Do të hartohet doracak se si duhet të sillen policët me gazetarët dhe anasjelltas

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me MPB-në dhe OSBE-në do të përgatisin doracak i cili do t’u ndihmojë gazetarëve dhe policëve që të njihen me të drejtat dhe ndalesat e tyre gjatë kryerjes së detyrës së tyre në protesta, por edhe në ngjarje të ndryshme, raporton Portalb.mk.

“Do të bëjmë doracak me të cilën do të rregullohen çështjet me të cilat përballen gazetarët, pra do të shkruhet aty se ku u lejohet dhe u ndalohet të fotografojnë fotoreporterëve dhe gazetarëve, të drejtat e policëve, si dhe për mënyrën se si të mbrohen gazetarët. Por edhe gazetarët duhet që t’i respektojnë rekomandimet e policisë, të mos nxisin provokim në turma dhe protesta, të mbajnë të veshur bluzë ose sinjalizim të dukshëm ku shkruan PRESS, ndërkaq nëse i fotografojnë njësitet speciale atyre t’ua mbulojnë fytyrat nëpër media. Qëllimi i gazetarëve dhe policëve është që ta mbrojnë demokracinë”, paralajmëroi përfaqësuesi juridik i SHGM-së, Ivan Brishkovski.

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, tha se në bashkëpunim me SHGM-në, pos doracakut ata së shpejti do të hapin edhe linjë telefonike për të qenë në kontakt të vazhdueshëm mes tyre për çdolloj ankese.

“MPB ka udhëheqësi të re dhe me këtë strukturë ka pasur 12 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe të gjitha janë pastruar. Ne pos doracakut, do të hapim edhe linjë telefonike e cila do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me SHGM-në. Ne nuk jemi armiq, por bashkëpunëtor, mjaft ka pasur turpe për policinë e Maqedonisë siç ishin e 24 dhjetori dhe 27 prilli. Mos pritni që menjëherë gjithçka të ndërrohet, por me kalimin e kohës do të vijnë gjërat në vendin e duhur. Por edhe gazetarët duhet që t’i respektojnë rekomandimet e policisë, për shembull një ndër ankesat më të shumta nga policët është që gazetarët nuk e respektojnë perimetrin e sigurisë, pra ajo bëhet për sigurinë e gazetarëve, pasi që nëse u ndodh diçka, ne përgjigjem”, tha Angellovski, transmeton Portalb.mk.

Udhëheqësi i Sektorit për Punë të Brendshme, Toni Jakimovski, foli për kornizën ligjore të detyrës së policisë, ndërkaq edhe ai u ndal në pjesën e doracakut, i cili tha se do t’i edukojnë policët në lidhje me atë se kur duhet të fotografojnë gazetarët dhe kur jo.

“Ata që kanë gabuar në të kaluarën krejt e dimë si kanë përfunduar. Do të punojmë me kuadrin tonë që t’i mësojmë se kur duhet dhe kur duhet që të lejohet të bëhet fotografimi, duhet të dihet se nuk është e lejueshme që të fotografohet vendi ku kryhen ekspertizat, pasi që aty ka dëshmi të cilat mund të ndikojnë që të mos zgjidhet rasti. Në doracak do të theksohen të gjitha çështjet”, tha Jakimovski.

Asistenti për Media në OSBE, Zoran Riçliev tha se gazetarët nuk duhet që të jenë të frikësuar, ndërkaq duhet të ketë ndëshkim për sulmuesit e gazetarëve.

“Gazetari i frikësuar nuk jep informata të sakta. Kemi qenë dëshmitarë të problematikës së mosndëshkimit të sulmuesve të gazetarëve. Duhet që të ndëshkohen të gjithë sulmuesit. Puna e gazetarëve dhe policëve është e përbashkët, të mbrohet interesi i përbashkët, të mbrohet demokracia”, tha Riçliev.

Ashtu siç u tha në punëtori, doracaku pritet që më së voni të publikohet më 2 nëntor, ndërkaq e njëjta  do të jetë në format të vogël, me qëllim që të jetë sa më efikas dhe sa më konkret në atë se çfarë duhet dhe çfarë s’duhet bërë gazetarët dhe policia gjatë situatave kritike.

Në punëtori, gazetarët deklaruan qëndrimet dhe dhanë përvojat e tyre në lidhje me situatat e ndryshme me reagimin apo mosreagimin e policisë nëpër protesta, ndërkaq përfaqësuesit e MPB-së dhe SHGM-së, kërkuan nga ata që të njëjtat t’i rekomandojnë te ata në mënyrë që të gjitha këto të kihen parasysh gjatë hartimit të doracakut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button