140 vjet, ja si vlerësohet sot Lidhja e Prizrenit nga burrështetasit shqiptarë aktual (FOTO)

Në manifestimin qendror të Lidhjes së Prizrenit, që po mbahet për nder të 140 vjetorit të saj, në Prizren, përveç të Kosovës, kanë qenë të pranishëm edhe krerët shtetërorë të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kështu, ata me vlerësime në manifestimin qendror, në rrjetin social “Facebook” dhe nëpërmjet kumtesave, kanë folur për rëndësinë e Lidhjes së Prizreni, transmeton Portalb.mk.

Më poshtë ju sjellim pjesët kryesore të asaj se si e shohin Lidhjen e Prizrenit, burrështetasit shqiptarë aktual në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi:

“Unë nuk dua të përqendrohem në histori, historinë e studiojnë shkencëtarët dhe ato janë përgjegjës për regjistrimin e fakteve historike me objektivitet shkencor sepse historia gjithmonë duhet të shkruhet ashtu siç është. Unë, dua t’ju drejtohem si politikan përgjegjës, politikan bashkëkohor i cili me plotë përgjegjësi mund të thotë se tani, jemi të bekuar me kohën më të mirë për shtetet tona, për popullin tonë, për gjeneratat e ardhshme. Jemi të vetëdijshëm se në cilin drejtim duam të shkojmë, çfarë duam të arrijmë dhe si duhet ta arrijmë këtë. Jemi fqinj në një rajon i cili ka kaluar periudha të vështira, të palakmueshme por, dalë ngadalë, po i lëmë pas vete periudhat kritike dhe ecim përpara. Punojmë shumë në drejtim të fqinjësisë së mirë, në drejtim të përmbushjes së kushteve për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe ky është synim i përbashkët i gjithë rajonit dhe për arritjen e kësaj vendosim bashkëpunim në të gjitha rrafshet, edhe bilaterale edhe multilaterale. Jemi politikanë sinkron të cilët janë të vetëdijshëm se bashkimi do të arrihet në gjirin e Evropës së bashkuar. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk guxojmë tu lëmë gjeneratave të ardhshme telashe ose gështenja të nxehta në trashëgimi. Duhet ti tejkalomë sfidat që na dalin përpara, vetë ose në bashkëpunim me fqinjin sepse, vetëm të bashkuar jemi të fuqishëm. Unë u përgëzoj për durimin dhe mençurinë që e keni pasur në të kaluarën, uroj që edhe më tutje të vazhdoni në të njëjtën mënyrë. Rezultatet nuk do të mungojnë, dhe kur ta ktheni shikimin prapa dhe mandej sërish përpara, do të shihni se sa shumë ia ka vlejtur të sakrifikohet gjithçka për një shtet bashkëkohor demokratik, për një rini të lumtur dhe me perspektivë, për ardhmëri të sigurt dhe të ndritshme për qytetarët tanë”, tha Xhaferi në fjalimin e tij në manifestimin qendror që u mbajt në Prizren.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi:

“Në qytetin historik të Prizrenit, më 10 qershor 1878, delegatë nga të gjitha viset shqiptare u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive, që nga koha e Skënderbeut. Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare, pas dobësimit të Perandorisë Osmane me kryengritje, memorandume dhe forma tjera të rezistencës. Lëvizja kulturore e Rilindjes sonë Kombëtare, si vetëdije kulturore dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si vetëdije politike, janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ideatorët, burrështetasit dhe ushtarakët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi etj., mbeten figura të mëdha historike, frymëzuese edhe pas 14 dekadash. HTH”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj:

“Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohë të vështira. Burrat e asaj kohe, shihet se kishin menduar ndër vite se mund tu vije ajo ditë, që në ditë të caktuar edhe shqiptarët të japin përgjigjen e tyre për të drejtën e tyre. Edhe sot i kemi marrëdhëniet e ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi, po synohet që të kthehet në pazare të reja politike. Është e padrejtë që të ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme që të përmbyllet lufta e 99-ës është me një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve”, tha Hardinaj në fjalimin e tij në manifestimin që u mbajt në Prizren.

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta:

“Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Lidhja shkaktoi një jehonë të madhe në rajon e botë, ndaj dhe nuk është një relikë historike, por një vepër frymëzuese. Lidhja është një frymëzim për të rinjtë shqiptarë. E paharruar vepra e themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha Meta në fjalimin e tij në manifestimin që u mbajt në Prizren.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli:

“Të udhëhequr nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda. Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe: themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare, krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë”, tha Veseli në fjalimin e tij në manifestimin që u mbajt në Prizren. 

Në 140 vjetorin, në Prizren vihet gurthemeli i burrështetasve të Lidhjes

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button