Siria në prag të luftës

Shefi i OKB-së Ban Ki Moon paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se një luftë e plotë dhe e përgjakshme civile mund të shpërthejë në Siri nga momenti në moment. 

Kofi Anan nga ana tjetër insistoi se është koha të përshkallëzohet presioni mbi Damaskun për t’i dhënë fund dhunës.

“Siria mund të degradojë shumë shpejt nga një pikë e nxehtë në një pikë konflikti. Rreziku i një lufte civile është më se real dhe po të ndodhë kjo, për Sirinë e mbarë rajonin pasojat do të jenë katastrofike. Pak dëshmi kemi parë se regjimi është pajtuar me angazhimet e marra në bazë të planit gjashtë pikësh të miratuar nga Këshilli i sigurimi 2 muaj më parë. Opozita po forcohet e gjithmonë e më shumë po i kthehet armëve. Terroristët janë duke eksploruar kaosin, ndërsa shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, po shtohen”, tha Ban Ki Moon. 

“Nisur nga niveli i dhunës dhe aktorët në terren, mund të themi se po i drejtohemi luftës civile. Po bëhen të gjitha përpjekjet për t’u siguruar që në rast të një skenari të tillë, problemet të mos shtrihen edhe tek vendet fqinje. Por situata nuk zgjidhet duke u përqendruar vetëm tek lojtarët brenda kufijve, nevojitet edhe përfshirja e lojtarëve rajonalë dhe atyre ndërkombëtarë”, tha Annan.

Aktivistët sirianë insistojnë se të mërkurën, 78 vetë, mes tyre edhe gra e fëmije, u masakruan nga milicia pro-regjimit në fshatin Qubair. Qeveria nga ana e saj flet vetëm për 9 persona të vrarë nga terroristët. Vëzhguesit e OKB-së i janë drejtuar sërish sot zonës, ku do të përpiqen të verifikojnë të dyja këto pretendime, tërësisht kontradiktore me njëra-tjetrën. 

Të enjten, mbi autokolonën e tyre u hap zjarr duke i detyruar të kthehen mbrapsht. Aktivistët thonë se në kohën kur ata po përpiqeshin pa sukses të mbërrinin në fshat, trupat qeveritare zhvendosën një pjesë të mirë të trupave. Mediave perëndimore nuk i është lejuar hyrja ne Siri, çka e bën të vështirë verifikimin e deklaratave të secilës palë. Mesazhi kryesor që Kofi Annan i përcolli Këshillit të Sigurimit për gjendjen në vend ishte nevoja për bashkim në mënyrë që Damasku të detyrohet të implementojë planin e tij, përndryshe kriza do të dalë jashtë kontrollit. Për të parën herë ai aludoi mbi mundësinë e sanksioneve, duke e bërë të qartë se mosbindja do të ketë pasoja./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button