arti. Kaq shumë artistë, diku dyzet në numër, nga 20 shtete të botës edhe atë nga Amerika, Italia, Japonia, Malta, Franca, Sllovakia, Rumania, Ukraina, Belgjika, Australia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, me forma të ndryshme të shprehjeve artistike do të krijojnë dhe do i shijojnë bukuritë natyrore të kësaj ane si dhe mikpritjen strugane.

Artistët pjesëmarrës nga vende të huaja të këtij simpoziumi ndërkombëtar, janë:

Zsuzsanna Ardó, Jorg Van Daele, Victoria Bilogan, Elisa Carreno, Saimir Strati, Karol Felix, Maximo Damico, Lea Popinjac, Jo Ann, Amra Hodžić Jejna, Snegana Melnik, Barbara Demšar, Faton Kryeziu, Isao Tomoda, Arion Asllani, Marinela Asavoaie, Jona Dividi, Marta Živičnjak, Lida Sherafatmand, Genti Tavanxhiu, Mohamed Hemida, Albulena Jashari, Alaybey Karoğlu, Ajla Dazdarević, Vahida Nimanbegu dhe Arif Lushi, ndërsa artiste vendas nga Maqedonia janë:

Safet Spahiu, Dita Starova, Dejan Ivanov, Abdi Bajrami, Maja Raunik Kirkov, Sindis Ademi, Maja Dimitrova, Dali Alili, Teuta Hoxha Imeri, Verim Zendeli, Kristina Zaturovska, Xhezair Rexhepi, Bejtulla Zaimi dhe Burhan Ahmeti i cili njëherit është edhe si organizator i këtij simpoziumi.

Deri më tani Shoqata për Art dhe Kulturë “Silindart” ka organizuar disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare në Gostivar, Tetovë, Strugë dhe Shkup, ndërsa ky simpozium arti do të jetë shumë më madhështor nga viti i kaluar, pasi që organizatorët kanë planifikuar edhe tryezë të rrumbullakët me të gjithë artistët pjesëmarrës, ku do të diskutohet për gjendjen e artit figurativ në botë, përparësitë dhe mangësitë e simpoziumeve dhe kolonive të artit, si dhe do  të miratohen konkluzione dhe rekomandime konkrete.

Ky simpozium ndërkombëtar i artit do të organizohet në një ambient të shkëlqyer me pamje të mrekullueshme nga liqeni i Ohrit, e cila pamje do të jetë një stimul dhe inspirim shtesë që piktorët që të japin maksimumin e tyre.

Organizimet e këtilla padyshim se kërkojnë përkrahje financiare. Sivjet ky aktivitet është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, organizatorët me një vullnet të madh duke sakrifikuar gjithçka, dhe falë donatorëve tjerë dhe miqve të tyre arritën që t’ia dalin me shumë vështirësi. Organizatorët u falënderohen publikisht të gjithë atyre që kontribuuan në mënyra të ndryshme, edhe atë: Komuna e Strugës, Hotel Solferino dhe Kryqi i Kuq – Strugë, Nebi Holding- Debresh, Foto Studio AKON – Gostivar, Teatri Poshka, Nani Print dhe Inbox studio.

Simpoziumi i dytë Ndërkombëtar i Artit “Struga 2018” do të jetë edhe një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët e Strugës me rrethinë dhe artdashësit tjerë nga vende tjera që të bëhen spektatorë në çfarëdo momenti të punës së krijimit të veprave të artit, të shikojnë se si artistët një telajo të bardhë e transformojnë në një vepër arti. Gjithashtu, në këtë aktivitet do të vijë edhe artisti i njohur i mozaikut Saimir Strati, fitues i dhjetë rekordeve të Ginisit, gjithashtu do të merr pjesë edhe skulptori i njohur belg i cili do ta skalisë gurin duke e shndërruar në vepër arti.

Këto janë vetëm disa nga veçoritë e simpoziumit, pasi që artistët do të bashkëpunojnë edhe mes veti, me studentë të artit, artdashës tjerë dhe nxënës që do të vijnë si vizitorë, ku do tu krijohet mundësia e krahasimit të dijeve, qoftë në aspektin teknik e teorik si dhe eksperiencat e tyre. Do të krijohen njohje dhe miqësi të reja të cilat mund të kthehen në të ardhmen në bashkëpunime tjera serioze.

Ky simpozium ndërkombëtar i artit në Strugë, para përfundimit, natën e fundit më datë 22 qershor 2018, do të organizojë ekspozitë në hapësirat e hotel Solferino në Strugë, pikërisht aty në ato ambiente ku do të realizohen veprat e artit.

Këshilli organizativ i këtij Simpoziumi ka paraparë një program të begatshëm kulturor dhe turistik për artistët pjesëmarrës në Strugë, me qëllim që artistët të mbeten të kënaqur dhe të vijnë e ta vizitojnë sërish Strugën, këtë perlë të Ballkanit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button