Mos e qani Podrimen, qani veten tuaj!

Poeti më i mirë i gjallë i Kosovës, iku. U fsheh diku në Francë në një tubim poetësh dhe nuk u pa më. Siç ndodh rëndom me shqiptarët pas vdekjesh të tilla, ngrenë aq shumë përmendore me lot, sa duan ta mbysin tjetrin dhe në atë botë me të qarat e tyre.

Unë e kam njohur Ali Podrimen dhe jam hutuar kur e kam takuar për herë të parë në fillim të viteve ‘90-të. Diferenca mes fuqisë së fjalës së shkruar dhe një burri mesatar pa asnjë gjymtyrë imponuese në bisedë më kishte bërë gjithmonë përshtypje dhe e kujtoja sa herë ndeshesha me të. Ai nuk u ngjante poetëve tanë të njohur dhe as shkrimtarëve tanë të mëdhenj, sa i përket autoritetit imponues të tyre. Ai nuk kishte asnjë dëshirë të kishte një biografi politike. Nuk e kuptova dot kurrë nëse ai ishte një mbështetës i Rugovës, Thaçit…, Berishës, Nanos, Ramës… Nuk e kuptova kurrë si ia kish dalë me Titon dhe si ia dilte deri në ditën e fundit të jetës së tij duke jetuar me botën e poezive të tij. Nuk e kuptoje dot kurrë si e gëlltiste dhimbjen për ikjen e të birit në vitet ‘80-të dhe si ia bënte të mos dukej kurrë i vjetër në patriotizmin e tij.

Nxitimi për të ngushëlluar familjen e Podrimes dhe për të lartësuar atë sot, nuk vlen. Ai nuk hyn tek ata që i ka ngelur ndonjë merak nga jeta. Nuk e ka kufizuar veten të shkruajë poemthin e tij antologjik “Unë, biri yt Kosovë”, kur mund te burgosej për irredentizëm, dhe as traktin e tij politik në kulimin e përpjekjeve të Kosovës për tu çliruar, të cilin nuk e kam lexuar në letër, por në një mur restoranti në Prishtinë: “Tokë me nda nuk kam/ Hasmi në pidh t’samës/ Me vdekë duhet mësue/ Qençe nuk jetohet më.”

Ka shumë njerëz që përpiqen të bëjnë zhurmë gjithë jetën për atë që po bëjnë, apo atë që kanë bërë, dhe kur ikin bie qetësia, por ka dhe të tillë si Ali Podrimja që bëjnë çfarë duan gjithë jetën dhe s’flasin kurrë për to, dhe për ta flitet gjithë jetën. Ali Podrimja dhe një sërë poetësh dhe shkrimtarë të brezit të tij ia dolën që në një copë tokë si Kosova, të cilës politika dhe nacionalizmi i mohoi të drejtën e përfaqësimit politik, të ndërtojnë një sistem vlerash që i jepte Kosovës hijen e shtetit duke qenë formalisht provincë jugosllave. Poezitë e Podrimes dhe Shkrelit, Din Mehmetit dhe Farudin Gungës, proza e Qoses, Krajës, Anton Pashkut dhe autorëve të tjerë, i dhanë Kosovës identitetin dhe sistemin e vlerave që ua mohonte politika, diplomacia dhe nacionalizmi serb. Një njeri që arrin t’i bëjë një shërbim të tillë një shoqërie, e cila rrezikon të zhduket, ka bërë gjithçka dhe nuk ia vlen të qahet kur ikën.

Sot kur shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri po vetëqeveriset nga shqiptarët, ne duhet të vajtojmë për veten tonë, pasi tashmë identiteti ynë nuk janë më ata që i kanë dhënë  shpirtin shoqërisë shqiptare, por ata që po i marrin shpirtin kësaj shoqërie. Identiteti ynë sot nuk janë më intelektualët, nuk janë më krijuesit, nuk është më poezia e Podrimes, proza e Kadaresë, sarkazma e Agollit apo dramaciteti i Qoses, por kryeministrat delirantë, fëmijët e tyre pasanikë dhe manekinët e televizioneve që ushqejnë shoqërinë me propagandë në vend të vlerave.

Podrimja dhe brezi i tij i dhanë Kosovës identitet kur ajo s’kishte asnjë shans të kishte dhe status republike, kurse sot politika po i jep Kosovës dhe Shqipërisë fytyrën e saj që shkëlqen nga injoranca, babëzia dhe mungesa e dashurisë për këtë vend.

Ali Podrimja iku larg për të mos e parë as si do vdiste. Nuk i duheshim më për asgjë, as si personazhe, as si shoqëri dhe as si ideal. Ai e kish kryer punën e tij dhe jetonte me Kosovën e tij, dhe Shqipërinë e tij. Me Shqipërinë që pa të do të duket vërtet xhuxhe, siç e thotë ai në poezinë e tij. Nëse duhet derdhur ndonjë lot sot, mos e harxhoni për Aliun. Të qajmë për veten tonë, që nuk dimë të bëjmë atë që bëri ai për ne dhe veten e tij.

Marrë nga: Gazetatema

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button