LODHËSIT E DHJAMUR TË EKRANEVE

Të lumtur janë lodhësit e ekraneve. Kënaqen me spektaklet e kësaj bote. Nuk e njohin jetën asketike. Nuk kanë tundime dhe brenga. Nuk i mundon dhembja e botës. Të lumtur janë ata në mjerimin e tyre. Lexojnë vetëm menytë e restoranteve. Mendojnë për kuzhinë, për pudra, për palestër. Dhe më kujtohet Tolstoi: “Nuk ka artistë të dhjamur, të shëndetshëm, të kënaqur nga jeta”.

Le t’i quajnë “artistë” lodhësit e ekraneve. Nuk kanë qenë dhe as nuk do të jenë. Arti nuk krijohet nga të kënaqurit, por nga kërkuesit e përhershëm. Artisti i vërtetë nuk mahnitet nga turma dhe nga fansat. Artisti i vërtetë nuk e honeps turmën, këtë masë amorfe, pa kualitete, ku pushon së ekzistuari pesha e përgjegjësisë, e cila, sipas Le Bonit nuk udhëhiqet nga mendja, por nga pavetëdija.

Krijimi është diçka tjetër. Është ftesë për dialog me ata që duan të zbulojnë përmasa të tjera ekzistenciale. Është ftesë për dialog me ata që e njohin gjuhën e harruar. Krijimi është akt vetmitarësh. Arti nuk është modë, nuk është produkt sezonal…

Sa shumë “artistë”, sa pak art. “Vipat” tanë përmenden për marrëzira. Sikur të ishin artistë të vërtetë do t’ua përligjnim marrëzitë. Vipat tanë mund të përgjigjen vetëm në pyetjet e  bezdisshme: “Çfarë hani, çfarë vishni, ku e kaloni kohën e lirë?”.

Sa herë drekoj më duket se e humb kohën. Dhe horoskopin nuk e honeps. Jeta e një krijuesi nuk është atraktive për ta rrëfyer.

Është kohë antiheronjsh. E antiheronjtë përherë e kanë ushqyer letërsinë. Shkrimtarët, thotë Markesi, janë si orlat që kënaqen me kërmat e një shoqërie që dekompozohet. Një shoqërie që kundërmon, që qelbet, që nuk njeh asnjë normë, që nuk njeh asnjë vlerë, që ka frikë nga dija. Jetojmë në shoqëri që dekompozohet. Dhe nuk mund të jemi të lumtur. Të lumtur janë “vipat” që flasin vetëm për gjëra utilitare. Dhe quhen “artistë”. Artistë pa trazime, pa ankthe, pa demonë, pa jetë asketi! Dhe janë të popullarizuar, sepse, thotë Borgesi, budallallëku është i popullarizuar.

Rrojmë në kohë konsumerizmi. Rrojmë në kohën e emisioneve për vakte e palestër. Rrojmë në kohë vipash, që i lodhin ekranet. Rrojmë nën diktaturën e kiçit, banalitetit, aktualitetit, uniformitetit dhe ngulfatemi nga filozofia e provincës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button