Aty ku kulmon marrëzia, përfundon burrëria!

Këtë shkrim dëshiroj ta filloj me një konstatim timin në shkrimin me titull; “Përgjigja e Haradinajt ndaj Apostolovës, veprim i guximshëm politik!”, i botuar me 26 Janar 2018 në gazetën Kosova sot.

“Qëndrimi i fundit i kryeministrit Haradinaj “Qeveria nuk u jepë llogari ambasadorëve të huaj, por vetëm parlamentit dhe deputetëve” ndaj deklaratës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, se “Demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE)” më bëri përshtypje të jashtëzakonshme i cili më bëri të ndihem krenar me kryeministrin e vendit tim.

Uroj që edhe kundërshtimi i fundit i kryeministrit Haradinaj ndaj deklaratës së znj. Apostolova të jetë vërtetë akt patriotik i paramenduar mirë e jo turbulencë politike e çastit!”.

Sikurse e kam për nder të mburrem me sukseset dhe veprimet e mençura të kryeministrit të vendit tim ndaj ndërkombëtarëve, ashtu e kam të drejtën ta kritikoj  kur ai bënë gabime skandaloze në raport me qytetarët e Kosovës apo shqiptarët në përgjithësi.

Mospërfillja e protokollit shtetëror

Organizimi i dobët i njërës prej ngjarjeve më madhore kombëtare nga krerët shtetërorë, të kujton thënien e vjetër popullore; “Mos na raftë me u harrue”, ky organizim deri në jashtëqitje i pushtetarëve!

Skena jo e hijshme në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e shkaktuar nga kryeministri i vendit, në radhë të parë është shpërfaqje e injorancës, arrogancës dhe frikës nga fjala e lirë!

Do të ishte fat i mirë sikur të përfundonte gjithçka me mospërfillje të protokollit shtetërorë për ditë zie për legjendën e futbollit kosovar Fadil Vokrri!

Edhe pse janë në bashkëqeverisje, nuk e fshehën dëshirën për monopolizim të kësaj ngjarje kreu i kuvendit dhe kryeministri i vendit. Pa u përmbyllur mirë njëra seancë me (pa) protokoll shtetëror nga kryeparlamentari, e hapë tjetrën kryeministri me “protokoll”.

Përveç faktit se u mbajt ceremonia e Mbledhjes së Kuvendit në selinë e Lidhjes së Prizrenit, të kësaj ngjarje të rëndësishme historike, asgjë tjetër me vlerë nuk ndodhi në këtë vend.

“Protokolli” i Lidhjes së Prizrenit shpërfaqi keq-funksionimin e kësaj qeverie dhe mosfunksionimin  e shtetit në përgjithësi. Presidenti shpallë ditë zie, kryeministri nuk e përfillë atë! Ky është kulmi i marrëzisë së institucioneve tona.

Gara mes dy liderëve shtetëror dhe roli i trefishtë i kryeministrit

Njëri lider (Kadria) pasi flet vetë e mbyll ceremoninë, kur njerëzit fillojnë të largohen, e merr fjalën tjetri (Ramushi), duke u thënë të pranishmëve; qëndroni ulur tani po fillojmë tjetrën…!

“Seanca Solemne e Kuvendit të Kosoves” në Prizren, në vend të një seance solemne u shndërrua në një “cirk patriotik”, në të cilën nuk dihej kush udhëhiqte e kush moderonte, kush duhej te fliste e kush jo!

Lideri i parë (Kadria) i lëshon mikrofonin gruas anonime, i dyti (Ramushi), i ndërpret fjalën dhe largon me forcë Valdete Dëralla (pasardhëse e gjeneral Mehmet Derallës, këshilltarë i Sulejman Vokshit) nga skena, në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

Në këtë moment, kryeministri i luajti tre role njëkohësisht; të moderatorit, truprojës (sigurimit) dhe më pak të kryeministrit të vendit. Në momentin kur kryeministri e ngreh zhag një grua, një nënë dhe një motër shqiptare, përnjëherë i bie burrëria, trimëria dhe zotësia e të qenurit kryeministër i vendit!

Me këtë akt primitiv të kryeministrit u turpëruan të gjallët dhe të vdekurit, u fyen nënat e motrat shqiptare, për më tepër se kaq, nga kryeministri i vendit u dhunua fjala e lirë, si shprehje dhe vlerë e demokracisë dhe civilizimit njerëzorë.

Kjo është edhe një dëshmi më shumë për qytetarët, për të kuptuar se Kosova nuk guxon të shkoj tutje me qeverisjen e kësaj injorance politike.

Katërçipërisht u vërtetua edhe në këtë përvjetor jubilarë (140-të) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, se Shqipëria dhe Kosova, janë dy shtete të sunduara nga njerëz sa të papërgjegjshëm, po aq injorant, mashtrues dhe intrigant, të cilët nuk respektojnë rregulla e vlera, tradita e zakone të popullit që përfaqësojnë.

Përderisa kryeministri e kryeparlamentari garonin për të marrë primatin në dy ngjarje diametralisht të kundërta (seancën e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe ceremonitë mortore për Fadil Vokrrin), presidenti i vendit Hashim Thaçi injoroi njërën dhe tjetrën me mos pjesëmarrje!

Megjithatë, hipotetik mbeti rasti i zonjës Dëralla, në ishte rastësi apo “bombë e kurdisur” nga oponentët politikë në bashkëqeverisje me Haradinajn!?

Përfundimisht, veprimi i kryeministrit Haradinaj në raport me zonjën nga Shqipëria në ditën e shënuar kombëtare, përveçse i pamatur mirë, duket të ketë qenë produkt i një turbulencë politike apo i nxitur në prapaskenë nga ndokush tjetër! Pas këtij akti skandaloz, kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj i mbetët të bëjë kërkim faljen publike zonjës Dëralla, ngase me “arsyetimin” e tij,  e ka dëmtuar akoma më tepër imazhin e kryeministrit të vendit dhe imazhin e tij prej çlirimtari!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button