Cilat ushqime preferohen për personat që studiojnë deri natën vonë ?

Kur kemi parasysh se shumë persona e sidomos studentët rrinë zgjuar deri natën vonë duke studiuar, veçmas në kohën e provimeve, kur rritet edhe stresi, kjo gjë kërkon domosdo energji për të përballuar gjumin dhe lodhjen.

Ndoshta kjo listë e udhëzimeve nuk do t`ju sjell ndonjë mrekulli, por ajo që do të konsumoni gjatë kohës së studimeve tuaja, me siguri se do t`ju sjell përfitime të mira për të ardhmen tuaj.

Disa udhëzime se çfarë ushqime ju duhen për energji, përqendrim dhe anti-stres:

  1. Mos e anashkaloni vaktin e darkës

Çrregullimi i kohës së të ushqyerit shpie në tronditjen e ritmeve fiziologjike të jetës, në çrregullimin e mekanizmave drejtues nervor e hormonal dhe të proceseve të ndërlikuara biokimike e fiziologjike, të cilët qëndrojnë në themel të tretjes së ushqimit.

Anashkalimi i vaktit të darkës do t`ju bëjë të ndiheni të pangopur dhe kjo do të ndikojë në zgjedhjen e ushqimit tuaj e sidomos kur e dini që keni një studim serioz për të bërë, deri natën vonë.

  1. Hani ushqime me përmbajtje të hekurit

Kërkoni burime të mëdha të hekurit, të tilla si mëlçia, veshkat, zemra, frutat e thata, mishi i kuq, vezët, midhjet, perimet e gjelbra, fasulet, lakra, spinaqi, thjerrëzat, rrepkat, kajsia, pjeshkat, kumbullat etj. Pse është hekuri kaq i rëndësishëm? Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, hekuri është një mineral esencial që ndihmon për të transportuar oksigjen nga mushkëritë rreth trupit. Pamjaftueshmëria e hekurit mund të ju bëjë të ndiheni të ftohtë, të dobët dhe të lodhur.

  1. Konsumoni ushqime që ndihmojnë përqendrimin e trurit

Ushqimet më të mira për shëndetin e trurit, kujtesën dhe përqendrimin, janë boronica, avocado, peshku salmon, skumbri dhe sardele, brokoli, farat e kungullit, çokollata e errët, vaji i ullirit ekstra i virgjër dhe arrat.

  1. Konsumoni ushqimet kundër stresit

Ushqimet më të mira kundër stresit (antistres) janë: avokado, shpargu, gjeldeti, boronica, peshku salmon, tërshëra, zarzavatet me gjethe, fëstëkët, specat e kuq, çokollata e zezë, uji, qajrat bimorë dhe lëngjet e frutave të freskëta.

  1. Provoni ushqime që ju mbajnë zgjuar

Përpos vaktit të darkës, ku porcioni juaj duhet të jetë i kombinuar me disa nga llojet e ushqimeve të cekura më lart, ju duhet të siguroni edhe një mes shujtë për më vonë. Në këtë mes shujtë mund të ketë ushqime që ju mbajnë zgjuar, si kokoshka, perime të freskëta të pjekura, hummus dhe kërpudha, ose shkopinj me djathë, por me pak yndyrë, ose kos me yndyrë të ulët, me arra ose fara, ose një rriskë bukë të mbushur me feta gjeldeti dhe fletë marule. Mos anashkaloni edhe frutat, si  mollë, dardhë, rrush, manaferra, pjeshkë, kivi, banane, hurmë etj.

  1. Ushqimet që duhet reduktuar

Shumica e studentëve konsumojnë patate të skuqura, biskota si dhe ushqime të tjera të përpunuara, që mund të sigurojnë energji të menjëhershme, por kjo energji nuk do t`ju mbajë gjatë.

Ushqimet e skuqura do t’ju bëjnë të përgjumur, sepse sistemi juaj i tretjes duhet të punojë më shumë se zakonisht për të përpunuar yndyrat që përmbajnë këto ushqime. Dhe, ushqimi i skuqur nuk do të ofrojë asnjë lloj favorizimi për organizmin  tuaj. Edhe kafeina duhet të shmanget. Megjithëse është një stimulues, pa dyshim se do të ndiheni edhe më të lodhur nga përdorimi i kafeinës. Zëvendësojeni atë me një filxhan qaj bimor, ose një gotë lëng frutash të freskët.

Pirja e ujit është një zgjidhje shumë e drejtë, duke pasur parasysh se edhe dehidrimi i lehtë mund të zgjasë energjinë tuaj. Prandaj këshillohet që të pini ujë gjatë gjithë natës, nëse keni vendosur të rrini zgjuar deri vonë. Nëse jeni të lodhur nga shija e ujit, atëherë shtoni një grusht frutash (si manaferra) ose feta agrume (si limon, portokall) për një shije natyrale të ëmbël dhe freskuese.

…………………………………..

Autorja është konsulentë për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button