Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës kërcënon Ballkanin

Politika e jashtme kosovare ia ka vënë qëllim vetes funksionalizim e plotë të shtetit të ri. Funksionalizimi, që veç tjerash do të nënkuptonte edhe krijimin e rrethanave kur Kosova nuk do të kishte më nevojë për KFOR-in dhe EULEX-in, mëtohet të bëhet nëpërmjet arritjes së tri qëllimeve, përkatësisht anëtarësimit në strukturat euroatlantike, pjesëmarrjen aktive në komunitetin rajonal, si dhe promovimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës.

Nëpërmjet një strategjie që Ministria e Punëve të Jashtme e ka hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, Kosova ka vendosur që të bëjë më të qartë gjuhën ndaj shteteve që nuk po e njohin pavarësinë e shpallur në shkurt të vitit 2008.

Mosnjohja e pavarësisë, sipas qëndrimit që do të mbajë politika e jashtme kosovare, kërcënon stabilitetin e Ballkanit, njofton “Koha Ditore”.

Strategjia në qëllimet afatgjata planifikon që Kosova të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme që të njihet edhe nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Mosnjohja kërcënon stabilitetin e Ballkanit, rrezikon investimin evropian ndërtimin e shtetit nëpërmjet integrimit të rajonit, dhe e cenon rëndë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian”, janë argumentet që sipas Strategjisë do të përdorin përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.

Gazeta ka parë një draft të Strategjisë së politikës së jashtme, e cila kohëve të fundit qe kritikuar shumë, për mungesë të njohjeve. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button