Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë falet namazi i Natës së Kadrit

Besimtarët muslimanë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, sonte kanë falur namazin e Natës së Kadrit, raporton Anadolu Agency (AA).

Një numër i madh i besimtarëve të Shkupit u tubuan në xhamitë e qytetit, në veçanti në ato të Çarshisë së Vjetër, që bashkërisht të falin namazin e teravisë dhe namazin e Natës së Kadrit.

Ndër xhamitë e mbushura ishte edhe Xhamia e Mustafa Pashës, ku besimtarët u falën edhe në oborrin e xhamisë, për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm. Para faljes së namazit të teravisë, besimtarët patën mundësi të lexojnë Kur’an, ndërsa pas faljes së namazit ndoqën ligjëratë për vlerat dhe rëndësinë e kësaj nate të madhe.

Në këtë natë të lutjeve përveç leximit të Kur’an-it dhe ligjëratave, tradicionalisht këndohen edhe ilahi dhe kaside, duke organizuar një program të veçantë për këtë natë të vlefshme për besimtarët musliman.

Me rastin e Natës e Kadrit besimtarë të shumtë kanë mbushur xhamitë në Shqipëri, ku namazi dhe lutjet e besimtarëve janë shoqëruar me ilahi dhe lexim të Kur’anit.

Në xhamitë e kryeqytetit të vendit, Tiranë, besimtarët muslimanë janë mbledhur së bashku për të falur namazin e Natës së Kadrit.

Një ndër xhamitë ku besimtarët falën namazin për Natën e Kadrit ishte xhamia e Tabakëve në Tiranë.

Ndërkohë qindra besimtarë janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytetin e Shqipërisë, në programin e organizuar me rastin e Natës së Kadrit.

Gjithashtu xhamitë janë mbushur nga besimtarët edhe në qytete e tjera të vendit.

Nata e Kadrit ka mbledhur së bashku qindra besimtarë edhe nëpër xhamitë e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë.

Besimtarë të shumtë muslimanë me rastin e Natës së madhe iu drejtuan xhamive për t’i bërë adhurimet e tyre.

Xhamitë e Prishtinës ishin të mbushura më shumë se ditët tjera, ku e tillë ishte edhe xhamia Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë, e cila ishte e mbushur me qindra besimtarë. Besimtarët të cilët nuk gjetën vend brenda xhamisë e falën namazin e tyre edhe në oborrin e xhamisë.

“Nata e Kadrit” shënon fillimin e zbritjes së librit të shenjtë Kur’an-it tek profeti (a.s). Nga Kur’an-i mësojmë se kjo natë është më e vlefshme se 1 mijë muaj, sepse është nata e të mirave për besimtarët musliman, natë e shpresës për mira dhe begati nga Allahu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button