“Aquarius” drejt Spanjës, 900 emigrantë të tjerë në Itali

Një skuadrilje anijesh me qindra emigrantë të shpëtuar nga anija “Aquarius”, po udhëton drejt Spanjës.

Të shpëtuar në Mesdhe gjatë fundjavës, 629 pasagjerët e “Aquarius” nuk u lejuan të hynin në Itali mbrëmjen e të dielës, pasi ministri i brendshëm Matteo Salvini tha se vendi i tij kishte pranuar më shumë emigrantë nga sa duhej, transmeton TCH.

Pasi edhe Malta tha jo, Spanja u hodh në ndihmë dhe emigrantët, mes të cilëve një numër i konsiderueshëm fëmijësh dhe minorenësh të pashoqëruar, u transferuan nga anija e tejmbushur “Aquarius” në anije të tjera, për t’i çuar ata drejt Valencias. Ata pritet të mbërrijnë në brigjet spanjolle, në fundjavë.

Por, në anën tjetër, një anije e rojës bregdetare italiane, me 937 emigrantë në bord, të shpëtuar në shtatë operacione ndihme në det, ka hyrë në portin e Katanias. Ndërkohë, një tjetër anije, “Sea Ëatch”, po refuzon të pranojë pasagjerët e shpëtuar nga marina amerikane pa garancinë se Italia do t’i lejojë ata të ankorohen në port.

Incidenti me “Aquarius” ka ndezur një përplasje diplomatike që ka thelluar akoma më shumë ndasitë brenda Europës. Hungaria ka mbështetur qëndrimin e Salvinit, ndërsa Franca është treguar shumë kritike. Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini është kundërpërgjigjur duke thënë se Franca hiqet si një fenomen por ka refuzuar më shumë se 10 mijë persona në kufirin me Italinë, mes tyre shumë gra dhe fëmijë.

Ndërsa Ministria e Jashtme italiane ka thirrur për të dhënë sqarime ambasadorin francez në vend, pasi presidenti Emmanuel Macron akuzoi Romën për cinizëm dhe papërgjegjshmëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button